1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spanjë: Qeveria synon të kursejë 65 miliardë euro

Daniel Sulzmann / Pandeli Pani12 Korrik 2012

Spanja e zhytur në borxhe synon të kursejë gjatë dy-tre viteve të ardhshme, 65 miliardë euro.Vetëm një ditë më parë ministrat e Financave të BE-së e zgjatën afatin që i jepet Spanjës për të rikuperuar buxhetin.

Fotografi: AP

Një program i fortë ky që paraqet kryeministri Mariano Rajoy në parlament: 65 miliardë € do të kursejë qeveria spanjolle deri në vitin 2015. Me shkurtime në buxhetet publike dhe rritjen e taksave: thelbi i paketës së ashpër të kursimeve është një rritje e TVSH-së, që të përmbushen kërkesat e BE-së dhe që Spanja të kthehet në një kurs të qëndrueshëm:

"TVSH rritet nga 18 në 21 për qind, norma e reduktuar e taksave do të rritet në 10 për qind dhe edhe norma edhe më e reduktuar mbetet në 4 për qind." - tha Rajoy.

Në foto, kryeministri Mariano RajoyFotografi: Reuters

Në këtë mënyrë i vetmi që nuk ngrihet është tatimi mbi ushqimet bazë. Por ky nuk është fundi i tmerrit, zyrtarët dhe punonjësit e administratës publike duhet të heqin dorë këtë vit nga shpërblimi për Krishtlindjet, po ashtu atyre do t'u shkurtohen ditët e pushimeve, pagesat për partitë politike dhe sindikatat do të ulen në përgjithësi me 20 për qind.

Me programin e ri të ashpër të kursimeve qeveria spanjolle reagon ndaj kushteve që BE-ja dhe Këshilli i Ministrave të BE i eurogrupit kishin formuluar të martën, si kusht që në korrik të paguhet transha e parë prej 30 miliardë euro për të shpëtuar bankat e sëmura spanjolle. Tërë javën pritej që qeveria do ta rriste TVSH për të vjelë më shumë para për arkat e shtetit.

Për opozitën kjo qe si një dhuratë nga perëndia. Udhëheqësi i opozitës, socialisti Alfredo Perez Rubalcaba e kritikoi ashpër qeverinë: "Ne po tkurremi, siç thatë dhe ju vetë, qindra e mijëra vetë kanë humbur tashmë punën, primi i rrezikut për obligacionet 10-vjeçare të qeverisë spanjolle është 200 pikë bazë më i lartë se në fillim të mandatit tuaj dhe në tregun e aksioneve gjatë kësaj periudhe pati humbje në vlerë me 20%, çdo gjë është bërë më e keqe gjashtë muajt e fundit, të gjitha për shkak të politikës suaj ekonomike dhe gabimeve tuaja."

Në foto, Alfredo Perez RubalcabaFotografi: Reuters

Por jo vetëm në parlament po zien. Të mërkurën në mëngjes, pak para orës dy minatorë të shoqëruar nga mijëra demonstrues arritën pas një marshimi gati tri javësh më këmbë në të gjithë vendin në Puerta del Sol, në Madrid.

Me të ashtuquajturin marshimin e zi ata protestojnë kundër uljes së subvencioneve për qymyrin, që planifikon qeveria spanjolle, gjë që për shumë miniera në vend do të thotë se do të mbyllen.

Spanja ka përpara një verë politike dhe sociale të nxehtë dhe se si do të jetë e ardhmja pa asnjë shpresë rritjeje ekonomike këtë për momentin nuk e di askush.