Sistemi social i Gjermanisë para kolapsit?
16 Gusht 2013
Gjermania është shtet social, këtë e përcakton Kushtetuta në nenet 20 dhe 28. Kështu pothuajse gjysma e buxhetit gjerman për këtë vit, rreth 145 miliardë euro, shkon për sigurimet shoqërore, mbështetjen e familjeve dhe të të rinjve si dhe për punësimin. Por Shoqata e Përgjithshme e Shoqatave Humanitare vlerëson se në të ardhmen kjo shumë nuk do të jetë e mjaftueshme.
Sipas studimit të kësaj shoqate, e cila përfshin 10.000 organizata humanitare, për sigurimet shoqërore në të ardhmen do të nevojiten edhe 35 miliardë shtesë për vit.
"Pa investime të posaçme dhe të qarta shteti i sotëm social në të ardhmen nuk do të funksinojë," paralajmëron Rolf Rosenbrock, kryetar i Shoqatës së Përgjithshme të Shoqatave Humanitare. gjatë prezantimit të studimit në Berlin.
Nevoja jetike
Sipas Rolf Rosenbrock nuk është fjala për dëshira në përgjithësi, por për nevoja jetike. Sipas studimit të nevojshme janë shtimi i ndihmës sociale nga 382 euro në 464 euro në muaj, fondet për banesat sociale dhe për përkujdesjen e të moshuarve dhe invalidëve.
Me këto kërkesa Shoqata e Përgjithshme e Shoqatave Humanitare nuk është e vetme, sepse pikat që përmenden në raportin e kësaj shoqate i gjen edhe në programet elektorale të partive gjermane. "Por ajo që të bën përshtypje është se edhe pse shumë tema përmenden, nuk përmenden shumë shifra konkrete se sa para janë të nevojshme. Rrjedhimisht, ne mendojmë se programet elektorale në gjendjen e tyre të tanishme nuk përmbushin sipas pikëpamjes sonë kriterin e nevojshëm të ndershmërisë." - tha Rosenbrock.
Të pasurit duhet të paguajnë
Sipas Shoqatës së Përgjithshme të Shoqatave Humanitare nuk ka dyshim që reformat duhet të financohen vetëm përmes ngritjes së taksave. Partia Socialdemokrate dhe Partia e Gjelbër kanë llogaritur se nëse do të futet një taksë për pasurinë, nëse do të rritet taksa për trashëgiminë dhe do të taksohen edhe transaksionet e bursave, shteti mund të mbledhë miliarda të ardhura shtesë.
Po ashtu nëse do të luftohet evazioni fiskal, që sipas OECD-së në Gjermani shkon deri në 168 miliardë euro, atëhere shuma e taksave që mbledh shteti do të jetë edhe më e madhe.