Sorensen - dialogu duhet të vazhdojë
14 Janar 2026
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, tha se ai do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedimet e nivelit të lartë, në përpjekje për t'i normalizuar marrëdhëniet. Këtë deklaratë Sorensen e bëri pas takimeve të ndara që zhvilloi në Prishtinë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Sorensen tha shkurt se ai "ka shpresa që viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.
"Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, udhëtimin e parë të vitit. Pos Vitit të Ri, ju uroj edhe për zgjedhjet që vetëm sa i keni mbajtur. Presim që të krijohet Parlamenti e të themelohet Qeveria. Por, sigurisht ne punojmë për çështjet e dialogut që i kemi para nesh. Personalisht kam shpresa të mëdha që viti 2026 të na japë atë që viti 2025 nuk bëri. Dhe për këtë arsye e nisa vitin me udhëtim pune këtu e më pas do të shkojë edhe në Beograd”, tha Sorensen.
Sorensen shpreson të mbahet takim i nivelit të lartë
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, shpreson se do të ketë takim të nivelit të lartëKosovë-Serbi kur të jetë koha e duhur.
"Ajo që ne do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bota me rolin e lehtësuesit të dialogut. Të sigurohemi që palët të ulen e të flasin. Duhet të gjejmë mënyrë që të bëjmë këtë. Përfaqësuesja e Lartë i ka vizituar si Beogradin ashtu edhe Prishtinën vitin e kaluar dhe aty kemi pasur zotime se do të ketë takim kur të jetë koha e përshtatshme”, tha Sorensen.
Pas Prishtinës, ndërmjetësuesi i dialogut viziton edhe Beogradin në përpjekje për të çuar përpara procesin e dialogut. Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak sulmit të një grupi të armatosur serbë ndaj Policisë së Kosovës në veri në shtator të atij viti.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, pas takimit me Sorensen theksoi në një komnikatë për medie, se "procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve”.
Ajo potencoi se "Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.
Dialogu i barabartë dhe njohja reciproke
Presidentja Osmani kërkon që "ky proces të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin”.
Këshilli i Ministrave të BE-së, në konkluzionet e dhjetorit 2025, ka përshëndetur gatishmërinë e Kaja Kallas për të thirrur një takim të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi, sapo të krijohen kushtet e favorshme.
Kosova dhe Serbia në vitin 2023 arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, e cila akoma nuk është zbatuar. Bashkimi Evropian këmbëngul se marrëveshja është e detyrueshme për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë.
Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t'i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar.