1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SPD fitoi shumicën absolute në Zarë

28 Mars 2022

Landi i Zarës është sërish i kuq: Në zgjedhjet e këtij landi ka fituar bindshëm partia SPD. Humbësi më i madh CDU, ndërsa liberalët dhe ekologjistët sipas të gjitha gjasave mbetën jashtë parlamentit.

Deutschland Saarbrücken | Landtagswahl | Wahlsiegerin Anke Rehlinger
Fotografi: Thomas Lohnes/Getty Images

Fitoret e socialdemokratëve vazhduan edhe pas zgjedhjeve federale. Kandidatja e SPD për kryeministre të landit të Zarës Anke Rehlinger, nga partia SPD e kancelarit Olaf Scholz fitoi shumicën absolute në zgjedhjet e landit më të vogël në Gjermani. Ndërsa partia CDU shënoi humbjen e dytë me radhë - pas humbjes në zgjedhjet federali tani humbi edhe landin ku ka qeverisur më shumë se 20 vjet.

SPD fitoi 43,5 përqind të votave në landin e Zarës - një rritje prej gati 14% - në zgjedhjet e mbajtura ditën e dielë. Në parlamentin e landit në qytetin Saarbrücken, kjo përqindje mjafton për të pasur shumicën absolute të mandateve – përkatësisht 29 nga gjithsej 51 mandate sa ka ky parlament.

"Pasojat"

Fotografi: Boris Roessler/dpa/picture alliance

Përveç fitueses së zgjedhjeve, Rehlinger, në këto zgjedhje ka pasur vetëm humbës. Kryeministri i deritanishëm i landit, Tobias Hans dhe partia e tij CDU, kanë fituar vetëm 28,5 përqind (19 mandate), që është rezultati më i dobët i CDU në këtë land. Në vitin 2017 CDU kishte një shumicë prej më shumë se 40 përqind, kur në krye të listës ishte Annegret Kramp-Karrenbauer.

Kandidati kryesor i CDU njoftoi se do të ketë "pasoja personale", pas këtij rezultati të dobët. 44-vjeçari Tobias Hans tha se partia e tij u përball me një humbje të rëndë. "Unë pranoj se mbaj përgjegjësinë për këtë humbje”.

Fotografi: Uwe Anspach/dpa/picture alliance

Përveç SPD dhe CDU, vetëm AfD - e cila po ashtu ka shënuar rënie - është futur në parlamentin e landit më të vogël në Gjermani. Kjo parti e krahut të djathtë fitoi 5,7 përqind, ndonëse kishte llogaritur me një rezultat më të mirë. Partia majtiste "Die Linke" përjetoi një debakël të vërtetë pas largimit të kreut të saj të mëparshëm Oskar Lafontaine nga kjo parti. E Majta ka fituar tani vetëm 2,6 përqind të votave, ndërkohë që në zgjedhjet e kaluara kishte një rezultat dyshifror.

Pak më shumë vota se në zgjedhjet e kaluara ka fituar FDP, por 4,8 përqind sa ka fituar nuk mjafton për t'u futur në parlament. Ndërsa një dramë të vërtet kanë përjetuar ekologjistët. Kjo parti ka fituar 4,99502 përqind të votave, që do të thotë se për t'u futur në parlamenti i kanë munguar vetëm 23 vota. Këto janë rezultatet preliminare dhe është e mundur që në rezultatin përfundimtar zyrtar të ketë ndryshime. Por shikuar nga rezultatet preliminare, në parlamentin e këtij landi janë futur SPD, CDU dhe AfD, ndërsa majtistët, ekologjistët dhe liberalët kanë mbetur jashtë.

 "Comeback"

Fotografi: Oliver Dietze/dpa/pictrue alliance

"Landi i Zarës ka votuar të kuqen”, theksoi ish-ministrja e Ekonomisë dhe zëvendëskryeministrja e deritanishme e këtij landi Rehlinger. Fitorja e saj është "rezultat i punës së palodhur në vitet e fundit". Ajo tha se do të ishte nder i madh që të bëhet kryeministre e landit. 45-vjeçarja ka qenë deri tani në bashkëqeverisje me partinë CDU. Ndërsa kryetari i SPD, Lars Klingbeil foli për një "rikthim" të partisë së tij në nivel të landit. Partia SPD tani ka tetë kryeministra në lande, që do të thotë se qeverisë me gjysmën e landeve në Gjermani.

Socialdemokratët tani shpresojnë se kjo valë e fitoreve në zgjedhje do të vazhdojë. Në maj do të mbahen zgjedhjet në landin Schleswig-Holstein si dhe në landin me numrin më të madh të banorëve në Gjermani, Renania Veriore Vestfalia. Këto lande qeverisen për momentin nga CDU. Ndërsa në tetor do të mbahen zgjedhjet në Saksoni të Ulët, e cila qeveriset aktualisht nga SPD

bc/wa/bru (dpa, afp, rtr)