1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Soçi - Lojërat e Ftohta Dimërore të Vladimir Putinit

Alois Berger / Esat Ahmeti19 Dhjetor 2013

Pas anulimit të politikanëve të rangut të lartë, ish-atletë të shquar homoseksual njoftojnë për pjesëmarrjen e tyre në Soçi. Kjo mund të mos i pëlqej Vladimir Putinit.

Olympische Winterspiele Sotschi Russland Symbolbild Puppe
Fotografi: picture-alliance/dpa

Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi do të bëjnë që të shkëlqejë Rusia. Kjo është aq e rëndësishme për Vladimir Putinin sa që ai ka muaj që udhëton rregullisht vetë në Soçi për të kontrolluar ecurinë e punimeve. Çdo gjë duhet të jetë gati në kohë, nuk duhet të ndodhë asnjë e papritur, këto lojëra duhet të jenë një lloj kurorëzimi i sundimit të tij. "Natyrisht, këto do të jenë lojëra për propagandë," thotë Jens Siegert nga zyra në Moskë e Fondacionit Heinrich Böll. Ka vite që Siegert përcjell nga afër përgatitjet për këto lojëra olimpike: "Lojërat përdoren për të treguar politikën e Putinit dhe vetë Putinin në një dritë sa më të mirë." Por jo çdo gjë mund të planifikohet, ka disa javë që arrijnë lajme jo të këndshme, të cilat mund të zbehin shkëlqimin e tyre.

Fakti që presidenti gjerman Joachim Gauck dhe presidenti francez Francois Hollande kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre në hapjen e këtyre lojërave mund të mos i ketë pëlqyer Putinit. Edhe pse të dy presidentët deri tani nuk kanë arsyetuar mospjesëmarrjen e tyre, indirekt kanë lënë të kuptohet se refuzimet e tyre kanë të bëjnë me gjendjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe ligjet kundër homoseksualëve në mënyrë të veçantë. Në mënyrë të qartë është shprehur komisionerja e BE-së, Viviane Reding: "Unë me siguri që nuk do të shkojë në Soçi, për aq kohë sa minoritetet do të trajtohen në këtë mënyrë nga qeveria aktuale ruse".

Në foto, Gauck dhe HollandeFotografi: REUTERS

Manovrat e Obamës

Një formë më elegante të anulimit e ka zgjedhur tani presidenti amerikan Barack Obama. Qeveria e tij nuk do të dërgojë politikanë të rangut të lartë, thuhet në Uashington, duke lënë të nënkuptohet në këtë mënyrë se pjesëmarrja e Obamës nuk ka qenë e planifikuar nga fillimi. Mungesa e vetë Obamës u arsyetua gjithashtu edhe me probleme të planifikimit të termineve. Megjithatë, edhe pse presidenti i SHBA-së nuk ka shprehur hapur kritika për gjendjen e të drejtave të njeriut në Rusi prapëseprapë ai dërgon një mesazh të qartë: Shtëpia e Bardhë dërgon për ceremoninë e hapjes dhe mbylljes në Soçi, ish-atletë të cilët shfaqin hapur homoseksualitetin e tyre. Ish-lojtarja e tenisit e klasit botëror, Billie Jean King ka vite që angazhohet si aktiviste për të drejtat e homoseksualëve. Kështu që pritet që në Soçi ajo të thotë diçka edhe për ligjet diskriminuese të homoseksualëve.

Por është mjaft e diskutueshme nëse mesazhi amerikan do të arrijë tek popullata ruse."Ky legjislacion është shumë, shumë popullor këtu në Rusi dhe mbështetet si i drejtë nga një numër shumë i madh i njerëzve", mendon Jens Siegert nga Fondacioni Heinrich Böll. Kjo është arsyeja pse shumë rusë nuk mund të imagjinojnë që kritikat për ndalimin e skenave publike të homoseksualëve janë serioze ". Njerëzit besojnë se pas tyre ka motive të tjera, pikërisht për të mbajtur Rusinë të vogël, në mënyrë që Rusia mos të jetë shumë e rëndësishme."

Në foto, Billie Jean KingFotografi: Getty Images

Sporti është sport dhe politika është politikë

Andreas Schockenhoff, deputet i Unionit Kristiandemokrat (CDU) dhe koordinator për bashkëpunim ndër-shoqëror gjermano-rus, mendon se protestat në Lojërat Olimpike do të ishin mjeti i gabuar në vendin e gabuar: "Do të ishte gabim që të kërkohet një moment, edhe pse ai premton shumë vëmendje, por ku bisedimet nuk kanë fare pasoja." Kushdo që dëshiron të ndryshojë diçka në politikë ai duhet të tregohet shumë i durueshëm, thotë deputeti kristiandemokrat: "Lojërat Olimpike janë në radhë të parë një festë sportive, e cila nuk duhet të mbingarkohet me çështjet politike."

Megjithatë ndarja e politikës dhe sportit mund të jetë më e theksuar se sa që presin nikoqirët në Rusi. Pas anulimeve nga Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Brukseli edhe në kryeqendra të tjera të botës po diskutohet gjithnjë e më shumë se kush duhet dhe kush nuk duhet të shkojë në Soçi. Në këtë mënyrë lojërat dimërore të Putinit mund të bëhen politikisht të ftohta.

Protesta kundër PutinitFotografi: picture-alliance/dpa
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW