Skandal i bujshëm në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën
20 Mars 2007Senca më e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po diskutohej për të ardhmen e Kosovës, u shoqërua me një skandal të bujshëm. Ambasadori rus pranë OKB-së Vitali Çurkin u largua në mënyrë demonstrative dhe dukshëm i zemëruar prej kësaj seance, pas raportimit të shefit të UNMIK-ut, Joakim Ryker, në lidhje me gjendjen në Kosovë.
Duke përdorur fjalë të ashpra Çurkini e akuzoi Rykerin përpara gazetarëve se nuk është i paanshëm. Ai e akuzoi Rykerin se po bëhet avokat për pavarësinë e Kosovës. Deklaratat e Rykerit ishin "tejet të njëanshme dhe nuk i hynin në punë askujt", - tha Çurkini. Në vend që të diskutonte për të ardhmen e Kosovës, Rykeri "predikonte" për pavarësinë, tha ambasadori rus pranë OKB-së. Çurkin theksoi se për shkak të paanshmërisë së Rykerit nuk mund të rrite pa reaguar në Këshillin e Sigurimit. Më pas ai e quajti largimin e tij si diçka normale, duke thënë se atij i duhej të shkonte në një takim tjetër, ndërkohë që punimet e seancës së KS i kishte ndjekur zëvendësi i tij.
Rykeri vetë i hodhi poshtë akuzat për njëanshmëri. Ai tha se vetëm kishte bërë të qartë që Këshilli i Sigurimit duhet të marrë së shpejti një vendim në lidhje me të ardhmen e Kosovës, sepse për këtë janë duke pritur edhe banorët e Kosovës.
Rusia nuk është dakord as me planin e paraqitur prej Ahtisarit për një pavarësi të kufizuar të Kosovës. Pas deklaratave të MPJ rus Sergei Lavrov, edhe Çurkini e akuzoi Ahtisarin se e ka kapur problemin së prapthi, dhe se "në vend që të bazohet tek mirëkuptimi dhe rënia dakord për zgjidhje të pranueshme, ka startuar më herët se sa duhet me planin e tij dhe ka filluar të mbrojë idenë e pavarësisë së plotë të Kosovës."
SHBA-të e hodhën poshtë kërkesën e Rusisë për ta zëvendësuar të dërguarin e posaçëm të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari. Zëdhënësi i MPJ amerikane Sean McCormack tha se "sipas tij zoti Ahtisari po e kryen mirë punën e vet në këtë çështje të vështirë."
Edhe pala kosovare e hedh poshtë idenë e vazhdimit të bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës, duke i konsideruar si shterruese bisedimet e deritanishme dhe si të përfunduar dialogun me Serbinë.
Nisur prej qëndrimit zvarritës dhe bllokues të palës ruse ndaj idesë së një pavarësie të kufizuar të Kosovës, ish i ngarkuari i SHBA-ve për Ballkanin, Riçard Hollbruk, tha se në Kosovë mund të ketë sërish shpërthim të dhunës. "Në rast se rusët do të shkaktojnë një zvarritje të planeve të OKB-së, do t'i zbusin ato, ose do të vënë veton kundër tyre, atëhere dëshira e gjatë e shqiptarëve të Kosovës për një pavarësi sa më të shpejtë, do të shndërrohet në dhunë" - theksoi Hollbruk gjatë një takimi ndërkombëtar në Bruksel. Ai u bëri thirrje edhe trupave të KFOR-it që të përgatiten për një zhvillim të tillë. "Rusët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat e qëndrimit të tyre në Nju-Jork", theksoi ish i ngarkuari i SHBA-ve për Ballkanin, i cili vetë është i mendimit se në rrethanat aktuale plani i Ahtisarit është zgjidhja më e mirë.