Situata është qetësuar në Serbinë jugore
26 Shkurt 2008Përveç të dhënave të Shërbimit policorë të Kosovës për lëndimin e 19 policëve dhe 5 demonstruesve, Ministria Serbe e Punëve të Brendshme, akoma nuk është deklaruar për ngjarjet e djeshme. Derisa kanë munguar edhe reagimet zyrtare nga Beogradi, përfaqësuesit e subjekteve shqiptare e kanë dënuar protestën e djeshme të rezervistëve serbë.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, nuk ka mohuar të drejtën e çdo kujt për të protestuar në mënyrë të qetë, por i ka quajtur të papranueshme protestat e ish-militarëve, kur kihen parasysh ndodhitë gjatë luftës në Kosovë e më pas edhe në Luginën e Preshevës.
Sipas Halimit, nëse protestat e dhunshme vazhdojnë edhe më tej, faji kryesor bie në vetë qverinë serbe, e cila ditë më parë e quajti të drejtë dhe legjitime djegien e disa pikave doganore.
Sipas kryetarit të Lëvizjes Demokratike për Integrim, me seli në Medvegjë, Rexhep Abazi, edhe përkundër gjendjes së qetë në këtë komunë, protestat e djeshme kanë ngjallur një presion tek shqiptarët.
Vendkalimi kufitar Serbi-Kosovë , "Mutivodë ", ndodhet rreth 25 kilometra në jug të Medvegjës. Në këtë komunë 30 për qind e popullsisë është shqiptare. Pjesa dërmuese e shqiptarëve janë shpërngulur në Kosovë në vitin 1999, pas përmbylljes së fushatës ajrore të NATO-s në ish RFJ.