Snowden - Letër drejtuar qeverisë gjermane
1 Nëntor 2013Në Berlin pritet sot me kërshëri një letër e Edward Snowden drejtuar qeverisë gjermane, Bundestagut dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Gjermanisë. Këtë letër e ka sjellë nga Moska deputeti i Partisë Ekologjike Hans-Christian Ströbele, i cili u takua aty të enjten me Edward Snowden. Sipas deputetit gjerman Snowden është i gatshëm në parim që të shprehet rreth veprimtarisë së përgjimit dhe të spiunazhit të Shërbimit Sekret Amerikan dhe për të ndihmuar hetimet në këtë aferë.
Largimi nga Rusia praktikisht i pamundur
Avokati i Snowden tha megjithatë se Snowden që është shtetas i SHBA-së nuk mund të largohet nga Rusia, sepse rrezikon statusin e azilantit që gëzon atje. Por ish-eksperti i zbulimit amerikan Edward Snowden mund të merret në pyetje në lidhje me përgjimin e kancelares gjermane Angela Merkel në Rusi. Përfaqësues të Prokurorit të Përgjithshëm mund t'ia drejtojnë atij pyetjet me shkrim, ose të takohen me të drejtpërdrejt në Rusi. Kështu njoftoi sot Agjencia e lajmeve Interfax duke cituar qarqe që kanë njohuri për situatën, por pa i përmendur ato.
Çështja e marrjes në pyetje mund të zgjidhet mes dy shteteve, sepse një largim nga Rusia i Snowden-it është praktikisht i pamundur, sepse në këtë rast ai humbet statusin e tij azilantit.
Për shkak se Gjermania ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrëveshje për ekstradimin e qytetarëve për Snowden ardhja në Gjermani mund të jetë e rrezikshme, thuhet në raport.
SHBA - Përpjekje diplomatike
Ambasadori i SHBA-së në Berlin John Emerson filloi një ofensivë mediatike. Ai theksoi se marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA-vë janë të rëndësishme dhe kërkoi që të mos humbasë besimi ndaj vendit të tij. Në emisionin e mëngjesit në ZDF «heute journal» Emerson tha se tani duhet të shikojmë se si «të bashkëpunojmë me vështrim të drejtuar nga e ardhmja duke respektuar në shkallë të lartë sferën private dhe duke garantuar njëkohësisht sigurinë e qytetarëve tanë».
Më shumë transparencë
Komisioni i Senatit amerikan për Shërbimet Sekrete votoi të enjten me njëmbëdhjetë vota pro dhe katër kundër një projektligj që kërkon nga më shumë transparencë në këtë fushë. Kështu Shërbimi Sekret duhet të paraqesë një raport vjetor për hetime që bazohen në të dhënat e NSA-së. Por kritikët e shohin këtë projekligj vetëm si një gjethe fiku me të cilin nuk korrigjohet ndërhyrja e NSA në sferën private të miliona qytetarëve.