1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SIPRI: Firmat e armëve përfitojnë shumë nga lufta në Ukrainë

2 Dhjetor 2025

Prodhuesit evropianë e sidomos ata gjermanë të armëve shitën në vitin 2024 më shumë armatime se në 2023. Si arsyen kryesore Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI) përmend luftën në Ukrainë.

Avionë F-35 prodhuar në SHBA
SHBA vazhdon të kryesojë eksportet e armëveFotografi: picture alliance/dpa/dpa-Zentralbild

Firmat e armatimeve nuk kanë fituar kurrë kaq shumë sa në vitin 2024. Kështë thuhet në raportin e Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI) lidhur me 100 kompanitë më të mëdha të prodhimit të armëve në botë. Vitin e kaluar të ardhurat e tyre nga shitja e armëve dhe e shërbimeve ushtarake arritën në 679 miliardë dollarë.

Kjo përbën një rritje prej 5.9 përqind krahasuar me vitin 2023. Edhe atëherë përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike dhe mbi të gjitha lufta në Ukrainë çuan në rritjen e kërkesës për armë. Ky trend u përshpejtua më tej në vitin 2024.

SHBA është vendi më i rëndësishëm për industrinë e prodhimit të armëveFotografi: Andreea Alexandru/AP/dpa/picture alliance

Pra, a është lufta në Ukrainë e mirë për biznesin? "Për sektorin e mbrojtjes, padyshim", tha për DW Nan Tian një nga autorët e raportit të SIPRI-t. "Gjatë dy viteve të fundit, këto kompani armësh kanë rritur ndjeshëm të ardhurat e tyre."  Kanë zhvilluar pajisje të reja ushtarake, kanë rimbushur rezervat dhe pajisjet e shkatërruara janë zëvendësuar.

Kompanitë gjermane me fitime veçanërisht të larta

Nga 100 kompanitë e listuara, 39 syreshh e kanë qendrën në SHBA që është padyshim vendi më i rëndësishëm për industrinë e prodhimit të armëve. Këto 39 kompani përfitojnë thuajse gjysmën e të ardhurave botërore nga shitja e armëve. Megjithatë rritja e tyre prej 3.8 përqind është ende relativisht modeste. Kurse 26 kompanitë evropiane (pa Rusinë) shënuan së bashku një rritje prej 13 përqind të të ardhurave.

Dr. Nan Tian: Lufta në Ukrainë është padyshim e mirë për biznesin e armëveFotografi: SIPRI

Kompanitë gjermane arritën madje një rritje prej 36 përqind. "Kjo lidhet thuajse tërësisht me pushtimin rus të Ukrainës", thotë Nan Tian. "Pati një kërkesë më të lartë nga forcat e armatosura gjermane Bundeswehr. Kompani si Rheinmetall dhe Diehl prodhuan tanke, transportues të blinduar për skuadra ushtarake dhe municione për të zëvendësuar ato që u dërguan në Ukrainë si ndihmë ushtarake, por edhe për të rritur rezervat e tyre."

Ekonomia ruse e luftës sfidon sanksionet

Rusia renditet më vete në raportin e SIPRI-t. Dhe nuk është për t'u habitur që prodhuesit rusë të armëve përjetuan një rritje veçanërisht të fortë. Të ardhurat e tyre nga eksportet ranë për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, por kërkesa e brendshme pati një rritje të ndjeshme dhe i kompensoi në masë të gjerë humbjet.

Prodhuesit rusë të armëve përjetuan një rritje veçanërisht të fortë të të ardhurave Fotografi: Russian Defense Ministry Press Service/AP Photo/picture alliance

Por Rusia është një rast i veçantë, thekson Nan Tian. "Vendi i ka ndryshuar plotësisht prioritetet e tij. Gjatë tri viteve të fundit, ekonomia dhe prodhimi i saj janë transformuar në një ekonomi lufte." Të gjitha burimet janë kanalizuar tek lufta. Për shembull, midis viteve 2022 dhe 2024 sipas raportit të SIPRI-t, Rusia e rriti prodhimin e predhave të artilerisë 152 mm me 420 përqind: nga 250,000 në 1.3 milion.

Nan Tian beson se transformimi i ekonomisë ruse ka shkuar aq larg sa, në rast të një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë, do të ishte e vështirë të kthehej në një ekonomi jo lufte.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW