Solana: Edhe 4 muaj negociata Prishtinë - Beograd dhe pastaj vjen zgjidhja e statusit
10 Korrik 2007Duhet të ketë edhe një periudhë tjetër këshillimesh Prishtinë Beograd prej rreth 120 ditësh para se të vendoset për statusin. Ky duket se ishte përfundimi kryesor i bisedimeve ndërmjet sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, Havier Solanës.
Një vendim i tillë i është bërë i ditur sot dhe do t’i përsëritet nesër edhe delegacionit të lartë kosovar, i përbërë nga nga presidenti Sejdiu dhe kryeministri Çeku.
Duke pohuar nevojën e rifillimit të negociatave Prishtinë - Beograd, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara nënvizoi po ashtu se çdo shtyrje e mëtejshme e vendimit për statusin e Kosovës do të vëjë në pikëpyetje rezultatet e arritura deri më sot jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe më gjërë. Me këtë rast ai i bëri thirrje si Prishtinës dhe Beogradit të ruhen nga ndërmarrja e një vendimi të njëanshëm, të nxituar dhe të papjekur, i cili do ta komplikojë edhe më shumë zgjidhjen e kësaj çështjeje, edhe me kaq tejet e ndërlikuar.
Çështja e Kosovës është njëri nga problemet më të rëndësishme me të cilat po ndeshen Kombet e Bashkuara gjatë këtyre kohëve të fundit – pohoi zyrtari i lartë i OKB-së. Ai pranoi se kohët e fundit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është konstatuar një mungesë përparimi në zgjidhjen e këtij poblemi në bazë të propozimeve të të dërguarit të posaçëm të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisarit. "Mendimi mbizotërures është se çdo zgjatje e mëtejshme e zgjidhjes së statusit do të vëjë në rrezik stabilitetin e Ballkanit por edhe unitetin e BE-së. Dhe uniteti i BE-së ndaj kësaj çështjeje ka një rëndësi themelore, dhe i bëj thirrje BE-së që të marrë një rol vendimtar në këtë proces," deklaroi Ban Ki Mun.
Nga ana e tij shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana pasi përsëriti se Bashkimi Europian është tashmë i gatshëm për të dërguar misionin e tij në Kosovë por për këtë ka nevojë për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bëri thirrje për rihapjen e negociatave të reja Prishtinë - Beograd. "Një periudhë tjetër diskutimesh do të jetë e nevojshme ndërmjet palëve, dhe pas kësaj periudhe duhet të vijë vendimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së" –
tha ai.
Solana pohoi më pas se në projekt – rezolutën e fundit paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së bëhet fjalë fjalë për një periudhë negociatash shtesë prej 120 ditësh, pra rreth 4 muajsh. Duke u shprehur në favor të rifillimit të negociatave, zyrtari i lartë i BE-së nënvizoi po ashtu se nuk mbështet diskutimet e pafundme, por brenda një limiti të caktuar kohor.
Këto deklarata paraprinë takimin që Solana do të mbajë sot pasdite me shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç dhe nesër me delegacionin kosovar të përbërë nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim çeku. Presidenti kosovar bisedoi sot për rreth 30 minuta me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun. Me këtë rast u bë e ditur se pala kosovare mund të pranojë zgjatjen e bisedimeve edhe për 4 muaj të tjerë, me kushtin e mosprekjes së propozimeve që përfshihen në pakon e Marti Ahtisarit.