1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
EkonomiSllovaki

Sllovaki: Të huajt duhet të paguajnë më shumë

kna dpa
25 Mars 2026

Ndërsa Evropa po përballet me një krizë karburanti, Sllovakia kërkon që makinat me targa të huaja të paguajnë më shumë për naftën.

Automjet duke u mbushur me karburant
Kritika nga BE për modelin që aplikon SllovakiaFotografi: Rene Traut/Rene Traut Fotografie/picture alliance

Sllovakia po zbaton një sistem çmimesh të dyfishta për karburantet, i cili ka ngjallur mjafj diskutime. Që nga fillimi i kësaj jave drejtuesit e automjeteve me targa të huaja duhet të paguajnë 1.83 euro për litër naftë, rreth 26 cent më shumë se ata sllovakë. Kjo po shkakton irritim tek pikat e karburantit. Edhe Bashkimi Evropian ka paraqitur një ankesë për dyshime për diskriminim.

Me modelin e ri të çmimeve qeveria e kryeministrit Robert Fico synon të frenojë atë që quhet "turizëm karburanti”. Ditët e fundit disa pika karburanti, veçanërisht pranë kufirit me Poloninë, kanë mbetur pa karburant, sepse kishin ardhur shumë makina për t'u furnizuar në Sllovaki ku karburanti është më i lirë.

Qeveria e kryeministrit Robert Fico synon të frenojë "turizmin për karburant”Fotografi: Vaclav Salek/CTK/picture alliance

Në shkurt 2026 qeveria e Bratislavës shpalli "gjendje emergjence për naftën”. Kjo u shkaktua nga mosmbërritja e furnizimeve ruse me naftë përmes tubacionit Druzhba, i cili u dëmtua në janar nga një sulm rus në Ukrainë. Sipas qeverisë sllovake situatën po e përkeqëson edhe lufta në Lindjen e Mesme.

Zbritje gjatë pagesës

Mediat lokale raportojnë se modeli i ri i çmimeve po shkakton kaos në disa pika karburanti. Kjo sepse fillimisht edhe sllovakëve u shfaqet në monitorin e arkës çmimi i karburantit për të huajt dhe zbritja për ta aplikohet më pas gjatë pagesës. Operatorët e pikave të karburantit ankohen për punën shtesë që kjo sjell dhe për faktin se stacionet e vetëshërbimit po qëndrojnë të mbyllura deri në njoftim të mëtejshëm.

Kritika ka edhe nga Bashkimi Evropian. Gazeta ‘Hospodarske noviny' citon një zëdhënës të Komisionit, i cili tha se BE e konsideron modelin e ri diskriminues dhe të paligjshëm. Nga njëra anë kemi diskriminim të bazuar në shtetësi; nga ana tjetër dëmtohet edhe tregu i përbashkët europian.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW