Sllovaki: Një njëqindvjeçare lufton kundër heqjes së shtetësisë
27 Korrik 2013Hallë Ilonka kurrë nuk është larguar nga zona, ku ka lindur, dhe megjithatë ka jetuar në pesë pesë shtete dhe ka ndërruar shtatë herë shtetësinë. Ajo u lind në vitin 1912 në fshatin Várgede si qytetare e Mbretërisë Hungareze. Fshati ndodhet në rajonin Gemer. Në shekullin e kaluar fshati i përkiste herë Hungarisë, herë Çekosllovakisë, sot ai është pjesë e Sllovakisë.
Identiteti i saj hungarez ka patur gjithmonë shumë rëndësi për Ilonkën. Prandaj në fund të jetës së saj ajo donte të kishte përsëri në dorë nënshtetësinë hungareze. Një dëshirë shumë personale dhe thjesht simbolike, që ajo e plotësoi pak para se të mbushte 100 vjeç. Këtë e mundësoi një ligj hungarez i vitit 2010, përmes të cilit hungarezët, që jetojnë jashtë shteti, mund të marrin pa vështirësi shtetësinë hungareze.
Shpresë për ndihmë nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë
Në dhjetor të vitit 2011 mori një letër nga policia në Rimavská Sobota, fshati i saj i lindjes. Ajo duhej të dorëzonte kartën e identitetit dhe pasaportën e saj, sepse ishte hequr nga regjistri i shtetasve sllovakë. Hallë Ilonka u çudit dhe u zemërua. Që atëherë ajo lufton për të rimarrë shtetësinë e saj sllovake. Ajo i është drejtuar në mes tjerash Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. "Unë nuk dua të lë vendlindjen time", thotë ajo. "Gjithmonë kam patur dy identitete, një hungarez dhe një sllovak dhe dua të jem qytetare e të dy vendeve."
Ish mësuesja Ilona Tamás është bërë e njohur në Sllovaki dhe në Hungari si "Hallë Ilonka" dhe vuan pasojat e një ligji, i cili jo vetëm minoriteteve në Sllovaki, por edhe sllovakëve u duket shumë absurd. Amendamenti për shtetësinë, i miratuar në vitin 2010 nga parlamenti në Bratislavë, parashikon që qytetarët e Sllovakisë të humbasin automatikisht shtetësinë sllovake, nëse ata kanë shtetësi të vendeve të huaja. Në rast se ata ia fshehin këtë autoriteteve sllovake, përballen me një gjobë prej 3000 eurosh. Deri tani ka pasur rreth 500 raste të heqjes së nënshtetësisë.
Kushtetuta sllovake ndalon privimin nga shtetësia
Fillimisht ligji drejtohej kundër pakicës hungareze, një përgjigje ndaj një ndryshimi, që qeveria e kryeminisitrit hungarez Orbán i bëri ligjit për nënshtetësinë hungareze. Kjo ishte një fyerje simbolike për një pjesë të madhe të elitës politike sllovake. Shumë politikanë sllovakë dyshojnë se 460.000 hungarezët po bëhen gjithnjë e më shpesh një "kolonë e pestë" e Budapestit.
"Një shtet demokratik nuk duhet të ketë frikë, kur një pjesë e vogël e qytetarëve të tij kanë edhe një shtetësi tjetër", thotë Béla Bugár, kryetar i partisë "Most-Hid" (Ura-Partia e Bashkëpunimit), përfaqësuese parlamentare e pakicës hungareze në Sllovaki. Bugár thotë se kushtetuta sllovake ndalon shprehimisht që t'u hiqet qytetarëve shtetësia e vendit. "Kjo është arsyeja, pse ne kemi ngritur padi në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit të shtetësisë dhe presim vendimin", thotë Bugár.
Ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese Sllovake pritet prej një viti e gjysëm, tani është ndezur një debat i ri politik për këtë ligj. Parlamenti Evropian pas një vendimi të Komitetit të Peticioneve në fund të majit do të merret vetë me këtë temë. Në të njëjtën kohë parlamenti sllovak hodhi poshtë dispozitat e ndryshuara për dyshtetësinë.
Kryetari i partisë së koalicionit hungarez (MKP), József Berényi, thekson se Sllovakia nga ana e saj u ofron që nga viti 1997 sllovakëve, që jetojnë jashtë vendit, rimarrjen e shtetësisë së shtetit sllovak. "Një gjë e tillë shkel parimin e barazisë ligjore", thotë Berenyi.
Një herë medalje për merita, pastaj heqje e nënshtetësisë
Debati mbi ligjin tregon se sa vështirësi ka shteti sllovak me çështjen e pakicave edhe njëzet vjet pas krijimit të tij. Rreth dhjetë përqind e popullsisë sllovake janë hungarezë, për më tepër ata jetojnë në zona kompakte në Sllovakinë jugore përgjatë kufirit hungarez. Dikur rajoni i quajtur "Hungaria e Epërme", i përkiste Hungarisë. Pas Luftës së Parë Botërore me traktatin e Trianonit (1920) i kaloi Çekosllovakisë, nga vitet 1938-1945 u pushtua nga Hungaria, pas Luftës së Dytë Botërore u bë përsëri pjesë e Çekosllovakisë, që nga viti 1993 pjesë e Sllovakisë.
Edhe pse nacionalizmi i ish kryeministrit Vladimir Meciar i viteve 1990 i takon së kaluarës, edhe kryeministri aktual socialdemokrat, Robert Fico, deklaroi në një fjalim në muajin shkurt se Sllovakia e pavarur nuk është themeluar për pakicat, por në rradhë të parë për kombin shtetformues të sllovakëve.
Hungarezja sllovake Ilona Tamas ka bërë shumë në jetën e saj për Sllovakinë. Në rradhë të parë ajo ka mësuar breza të tërë fëmijësh. Për punën e saj si mësuese ajo ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë edhe Medaljen e Artë të Meritave për Sllovakinë në vitin 2006. Që shteti, i cili dikur e ka nderuar me medalje, sot i heq shtetësinë, asaj i duket absurde.
Ilona Tamas kishte dy vajza. Anikó pësoi infarkt nga ankthi dhe emocionet për heqjen e nënshtësisë së nënës së saj në vitin 2012 dhe vdiq gjashtë muaj më vonë. Që atëherë, Ilona Tamas është larguar pothuajse krejtësisht nga krahina e saj e lindjes. Ajo qëndron shpesh te vajza e saj e madhe Judit në Hungari. Tani ajo është duke pritur një vendim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në rastin e saj. "Unë kam qenë edhe një herë pa shtetësi, në vitet 1945-1948, dhe më është dashur të luftoj shumë për shtetësinë çekosllovake", thotë ajo. "Tani unë në shtëpinë time, ku kam punuar një jetë të tërë dhe kam paguar taksa, jam një person inekzistues. Ky është turp."