Siria pranon planin ndërkombëtar?
28 Mars 2012
Të martën para dite njoftohej nga Damasku për luftime dhe të vrarë. Ndërsa disa orë më vonë erdhi një lajm befasues nga Pekini. Presidenti i Sirisë Assad ka pranuar planin e të dërguarit të posaçëm të OKB Kofi Annan. Këtë bërë të ditur një zëdhënës i OKB-së.
Kofi Annan, i cili në këtë monent ishte për bisedime zyrtare në Pekin, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me qeverinë kineze dhe konfirmoi ndryshimin e qëndrimit të presidentit sirian.
"Qeveria kineze na ka premtuar mbështetje. Ajo do të punojë së bashku me vendet e tjera në Këshillin e Sigurimit të OKB për zbatimin e planit gjashtë-pikësh. Unë i kumtova edhe qeverisë në Pekin se më ka ardhur një sinjal pozitiv nga Damasku", deklaroi ish-sekretari i përgjithshëm i OKB, Kofi Annan.
Si më parë Rusia tani edhe Kina ka vendosur të mbështesë planin e Annanit. Pikërisht Moska dhe Peikini ishin ato të cilat deri tani e kanë mbështetur më fort qeverinë dhe presidentin e Sirisë, duke bllokuar të gjitha rezolutat në KS të OKB-së. Annani lidhur me këtë tha: "Plani gjashtë-pikësh i KS dëshmon se sa urgjente është gjendja dhe sa e domosdoshme është gjetja e një zgjidhje mes palëve në konflikt. Plani parashikon tërheqjen e armëve të rënda dhe trupave nga zonat e banuara, lirimin e të burgosurve si dhe lirinë e lëvizijes për organizatat e ndihmave dhe gazetarët. Të gjitha këto janë pjesë e këtij plani të cilin tani ka pranuar edhe regjimi në Damask."
Opozita kundër planit
Opozita në Siri, e cila këto ditë është mbledhur në hotelin Greenpark në Stamboll reagoi pas disa orësh. Ajo e hodhi poshtë këtë plan. Kundërshtari i regjimit, Naji Tayyara, nga Këshilli Kombëtar i Sirisë deklaroi: "Plani i Annanit nuk parashikon ndryshimin e regjimit në Damask. Ky është problemi më i madh që ne kemi me këtë plan gjashtë-pikësh. Nuk e besoj se së shpejti do të kemi një përfundim të dhunës."
Kolegu i tij opozitar, Favaz Tello ishte edhe më i qartë me fjalët se: "Regjimi po gënjen prej më shumë se një viti. Ai ka dhënë këtë vit shumë premtime, por asnjë nuk e ka mbajtur. Regjimi po përpiqet të fitojë kohë për të shuar revolucionin."
Opozita e përçarë në Siri nuk ka ardhur në Stamboll për të biseduar lidhur me ofertat e Assadit. Ajo ka për qëllim të forcojë frontin e saj dhe të plotësojë një prej kushteve të vendeve perëndimore. Me 1 prill në Stamboll do të mbahen bisedimet e "Miqve të Sirisë", ku bëjnë pjesë vendet perëndimore dhe arabe. Opozita synon që deri atëherë të ketë një qëndrim të përbashkët. Bassam Yara flet për qëllim n: "Ne duam që fraksionet opozitare të nënshkruajnë deri atëherë një dokument të përpunuar nga Këshilli Kombëtar. Ky dokument parashikon zhvillimet pas rënies së Assadit. Pra parashikon krijimin e një Sirie demokratike, me shoqëri pluraliste, ku të gjithë i gëzojnë të drejtat e barabarta."
Autor: Jürgen Stryjak/Bahri Cani
Redaktoi: Auron Dodi