1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Slloveni: ligj për të fshirët nga listat e vendbanimit

11 Prill 2009

Brenda dy muajve të ardhshëm Sllovenia pritet të miratojë ligjin me të cilin pjesërisht do të përmirësohet padrejtësia ndaj personave të cilët në vitin 1992 janë fshirë nga lista e vednbanimit.

Pamje nga Ljubljana, Slloveni
Pamje nga Ljubljana, SlloveniFotografi: transit-Archiv

Sa për kujtesë: pas shpalljes së pavarësisë në pranverën e vitit 1991, Sllovenia u pat ofruar nënshtetësinë qytetarëve të ish-Jugosllavisë të cilët kishin vendbanim në shtetin e sapokrijuar. Ndërkohë që këtë të drejtë e patën shfrytëzuar më shumë se 170 mijë vetë, rreth 25 mijë të tjerë nuk e patën marrë nënshtetësinë dhe në shkurt të vitit 1992 pa asnjë paralajmërim janë fshirë nga listat e vendbanimit. Sekretari i shtetit në ministrinë e jashtme të Sllovenisë Goran Klemençiç, thotë se qeveria e Sllovenisë tani është e vendosur të miratojë ligjin: "Gabimi është bërë dhe ai duhet të përmirësohet. Ky gabim ka qenë moral dhe juridik".


Megjithatë në ligj nuk do të futet asnjë dispozitë për pagimin e ndonjë dëmshpërblimi të mundshëm atyre personave të prekur që si pasojë kanë mbetur pa punë, pa sigurim social dhe shëndetësor, pra pa të drejtat themelore të njeriut: "Deri tani siç e dini nuk ka patur dëmshpërblime. Unë si jurist dhe jurist me përvojë, mund t'ju them se dëmshpërblim nuk do të ketë edhe për një kohë shumë të gjatë, nëse ndiqet rruga gjyqësore".


Nisveta Lovec, një prej personave të fshirë nga listat e vendbanimit, paralajmëron megjithatë se do të kërkojë dëmshpërblim nga shteti slloven edhe pse ndërkohë ka arritur të zgjidhë problemin e nënshtetësisë. Nëna që përkujdeset vetë për tre fëmijët e saj, rrëfen për Dojçe Vellen se si në vitin 1992 e ka kuptuar se ka qenë e fshirë nga lista e banorëve:


"Në sportel e kam kuptuar dhe aty më kanë asgjësuar edhe letërnjoftimin. Më kërkuan letërnjoftimin dhe kur ua dhashë gruaja që punonte në sportel më tha: "Ju nuk keni të drejtë që me këtë letërnjoftim të qarkulloni nëpër Slloveni". Unë u çudita dhe i thashë: Çfarë keni moj grua, ky është letërnjoftimi im e shihni se vlen deri në vitin 2000'. "Ju nuk keni asnjë të drejtë, shtoi ajo, dhe nëse vazhdoni të flisni do të thërras policinë e cila do t'ju shoqërojë përtej kufirit".


Mateuzh Krivic, përfaqësuesi ligjor i të drejtave të personave të fshirë nga lista e banorëve sllovenë, thotë për Dojçe Velen, se motivi kryesor për fshirjen e qytetarëve nga listat e banimit, ka qenë ksenofobia. Në mesin e 25 mijë persona të fshirë nga lista, rreth 5000 kanë qenë të mitur ndërsa mbi 10 mijë kanë qenë të gjinisë femërore. Ky argument mjafton për të hedhur poshtë arsyetimin e politikanëve slloven, se personat e fshirë nga lista kanë qenë kryesisht agresorë dhe spekulantë. Shumica e të tyre sot nuk jetojnë më në Slloveni pasi i kanë detyruar të largohen.


Në Slloveni ende ekziston iniciativa për krijimin e një komisioni për zbardhjen e së vërtetës, i cili përfundimisht do të informonte opinionin për numrin e saktë të personave të fshirë nga lista e banimit dhe ndoshta, edhe se ideja e kujt në kreun e shtetit slloven ka qenë ajo.


Autor: Dinko Gruhonjić/Esat Ahmeti


Redaktoi: Eliana Xhani