1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skadon ultimatumi i talebanëve, Shtajnmajer pro angazhimit në Afganistan

27 Korrik 2007

Ministri i jashtëm gjerman, Shtajnmajer është shprehur sot për vazhdimin e angazhimit të fortë të Gjermanisë në Afganistan. Gazetës "Sächsischer Zeitung", Shtajnmajer i tha se ajo që është arritur në pesë vitet e fundit në aspektin social dhe atë të rindërtimit nuk duhet të dorëzohet për shkak të ngjarjeve tragjike si rasti i fundit i pengjeve gjermanë. Ndërkohë në dramën e pengjeve koreanojugore ka skaduar edhe një ultimatum tjetër i talebanëve dërguar Seulit, për lirimin e 22 pengjeve koreano-jugore. Qeveria koreane kishte afat deri të premten në mesditë, sipas kohës së atjeshme, për lirimin e luftëtarëve të arrestuar talebanë. Në rast të mosplotësimit të kërkesës pengjet i kërcënon vdekja. Një peng është vrarë të mërkurën. Qeveria e Seulit ka dërguar në Afganistan një këshilltar të presidentit Roh Moo Hyun. Lidhur me inxhinierin gjerman, ende të rrëmbyer nuk ka zhvillime të reja. Sekretari i shtetit në Ministrinë e jashtme, Gernot Erler deklaroi se po zhvillohen negociata të komplikuara dhe se qeveria gjermane nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me pengjemarrësit: "Fjala është për kontakte indirekte, të zhvilluara nga qeveria afgane. Ndërsa ne jemi në kontakte të përhershme me qeverinë afgane. Bisedimet janë intensive por shumë të vështira", thotë Erler. Ndërkohë në Këln është duke u bërë autopsia e kufomës së inxhinjerit tjetër, por rezultatet priten nga fundi i javës së ardhshme.