Sot e gjithë Gjermania brohoret: Ne jemi Oskarë!
27 Shkurt 2007
Fituesi i Oskarit, e bën krenare gjithë Gjermaninë shkruan gazeta "Express" (Këln) shkruan:
"Florian Henckel von Donnersmarck, fituesi i Oskarit, e bën krenare gjithë Gjermaninë. Ai ia doli mbanë, sepse donte, sepse nuk u hutua, sepse e vazhdoi lojën. Megjithë temën në dukje të parë tepër të vështirë të sigurimit të shtetit në ish-Gjermaninë Lindore, Florian Henckel von Donnersmarck, arriti që filmi i tij "Jeta e të tjerëve" të ndiqej nga qindra-mijëra shikues. Me çmimin e tanishëm ai i ka të hapura dyert për të bërë karrierë ndërkombëtare. Por le të shpresojmë se do ta mbajmë në Gjermani. Sepse pas këtij triumfi mund të thuhet se "Made in Germany" do të thotë edhe cilësi në fushën e kinematografisë dhe se filmat tanë janë në gjendje të konkurrojnë në botë."
"Mittelbayerische Zeitung" mendon se:
"Jeta e të tjerëve" është një film i madh me ose pa çmimin Oskar. Ka ardhur koha që të çlirohemi prej manisë së Oskarit dhe të zhvillojmë një ndërgjegje dhe besim evropian për filmin dhe të mos presim vetëm për përgëzimet dhe nderimet e vëllait të madh nga Amerika, i cili shpesh mendon ndryshe. Sepse vetëm nderimi me çmimin Oskar nuk mjafton për publikun evropian."
Edhe gazeta "Badische Neueste Nachrichten" është e mendimit se filmi "Jeta e të tjerëve" e meritonte Oskarin:
"Florian Henckel von Donnersmarck dëshmoi se në Gjermani është e mundur që në film të trajtohet një temë kaq serioze. Filmi i tij, trajton çështjen, sesi duhet të sillesh në jetë. Po të mos nderohej për këtë ky film me një Oskar, për çfarë tjetër?"
Gazeta "Handelsblatt" bën një krahasim me festivalin e filmit të Berlinit, Berlinalen, dhe konstaton:
"Faktit që Akademia për shpërdarjen e çmimit Oskar nderon me këtë çmim këtë prodhim artistik politik të Florian Henckel von Donnersmarckut nuk i mungon ironia. Sepse në vendin e vet, në Gjermani, Berlinalja që ka rënë në dashuri me veten, nuk i njohur meritat e regjisorit. Ndoshta është më e lehtë të nderosh me çmime filma kritiko-sociale nga Kina, se sa të merresh me përpunimin e së kaluarës të vendit tënd. Ndoshta një gjë e tillë vlen edhe për juritë amerikane. Po kjo nuk shqetëson askënd. Sot e gjithë Gjermania brohoret: Ne jemi Oskarë!
Temë tjetër e gazetave gjermane është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës rreth masakrës së Srebrenicës:
Reutlinger General-Anzeiger rreth vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë:
"Sipas mendimit të gjyqtarëve të OKB-së në rastin e Serbisë nuk mund të vërtetohet përgjegjësia e drejtpërdrejtë. Faktikisht kjo do të thotë, se bashkësia ndërkombëtare nga njëra anë ankohet për një rast gjenocidi, por nga ana tjetër pranon në heshtje, që vrasësit deri më sot të mos i dorëzohen drejtësisë. Vendimi i Hagës është një kapitullim përpara padrejtësisë. Bashkësia ndërkombëtare bën edhe sot në heshtje sehir, si në 1995, kur ushtarët holandezë ishin dëshmitarë të masakrës dhe nuk ndërmorrën asgjë."
Netzzeitung vë në dukje se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës në vendimet e saj një herë e merr në konsideratë dhe një herë tjetër jo faktin që gjatë luftës në BiH dhe luftrave të tjera në ish-Jugosllavi Serbia nuk ka qenë anëtare e OKB-së:
"Bosnjë-Hercegovina ngriti që para 14 vjetësh padi për gjenocid kundër Serbisë, por Gjykata Ndërkombëtare e Hagës filloi vetëm para një viti të merrej me këtë çështje. Të paktën trupi gjykues hodhi poshtë pretendimin e Beogradit për të mos u zhvilluar gjykimi dhe për ta shpallur si jo përgjegjëse Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës me pretendimin se Serbia nuk ka qenë anëtare e OKB-së gjatë luftës në BiH.
Serbia ka qenë gjithmonë e detyruar të zbatonte konventën e OKB-së të vitit 1948 në lidhje me gjenocidin, tha trupi gjykues dhe fakti që ajo u përjashtua në fillim të veprimeve luftarake prej OKB-së nuk ndryshon gjë në lidhje me këto detyrime. Në 1999 po Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e hodhi poshtë akuzën e Serbisë ndaj goditjeve ajrore të Natos duke arsyetuar se Beogradi është përjashtuar prej OKB-së."