1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Socialdemokratët dhe konservatorët dakord për negociata koalicioni

Naomi Conrad / E. Xhani18 Tetor 2013

Pas raundit të tyre të tretë paraprak, përfaqësues nga Partia Socialdemokrate (SPD) dhe Unioni Kristiandemokrat-Kristiansocial i rekomanduan partive të tyre fillimin e negociatave për krijimin e një koalicioni qeverisës.

Fotografi: Reuters

Takimi të enjten (17.10.) mes përfaqësuesve të SPD dhe Unionit përfundoi shumë shpejt: pas vetëm rreth dy orësh e gjysëm negociatash mes negociatorëve nga SPD, CSU dhe CDU nga qarqet negociuese erdhi njoftimi se delegacionet duan t'u rekomandojnë partive të tyre fillimin e bisedimeve për një program të përbashkët qeverisës.

Vendimi që negociatat kanë kuptim është miratuar njëzëri, tha kryetari i socialdemokratëve Sigmar Gabriel për gazetarët. Ekziston me siguri një bazë e përbashkët për të filluar negociatat për koalicion, deklaroi politikani socialdemokrat. Gabriel theksoi megjithatë se bisedimet paraprake nuk zëvendësojnë në asnjë mënyrë negociatat për koalicionin dhe një program të përbashkët qeverisës.

Kryetari i SPD Sigmar Gabriel me delegacionin e tij në raundin e tretë të bisedimeve paraprake për koalicion me konservatorët.Fotografi: picture-alliance/dpa

Nuk janë shënuar ende rezultate konkrete negociatash, tha Gabriel. Ai u shpreh megjithatë optimist: pas tre raundesh paraprake tek socialdemokratët është krijuar përshtypja "se në të gjitha çështjet e kontestuara mund të arrihen rezultate".

Asnjë informacion konkret për pagën minimale

Lidhur me pyetjet për tema veçanërisht të kontestuara, si p.sh. vendosja e një page minimale, e vlefshme për gjithë Gjermaninë, prej 8,50 eurosh ora, politikani socialdemokrat nuk pranoi të përgjigjej. Vendosja e një page minimale të njësuar ishte një nga temat qendrore të fushatës elektorale të socialdemokratëve dhe konsiderohet si kushti qendror i SPD-së për hyrjen në koalicionin qeverisës me konservatorët.

Në takimin e dytë paraprak mes Unionit dhe SPD të hënën (14.13.'13), ekzistonin ende diferenca të mëdha dhe qendrime të ndryshme lidhur me temën e pagës minimale dhe çështjen e rritjes së tatimeve. Pas dështimit të martën (15.10.) të bisedimeve paraprake mes Unionit dhe ekologjistëve, të cilat u zhvilluan paralelisht me ato mes Unionit dhe socialdemokratëve, kryetari i CSU-së Horst Seehofer, sinjalizoi gatishmëri për kompromis në temën e pagës minimale dhe politikën për refugjatët.

Negociatat për koalicion javën e ardhshme?

Edhe sekretarët e përgjithshëm të CSU dhe CDU nuk pranuan të jepnin më shumë informacione për vendime konkrete. U njohëm me prioritetet e palës tjetër, deklaroi politikani kristiandemokrat Hermann Gröhe. Vendime konkrete do të merren vetëm në negociatat për koalicionin, të cilat pritet të fillojnë javën e ardhshme, tha Gröhe. Ai nuk deshi të jepte një plan kohor për negociatat por theksoi se bisedimet duhet të zhvillohen "pa vonesa".

Sipas sekretarit të përgjithshëm të CSU-së Alexander Dobrindt partnerët në negociata janë të një mendje se temat rritje ekonomike dhe stabilitet financiar dhe punësim duhet të jenë "detyrat kryesore" të periudhës së ardhshme legjislative. Ai u shpreh optimist se për problemet mund të gjehen zgjidhje të përbashkëta, të cilat të fiksohen në marrëveshjen e koalicionit.

Vendimi përfundimtar për fillimin e negociatave të koalicionit është megjithatë në dorën e anëtarëve të partive përkatëse: baza e SPD-së do të këshillohet në kuvendin e partisë të dielën (20.10.) për negociata të mundshme koalicioni. Ndërsa tek CDU është planifikuar për të premten (18.10.) një konferencë me telefon e kryesisë federale.