1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skena kulturore në Armeni

2 Nëntor 2011

Të ardhura minimale, çmime në rritje, manipulime në zgjedhje dhe korrupsion. Opozita në Armeni thotë se këto janë ndër problemet më të mëdha të vendit. Ndër kritikët më të mëdhenj janë edhe artistët.

Rrjeti kulturor.
Rrjeti kulturor...Fotografi: DW

Rruga me veturë prej Bangladeshit deri në qendër të Jerevanit është e gjatë rreth 20 minuta. Bangladeshi, siç thonë këtu, është një zonë ku jetojnë ata të cilët nuk kanë para për të jetuar në qendër të kryeqytetit. Në mesin e godinave të larta të qytetit, ekziston edhe një qendër kulturore ku mblidhet avangarda e artistëve dhe merr pjesë në një projekt treditor ndërkombëtar.

"Është me rëndësi që këtu të kemi një skenë ndërkombëtare. Ne kemi një gjeneratë të re të etur për çdo lloj informacioni", thotë organizatorja Eva Khachatryan, e cila ka ftuar mysafirë edhe nga Gjeorgjia dhe Gjermania.

Problemet dhe sfidat

Ata njoftohen me problemet dhe sfidat me të cilat përballen njerëzit në Armeni: korrupsionin shtetëror, mungesën e të drejtave të njeriut dhe problemet në arsim dhe art.

"Ne jemi një lloj patirotësh. Situata tek ne është bukur e keqe, por shumica e artisëve dhe kritikëve janë të angazhuar edhe politikisht. Kjo është jeta jonë. Nuk mund të them se kjo është vetëm puna ime - kjo është jeta ime!", pohon ajo.

Eva KhachatryanFotografi: DW

Pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik kanë lindur shumë ide, por shumë prej tyre janë zhdukur shumë shpejt, për shkak të problemeve të mëdha financiare. Shteti nuk i ka ndihmuar kurrë këto iniciativa, por ka dhe të tillë që nuk i duan ndihmat e shtetit.

Barra sovjetike

Artistja Susanna Gyulamiryan mendon se është mirë që të ruhet një distancë ndaj shtetit.

"Ne me vete bartin shumë gjëra nga e kaluara, nga koha sovjetike. Ndonëse kemi një opozitë dhe rryma të ndryshme të artit, që janë në kundërshtim me isntitucionet tradicionale, edhe më tej kultivohet një lloj qëndrimi nacionalist. Ata që nuk punojnë në këto korniza, dalin jashtë rrjedhave shoqërore dhe artistike", thotë ajo.

Artistët këtu nuk kanë një qëndrim të përbashkët ndaj përzierjes së shtetit. Por është e qartë që Armenia ka nevojë për struktura alternative. Në këtë aspekt mund të ndihmojë bashkëpunimi me vendet tjera. Një prej këtyre projekteve realizohet në bashkëpunim me Gjermaninë.

Rrjeti Ameni - Gjermani.Fotografi: DW

Wibke Behrens ka ardhur nga Berlini për t'u njoftuar me mundësitë e bashkëpunimit. Edhe ajo ka mundur të konkludojë se shumë gjëra në këtë qytet janë të njëjta me ato në Berlin.

Një prej monumenteve më të njohura është ai nga koha e kaluar sovjetike, muzeu "Cafesjian-Center". Kjo godinë në qendër të qytetit është më e lartë se 300 metra, me një permendore madhështore përpara. Një sipërmarrje e madhe amerikano - armene prezanton këtu pasuritë e veta artistike.

Me qëllim është vendosur që një pjesë e projektit të zhvillohet në këtë objekt, ku janë mbledhur organizatorët dhe mysafirët nga Instituti Goethe. Ka ardhur madje dhe një përfaqësuese e ministrisë armene të kulturës. Shumë shpejt edhe këtu hapet një debat i gjallë për artin dhe rolin e shtetit.

"Other Possible World"

Ka momente kur ky projekt të duket si një lloj utopie. Eva Khachatryan thotë se ka pasur rastin të njoftohet edhe me skenën kulturore në Berlin. Qëllimi i saj është krijimi i një: "Other Possible World" - bote tjetër të mundëshme. Deri tani janë paraqitur projekte të ndryshme bashkëpunimi.

Qendra e kryeqytetit.Fotografi: DW

Tani është krijuar edhe një rrjet mes Gjermanisë dhe Armenisë. Qëllimet e rrjetit janë shkëmbimi i përvojave dhe krijimi i një biblioteke, që do të plotësonte zbraztësirën e madhe të informacioneve. Eva Lhachatryan thotë se ata kaherë duan të krijojnë një bibliotekë të këtillë. Me ndihmën e Berlinit ajo mund të ketë sukses. Por Eva Khachatryan mendon se duhet shkuar edhe një hap më larg dhe duhet kërkuar mbështetjen e ministrisë së kulturës në vendin e saj.

"Nuk e di nëse me një seminar të këtillë mund të ndërtohet shoqëria civile në vendin tonë. Por kolegët e mi dhe unë punojmë për dhjetë vite me radhë dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë. Ne jetojmë në këtë vend dhe nuk duam të largohemi. Projektet e këtilla na ndihmojnë që të krijojmë diçka që ka kuptim!", thotë ajo.

Autor: Aya Bach / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW