1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëSllovaki

Sllovakia: Të gatshëm si mikpritës negociatash për Ukrainën

28 Dhjetor 2024

Sipas deklaratave zyrtare, Sllovakia është e gatshme të presë negociatat e mundshme për paqen në Ukrainë. Edhe Putin duket se është dakord.

Robert Fico shtrëngon duart me Putinin në Kremlin, pas tyre këshilltarë
Kryeministri sllovak Robert Fico dhe presidenti PutinFotografi: Artyom Geodakyan/TASS/IMAGO

Sllovakia ofrohet si vend mikpritës për negociata të mundshme të paqes për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.  "Nëse dikush dëshiron të organizojë bisedime paqeje në Sllovaki, ne do të jemi gati dhe do të tregohemi mikpritës”, deklaroi kryeministri,  Robert Fico në shërbimin online Facebook. Me sa duket, kryeministri sllovak Robert Fico e ofroi vendin e tij si vend bisedimesh gjatë vizitës së tij në Moskë të dielën e kaluar.

Edhe ministri i Jashtëm sllovak, Juraj Blanar njoftoi më parë se Sllovakia po ofronte "të zhvillonte negociata të tilla në tokën sllovake". Përfaqësuesit e të gjitha palëve në konflikt "dhe për rrjedhojë edhe Rusia”  duhet të marrin pjesë në këto bisedime, theksoi Blanar në Facebook.

Sllovakia bën pjesë tek një grup në rritje të vendeve anëtare të BE-së të Evropës Qendrore dhe Lindore, që paraqitet skeptike për mbështetjen ndaj Ukrainës së sulmuar nga Rusia dhe shprehet në favor të negociatave me Rusinë. Vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka kritikuar vazhdimisht Sllovakinë, e cila kufizohet me Ukrainën, për tonin e saj miqësor ndaj Rusisë.

Robert Fico dhe presidenti PutinFotografi: Artyom Geodakyan/TASS/IMAGO

Putin mirëpret propozimin sllovak

Ndërkohë edhe presidenti rus, Vladimir Putin është shprehur, se mund ta imagjinojë Sllovakinë si një pikë takimi për bisedimet e mundshme për përfundimin e luftës në Ukrainë. Të premteb ai deklaroi, se Sllovakia kishte propozuar të shërbente si një "platformë" për negociatat e paqes në Ukrainë. Putin e quajti propozimin "të pranueshëm" dhe vlerësoi "pozitën neutrale" të Sllovakisë. "Nëse shkon puna deri këtu, pse jo? Nga këndvështrimi ynë, Sllovakia zë një pozicion neutral", u shpreh Putin.

Kritika të forta nga opozita sllovake

Por në Sllovaki, komentet e Putinit shkaktuan kritika të forta nga opozita. Michal Simecka, kreu i partisë më të madhe opozitare sllovake, shkroi në Facebook: "Është absurde që dikush tjetër e jo qeveria jonë na informon për politikën e jashtme të Republikës Sllovake. (...) Tani edhe presidenti rus dhe krimineli Vladimir Putin. " Për ofertën drejtuar Putinit për të organizuar bisedime ruso-ukrainase në Bratislavë, Simecka bëri një kundërpropozim: "Nëse Fico dëshiron paqe, ai së pari duhet t'i bëjë thirrje Putinit të ndalojë sulmet e tij dhe të ndalojë vrasjen e njerëzve të pafajshëm në Ukrainë".

Kreu i partisë opozitare sllovake, Sllovakia Progresive, Michal SimeckaFotografi: Patrik Uhlir/CTK/picture alliance

Kryeministri Fico me vizitën e tij te Putini u kritikua si nga Ukraina, por edhe nga BE. Vizita kryesisht kishte të bënte me dërgesat e gazit. Ukraina do të ndalojë tranzitin e gazit rus në fillim të vitit të ardhshëm, gjë që shkakton probleme për Sllovakinë.

 

 

la/ag