Siri: “Bashar al-Assad ka ikur”
8 Dhjetor 2024Më 27 nëntor, lufta civile në Siri, e cila filloi në vitin 2011, shpërtheu përsëri papritur me ofensivën e aleancës islamike Haiat Tahrir al-Sham (HTS). Brenda një kohe të shkurtër, kryengritësit morën kontrollin e shumë qyteteve kryesisht pa luftime, duke përfshirë Alepon dhe Haman. Kryengritësit arritën të shtunën të marrin qytetin me rëndësi strategjike Homs. Në të njëjtën kohë, grupe të tjera kryengritëse përparuan nga jugu drejt Damaskut. Kryengritësit i bashkon qëllimi për të rrëzuar Asadin.
Sipas liderit të saj, Abu Mohammed al-Julani, aleanca kryengritëse dëshiron të marrë pushtetin në mënyrë paqësore. Institucionet publike të Damaskut "do të qëndrojnë nën mbikëqrjen e ish-kryeministrit deri në dorëzimin zyrtar," shpjegoi ai në mediat sociale. Forcave ushtarake u ndalohet rreptësisht afrimi te këto objekte dhe nuk lejohet të hapet zjarr.
Kryengritësit: "Fundi i kësaj epoke të errët"
Pas arratisjes së Asadit, aleanca kryengritëse njoftoi rënien e qeverisë së tij. "Tirani Bashar al-Assad ka ikur”, thanë kryengritësit. "Ne njoftojmë se kryeqyteti Damask është çliruar (prej tij)". 8 dhjetori shënoi "fundin e kësaj epoke të errët" të shtypjes nën Assadin dhe babain e tij Hafiz al-Assad, i cili sundoi vendin për më shumë se 50 vjet. "Ky është momenti që kanë pritur të dëbuarit dhe të burgosurit, momenti i kthimit në shtëpi dhe momenti i lirisë pas dekadash shtypjeje dhe vuajtjesh”. Duke iu drejtuar miliona refugjatëve në arrati nga lufta civile, kryengritësit deklaruan: "Personat e dëbuar në mbarë botën, një Siri e lirë i pret".
Kryengritësit pushtuan edhe pallatin presidencial. Dëshmitarë okularë raportuan se luftëtarë të armatosur kishin hyrë në territorin e pallatit dhe bërtisnin "Zoti është i madh". Një video e postuar në mediat sociale tregoi disa burra duke qëlluar në ajër në një portë, ku besohet se fillon oborri i pallatit. Kanali i lajmeve Al-Arabija tregoi pamje të kryengritësve që kalonin në dhoma dhe në kopshtet e pallatit dhe bënin fotografi.
Ndërkohë, ushtria e shtetit informoi ushtarët e qeverisë se qeverisja e Asadit kishte mbaruar. Për këtë arsye komanda e ushtrisë i ka liruar nga shërbimi ushtarët, ka mësuar Agjencia Gjermane e Shtypit dpa nga qarqet ushtarake siriane. Ushtarët do të qëndrojnë në shtëpi dhe do të thirren përsëri në detyrë nëse ishte e nevojshme.
Kryeministri sirian dëshiron të bashkëpunojë
Kreu i qeverisë, Mohammed Ghazi al-Jalali, deklaroi se mbetet në vend dhe se dëshiron të bashkëpunojë në rast ndryshimi të pushtetit. "Ne jemi të gatshëm t'ia dorëzojmë (pushtetin) liderëve të zgjedhur", tha kryeministri në një video-mesazh, të cilin ai tha se e regjistroi në shtëpinë e tij. "Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me opozitën. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në ngjarjet që po zhvillohen dhe të mos dëmtojnë pronën publike. Siria mund të jetë një "shtet normal" me marrëdhënie miqësore me fqinjët. Atij vetë nuk i intereson asnjë detyrë politike apo privilegje të tjera. "Ne besojmë se Siria u përket të gjithë sirianëve”, tha kreu i qeverisë.
Brohoritje shpërthyen në qendër të Damaskut pas arratisë së Asadit. Banorët brohoritën në rrugë dhe disa u panë duke u lutur, raportuan dëshmitarët okularë. Në mediat sociale qarkulluan video të banorëve që qëndronin mbi një tank dhe këndonin këngë festive.
aud(dw,dpa, afp, rtr)