Spekuluesit në shënjestër: BE-ja propozon rregulla të reja për produkte financiare të ndërlikuara
17 Shtator 2010
Komisioneri evropian Michel Barnier kishte zgjedhur dyvjetorin e falimentimit të sipërmarrjes Lehman për të publikuar parashtrime për rregullimin e tregtisë me derivate dhe shitje të zbrazëta. Tregu jotransparent i derivateve konsiderohet si një arsye e rëndësishme për krizën financiare. Në të ardhmen në tregjet financiare "nuk duhet të veprohet si në perëndimin e egër", tha Barnier. Por për të ishte e rëndësishme të theksonte edhe që nuk do të djegë të njomin bashkë me të thatin. Spekulimi në vetvete ekziston aq sa shkon kujtesa e njerëzve, tha ai me qesëndi dhe ai nuk është që në krye i keq.
"Sikur të thosha se duam të ndalojmë spekulimin, do të ishte sikur të thosha se duam të ndalojmë shiun. Por spekulimi ka arritur përmasa që s'njohin kufi. Atëherë duhen kufizuar rreziqet nga hiperspekulimi. Si? Duke hedhur dritë mbi të, duket vendosur detyrimin për transparencë. Bashkë me amerikanët dhe me rajone të tjera duhet të dimë: Kush bën çfarë?"
Në vend të ndalimit të përgjithshëm të shitjeve të zbrazëta dhe të sigurimeve kundër mosshlyerjes së huave sipas modelit gjerman Barnier kërkon më shumë tejdukshmëri për transaksione të tilla dhe propozon një detyrim për regjistrimin e derivateve. Autoritetet mbikëqyrëse kombëtare mund ta kufizojnë edhe në të ardhmen tregtinë me produkte financiare tejet spekuluese, por vetëm duke respektuar kushtet e BE-së. Dhe në rast të një krize të re Komisioni Evropian do të fuste një ndalim tremujor të shitjeve të zbrazëta. Sektori financiar paralajmëron se me masa të tilla Evropa do të dëmtojë veten, meqenëse biznesin do ta bëjnë të tjerë. Barnier e hodhi poshtë këtë argument.
Por para se të hedhin këta hapa edhe anëtarët e G20-ës, Evropa duhet ta kapë demin për brirësh. Deri tani Komisioni Evropian ka bërë vetëm propozime. Që këto të vihen në jetë duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian dhe nga shtetet anëtare. Dhe këtu dallohen tashmë kundërshtime.
Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj
Redaktoi: Esat Ahmeti