1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sondazhi: Ukraina të vendosë vetë kur të fillojë negociatat

5 Mars 2023

Shumica e gjermanëve janë të mendimit, se Ukraina duhet të vendosë vetë, se kur do të fillojë negociatat me Putinin. Vetëm një pakicë pret që Ukraina të japë territore për paqen.

Ukraine Krieg Front Horlivka
Fotografi: Oleksandr Ratushniak/REUTERS

Edhe 1 vit pas fillimit të luftës, më 24 shkurt 2022 fundi i saj nuk duket pranë. Qytete të panumërt janë shkatërruar, mijëra e mijëra të vdekur, të plagosur nga të dyja palët. Rusia mban të pushtuar një të pestën e territorit ukrainas, Putini dëshiron më shumë. Nga ana tjetër presidenti ukrainas, Zelensky kërkon të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia, përfshirë edhe Gadishullin e Krimesë. Por edhe lufta e Ukrainës do të marrë fund një ditë - në tryezën e negociatave. Cilat do të ishin premisat për dhënien fund të luftës? Këtë pyetje shtruan studiuesit e infratest-dimap me porosi të "Tagesthemen", televizionit të parë gjerman tek 1311 gjermanë me të drejtë vote. Shumica e të pyeturve 73% ishte e mendimit, se Ukraina duhet të vendosë vetë se kur do të hyjë në negociata me Rusinë. Ky vendim nuk duhet të ndikohet nga SHBA dhe Europa. Kështu shprehen parimisht përkrahësit e të gjitha  partive, mbështetjen më të madhe për këtë e shprehin përkrahësit e Të Gjelbërve, 83%.

Ushtar ukrainas në frontin e luftës HorlivkaFotografi: Oleksandr Ratushniak/REUTERS

Frikë se Gjermania mund të përfshihet në luftë

Studiuesit e opinionit kanë pyetur edhe nëse Ukraina do duhet të lëshonte territore për të arritur paqen me Rusinë. Vetëm një pakicë, 35% janë të mendimit, se Ukraina duhet t'i hyjë një ujdie të tillë. Ky qëndrim gjendet më shpesh tek përkrahësit e AfD-së, partisë së djathtë populiste (64%). Shumica- 54%- është kundër dorëzimit të territoreve. Sidomos përkrahës të Të Gjelbërve dhe SPD-së kanë këtë qëndrim. Megjithëse ka kaluar tronditja e thellë pas fillimit të luftës, sërish gjermanët janë të shqetësuar për ndikimin e luftës në jetën private. 58% kanë frikë, se Gjermania mund të përfshihet në një luftë. Ndërsa 69% e të anketuarve besojnë, se gjendja ekonomike e Gjermanisë mund të përkeqësohet.

Javën e kaluar ka pasur shumë debate në Gjermani në lidhje me furnizimin me armë të Ukrainës. Njerëzit dolën në rrugë në 1-vjetorin e sulmit rus në Ukrainë për dërgimin e më shumë armëve por edhe kundër dërgimit të armëve në Ukrainë. Qytetarët gjermanë e shohin si të ekuilibruar furnizimin me armë të Ukrainës nga Gjermania (47%). Në të njëjtën kohën sundon qëndrimi, se përpjekjet e Gjermanisë për dhënien fund të luftës janë të pamjaftueshme (53%).

Scholz udhëton drejt SHBAFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Në kohë lufte për qytetarët ka rëndësi, se kush e drejton Ministrinë e Mbrojtjes. Prej më shumë se një muaji kjo ministri drejtohet nga Boris Pistorius, (SPD). Me mënyrën e tij të drejtpërdrejtë, të hapur dhe të vendosur Pistorius ka krijuar një lidhje të mirë me ushtrinë dhe brenda një kohe të shkurtër ka fituar shumë popullaritet mes gjermanëve. 52% e të anketuarve janë të mendimit se ministri i ri i Mbrojtjes bën një punë të mirë. Me ministren e Jashtme, Annalena Baerbock janë 47% e anketuarve të kënaqur, me Robert Habeck, 41%, kurse vetëm 38% janë të kënaqur me punën e kancelarit gjerman, Scholz. Në lidhje me vlerësimin e punës së qeverisë vetëm një e treta e të pyeturve shprehet pozitivsht, dy të tretat janë të pakënaqur.

Kreu i CDU, Friedrich MerzFotografi: Annegret Hilse/REUTERS

Vlera rekord për CDU/CSU

Nga kjo pakënaqësi përfiton opozita. Po të pyeteshin gjermanët, se cilën parti do të zgjidhnin, nëse do të kishte zgjedhje parlamentare parlamentare pas një jave, atëherë Unioni CDU/CSU do arrinte vlera rekord për të, me 31% të votave. Tre partitë në koalicionin qeveritar duhet të llogarisnin me humbje. SPD do të merrte vetëm 18% të votave, Të Gjelbrit 17%. Edhe liberalët, FDP do humbisnin dhe do të merrnin vetëm 6% të votave. Vlerat e AfD-së nuk do të ndryshonin, kjo parti do merrte 14% të votave.