Gjermani: Dënohet ish-bashkëpunëtori i një politikani të AfD
1 Tetor 2025
Punonjësi i deputetit të AfD-së, Jiang G., i cili është shtetas gjerman, ka spiunuar për shërbimin sekret kinez për vite me radhë . Ai i ka siguruar shërbimit kinez qindra dokumente, disa prej të cilave ishin të ndjeshme. Jiang G. përdori rolin e tij si asistent i deputetit tëAfD Maximiliarn Krah, gjatë mandatit të tij të mëparshëm si anëtar i Parlamentit Evropian në Bruksel nga viti 2019 deri në vitin 2024 për të mbledhur informacione.
Gjykata e Drezdenit konstatoi po ashtu se Jiang G. spiunoi disidentët kinezë, por mblodhi edhe informacione mbi udhëheqjen e partisë AfD.
Po bashkëpunëtori i dyshuar?
Jiang G. i mohoi akuzat gjatë procesit gjyqësor kundër tij. "Unë nuk kam punuar për shërbimin e inteligjencës kineze dhe jam i pafajshëm", tha ai në një seancë dëgjimore javën e kaluar.
Avokati i tij kishte kërkuar lirim nga akuzat për shkak të provave të pamjaftueshme. Ndërsa prokurori i rastit kishte kërkuar një dënim me shtatë vjet e gjysmë burg.
Bashkëpunëtorja e dyshuar e Jiang G., e bashkëakuzuara Jaki S, u akuzua për dhënien e informacionit mbi ngarkesat, fluturimet dhe pasagjerët si punonjës i një kompanie logjistike në Aeroportin e Lajpcigut. Gjatë gjyqit, ajo pranoi, se kishte dhënë informacion, por mohoi çdo dijeni për aktivitetet e mëtejme. Gjykata e dënoi atë me një dënim me kusht prej një viti e nëntë muajsh.
Gjyq i veçantë për politikanin e AfD-së
Zyra e prokurorit publik të Drezdenit po heton politikanin e AfD-së, Maximilian Krah, në një rast të veçantë për ryshfet dhe pastrim parash në lidhje me pagesat kineze. Si dëshmitar në këtë gjyq, ai deklaroi se nuk kishte dijeni për aktivitetet e spiunazhit të ish-kolegut të tij apo për anëtarësimin e tij në Partinë Komuniste Kineze.