1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spektakli me një personazh i FDP-së

23 Shtator 2009

Që nga 1998-a liberalët nuk kanë marrë më pjesë nëpër koalicione qeveritare. Me Guido Westerwelle-n, njëherësh kryetar partie dhe i fraksionit parlamentar, partia shpreson të marrë fund koha e pritjes

Gudio Westerwelle duke folur në Kongresin e Partisë
Me forca të përqendruara: Gudio Westerwelle.Fotografi: AP

Ai është 47 vjeç, e që tani ka thyer disa rekorde. Vetëm legjendari Hans-Dietrich Genscher ia kalon në gjatësinë e kohës së të qënit kryetar i Partisë së Lirë Demokratike (FDP) (19774-1985). Që nga viti 2001 e këtej, Guido Westerwelle ka qenë pa ndërprerje në fronin e shefit të liberalëve dhe me sa duket, ai do të qëndrojë aty edhe për një periudhë të gjatë kohe. Në kongresin më të fundit të partisë në Hannover, ai mori 96 për qind të votave të delegatëve. Që nga viti 2006, ka në dorë edhe postin e kryetarit të fraksionit parlamentar. Liberalët janë në dorë të tij, si kurrë më parë.

Mungon konkurrenca brenda partisë

Ndërsa partitë e tjera opozitare, të Gjelbrit dhe E Majta, përdorin enkas kryesi dykrerëshe, - të Gjelbrit me Künast/Trittin dhe të Majtët me Gysi/Lafontaine, FDP-ja i ka varur të gjitha shpresat tek Westerwelle. Nga njëra anë Westerwelle kritikohet shpesh meqë e ka shndërruar partinë e tij në një spektakël me një personazh, nga ana tjetër, liberalët nuk kanë ku të gjejnë një njeri me një retorikë kaq brilante, siç është ajo e Westerwelles .



Me Westerwelle-n partisë iu kthye suksesi. Kur ai u bë kryetar, FDP-ja e kishte humbur fillin e orientimit. Mbas gati 30 vjetësh pjesëmarrje në qeverinë federale, në vitin 1998 liberalët u detyruan të mjaftoheshin me karriket e opozitës; në shumë parlamente landesh mungonin përfaqësuesit. Që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra: FDP-ja ka korrur pak a shumë vetëm fitore dhe tani qeveris në shumë lande, mes tyre edhe në landin perëndimor më të madh për nga numri i popullsisë, Nordrhein-Westfallen.

Në rastin më të keq edhe një koalicion xhamaikan

Vetëm një gjë nuk kanë arritur deri tani liberalët me në krye Westerwelle-n: pjesëmarrjen në qeverinë federale. Para katër vjetësh ky opsion u rrëzua, megjithëse liberalët atëherë arritën të mblidhnin një numër gati dyshifror votash. FDP-ja kështu u bë grupin më të fortë opozitar në parlament. Koalicioni i preferuar me unionistët dështoi për shkak të rezultatit shumë të dobët të konservatorëve.

Edhe në këto zgjedhje Westerwelle preferon të hyjë në koalicion me unionistët. Në rastin më të keq ai do të pranonte edhe një koalicion tresh me të gjelbrit dhe të zinjtë (CDU/CSU). Një koalicion i tillë ka marrë nofkën “koalicioni xhamaikan” për shkak të tri ngjyrave që përkojnë me ngjyrat e flamurit të shtetit në Karaibe.

Westerwelle nuk do ta pranonte kurrsesi kombinim tjetër, koalicionin e ashtuquajtur semafor:Kuq-Verdhë-Gjelbër, pra në mes të Të gjelbërve dhe socialdemokratëve. Kreu i liberalëve beson se socialdemokratët, ndryshe nga ç'pretendojnë vazhdimisht, janë të aftë të krijojnë një koalicion me Të gjelbrit dhe Të majtët, po qe se këtë do ta kërkonte aritmetika elektorale. Prandaj edhe qëllimi i dytë Westerwelles është që të pengojë krijimin e një koalicioni të majtë. Por ai preferon një koalicion mes liberalëve dhe konservatorëve, koalicion, të cilin koleksionisti i artit modern Westerwelle e quan qendra qytetare.

Westerwelle si ministër i jashtëm?

Në një koalicion me konservvatorët, Westerwelle do të bëhej ministër i jashtëm dhe zëvendës-kancelar. Një post, që për shumë vite ka qenë sunduar nga liberalët: Të kutjojmë që në vitet 1969 e deri 1998, nga politikanët liberalë Walter Scheel, Hans-Dietrich Genscher dhe Klaus Kinkel. Madje Genscheri, idhulli i Westerwelle-s, e drejtoi ministrinë e jashtme gjermane, Auswärtiges Amt, për 18 vjet me radhë. Në një post tjetër Westerwelle është gati duke ia kaluar Genscherit: Edhe tre vjet i duhen, dhe ai do të jetë kryetari i liberalëve që e ka këtë post për një kohë më të gjatë se Genscher-i.

Ëndërr për Westerwellen: Një koalion i përbashkët me Angela Merkel.Fotografi: AP
Vetëm legjendari Hans-Dietrich Genscher ia kalon Westerwelles në gjatësinë e kohës së të qënit kryetar i Partisë së Lirë Demokratike.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Autor: Marcel Fürstenau / Anila Shuka

Redaktioi: Aida Cama