1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situatë e nderë në veri të Kosovës

30 Nëntor 2024

Tensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës janë ashpërsuar me shpërthimin në Zubin Potok. Aty u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit një aset kritik i Kosovës.

Pas shpërthimit autoritetet kanë shkuar në vendngjarje për verifikime
Dëmtohet kanali i Ibër LepencitFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, komunë kjo në veri të Kosovës, duke dëmtuar kështu kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima në njerëz. Ky kanal uji që rrjedh nga liqeni i Ujmanit, cilësohet aset kritik për Kosovën. Nga ky kanal uji varet shumë operimi i termocentraleve elektroenergjtike të Kosovës, furnizimi me ujë të pijshëm i një pjese të madhe të Kosovës, përfshirë edhe një pjesë të kryeqytetit Prishtinë.

Sulmi ndaj kanalit Ibër Lepenc - akt "terrorist"

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveҫla, shpërthimin e cilësoi sulm ‘terrorist' dhe sipas tij, një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit që është dëmtuar konsiderohet si "infrastrukturë kritike”. "Është detyrë e domosdoshme e institucioneve të sigurisë që të hetohen terroristët që kanë kryer këtë akt terrorist dhe të sillen para drejtësisë", tha Sveҫla.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal SveçlaFotografi: Olivier Matthys/AP/dpa/picture alliance

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani fajësoi "bandat kriminale serbe" për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke siguruar qytetarët, se  “bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës”. "Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj këtyre elementeve kriminalë janë jetike", tha Osmani, duke u bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të tregojnë qetësi dhe maturi derisa institucionet të hetojnë rastin dhe të sanojnë dëmet.

Kurti fajëson bandat e dirigjuara nga Serbia

Shpërthimet e ditëve të fundit në komunat në veri të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka quajtur akte ‘terroriste' nga Serbia. Ai tha se "sulmi është kryer nga profesionistë me qëllimin për ta dëmtuar infrastrukturën kritike të Kosovës”. "Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike. Sulmi është kryer nga profesionistë. Ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara nga Serbia. Nëse dëmi nuk riparohet, atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”, tha Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Dëmtim i kanalit të Ibër LepencitFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Sipas kryeministrit të Kosovës "s'ka adresë tjetër për sulme të tilla pos Beogradit zyrtar dhe strukturat kriminale, në krye me Milan Radoiçiqin”. "Ky është sulmi, pra shpërthimi i tretë në ditët e fundit që ka pasur për cak institucionet tona. Dhe është synuar që të nxitet frika. Përpjekjet e tilla do të ngelen të dështuara për shkak se kushtetutshmëria në vendin tonë sundimi i  ligjit rendi dhe Republika jonë nuk do të mund të mposhten nga askush”, tha Kurti. Kryeministri tha se menjëherë do ta takojë komandantin e KFOR-it dhe njëkohësisht ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë kombëtare.

Hovenier: Ofrojmë mbështetjen tonë

Pas sulmeve të fundit ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier, i cili dënoi ashpër sulmin ndaj "infrastrukturës kritike" të Kosovës. "Ne po monitorojmë nga afër situatën, do të mbështesim një hetim gjithpërfshirës dhe kemi ofruar mbështetjen e plotë për Qeverinë e Kosovës për t'u siguruar që përgjegjësit e këtij akti kriminal të identifikohen dhe mbahen përgjegjës", tha Hovenier.

Kanali i dëmtuar i Ibër LepencitFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Lista Serbe e dënoi sulmin

Shpërthimin në kanalin Ibër Lepenc e dënoi edhe Lista Serbe,  partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit. "Dëshirojmë të bëjmë të qartë se ky akt është absolutisht kundër interesave të popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim urgjent në lidhje me këtë rast. Dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu ka shkaktuar shqetësim tek serbët në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Tensione të rritura dy ditët e fundit

Para shpërthimit në kanalin Ibër Lepenc, ka pasur sulme me granata dore në veri të Kosovës edhe dy ditë më parë. Një granatë u hodh në objektin komunal të Komunës së Zveҫanit dhe njëra në një stacion policie, ka njoftuar policia e Kosovës. Pasoja në njerëz nuk ka pasur pos dëmeve materiale në objektin e komunës dhe disa automjeteve të parkuara aty pranë. Autorët akoma nuk dihen. Autoritetet më të larta të Kosovës i dënuan edhe sulmet me granata dore duke i cilësuar akte kriminale dhe terroriste.

Dëmtime pas hedhjes së granatave të dorësFotografi: Press office of the Kosovo Police

Sulmi në objektin komunal në Zveҫan brenda të cilit kishte edhe pjesëtarë të policisë, ndodhi vetëm disa orë pasi asambleistët në Kuvendin Komunal në Zveҫan shënuan me një seancë solemne përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe. Festa e pavarësisë së Shqipërisë nuk është festë zyrtare në Republikën e Kosovës, por shënohen aktivitete të shumta gjithandej vendit për nder të saj.

Rritje e masave të sigurisë në të gjithë Kosovën

Pas sulmeve të ditëve të fundit në veri, policia e Kosovës ngriti shkallën e sigurisë në nivel vendi, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Sipas njoftimit të policisë rritja e sigurisë po bëhet për të parandaluar incidentet e natyrave të ndryshme. "Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim. Planifikimet operative policore, do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në terren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dëmtime pas goditjes me granata doreFotografi: Press office of the Kosovo Police

Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se në fshatin Izvor të komunës së Zveçanit po ndërtohet një nënstacion i ri policor. Kjo nxiti kundërshtimin e përfaqësuesve të komunitetit serb. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ndërtimin e stacioneve të reja policore në veri e sheh si një mjet shtesë për siҫ thotë, “shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”.

Komuna e Zveçanit dhe tri komunat e tjera në veri,  ajo e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, që nga prilli i vitit 2023  udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët bojkotuan në shkallë të gjerë pjesëmarrjen në zgjedhje lokale. Kryetarët shqiptarë nuk pranohen nga shumica e qytetarëve që janë të përkatësisë etnike serbe.