1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situata në Pakistan mebetet shqetësuese

Joachim Hagen8 Janar 2006

Me fillimin e dimrit është vështirësuar edhe gjendja në rajonin pakistanez që u trondit përpara tre muajsh nga një tërmet i fuqishëm. Por lajmi i mirë nga ky rajon është se ende nuk është përhapur ndonjë epidemi. Sidoqoftë organizatat ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimin e tyre se me mbarimin e misionit të NATO-s në fund të janarit, furnizimi me ushqim për banorët që jetojnë në zonat malore, do të bëhet pothuajse i pamundur.

Fotografi: AP

60 vjeçari Saim ka hedhur një shall të hollë supeve dhe po ecën në mes të dëborës në drejtim të Muzafarabadit, ku do të vizitojë të afërmit e tij. Fshati i Saimit ndodhet 12 km larg Muzafararbadit dhe u shkatërrua pothuajse krejtësisht nga tërmeti i fuqishëm. Shtëpia e tij u shkatërrua gjithashtu dhe djali i tij 7 vjeçar humbi jetën. Tani Saimi dhe familja e tij jetojnë prej muajsh në një çadër.

"Çadra na u prish nga dëbora. Po vras mendjen si do të mund të vazhdojmë kështu. Ne e kemi rregulluar disi çadrën, por fëmijët kanë shumë ftohtë" - tregon saimi.

Dëbora ka arritur deri në gju në fshatin e Saimit. Temperaturat bien gjatë natës nën 16 gradë. Megjithatë gjendja në fshatërat malore nuk është ende alarmuese, shpjegon zëdhënësja e Kryqit të Kuq në Musafarabad, Jessica Barry.

"Pas tri ditësh dëborë dhe ngricë, mund të depërtojmë sërish me helikopterë në këto zona. Dhe duhet të pohoj se gjendja nuk është aq dëshpëruese sa e kishim përfytyruar. Aty vërtet që ka shumë dëborë, por mesa duket banorët janë mësuar me këto kushte klimatike. Ata thonë se do t´ja dalin mbanë. Por problemi kryesor është se shumë çadra janë shkatërruar për shkak të peshës së dëborës. Tani banorët kërkojnë mure prej llamarine, që të mbrohen më mirë nga i ftohti."

Në fillim të muajit shkurt do të përfundojë misioni i NATO-s në Pakistan dhe me të do të largohen edhe 90 helikopterët që janë stacionuar në këto zona. Por ndonëse gjendja e banorëve është tepër shqetësuese, zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze Shaukta Sulltan, mendon se vendi nuk ka më nevojë për ndihmën e helikopterëve të NATO-s.

"Mendoj se helikopterët nuk kanë më shumë punë këtu. Ne i kemi rregulluar ndërkohë rrugët dhe mundemi t´i furnizojmë vetë banorët e zonave malore. Helikopterët e NATO-s na ndihmuan shumë, sepse ata furnizuan disa rajone. Por fakt është se ato do të largoheshin dikur. Ne do t´ja dalim vetë mbanë, kur të largohet NATO", shpjegon Sulltan.


Qeveria pakistaneze plotëson me këtë qëndrim kërkesat e opozitës fundamentaliste, e cila proteston ashpër kundër prezencës së NATO-s dhe sidomos amerikanëve në vend. Por sipas Shaukta Sulltanit, qeveria pakistaneze ka filluar bisedimet me disa shtete perëndimore, për stacionimin e helikopterëve të ushtrive të tyre në disa rajone pakistaneze. Gjermania është një ndër këto shtete.