1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spiunimi i BIA-s: Serbia në "burgun digjital"

18 Dhjetor 2024

Përdorimi i paligjshëm i spyware, të cilin BIA e mohon, nuk është shumë i dobishëm për autoritetet në Serbi. Kjo rrezikon shumë punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.

Protestat kundër qeverisë në Serbi - pllakati duart i keni të përgjakura
Duart i keni të përgjakura: Protestat kundër qeverisë në SerbiFotografi: Darko Vojinovic/AP/dpa/picture alliance

Një raport i Amnesty International tregon se autoritetet serbe po përdorin spyware për të luftuar kundër gazetarëve, politikanëve dhe sektorit joqeveritar. "Burgu Digjital: Mbikëqyrja dhe Shtypja e Shoqërisë Civile në Serbi” quhet raporti i lartpërmendur, ku thuhet se regjimi serb përdor mjete mjekoligjore për nxjerrjen e të dhënave nga telefonat celularë në të cilët është instaluar softueri pa asnjë bazë ligjore. Policia serbe dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), ndër të tjera, përdorin softuerin Cellebrite, i cili iu dhurua Serbisë nga Norvegjia, për të monitoruar aktivitetet e kritikëve të regjimit rëVuçiqit.

Duke analizuar disa telefona, në të cilët ishte instaluar softuer spiun gjatë intervistave informative apo arrestimeve në komisariat, u konstatua se ky softuer ekziston në dhjetëra, e ndoshta qindra, telefona aktivistësh dhe gazetarësh. Përveç programit Selebrit, në telefona është gjetur edhe programi i panjohur më parë NoviSpy. Me rastin e atij raporti, Ministria e Punëve të Jashtmenorvegjeze theksoi se nuk e përkrah keqpërdorimin e këtij programi, ndërsa MPB-ja dhe BIA e Serbisë deklaruan se "të gjitha këto mjete softuerike i kanë përdorur në përputhje me ligjin” dhe se "kjo është një raport i parëndësishëm sensacionalist që nuk meriton koment”.

Aleksandar Vulin, shefi i dikurshëm i BIAFotografi: Darko Vojinovic/AP/picture alliance

Digë për publikun demokratik

Serbia është futur në një burg digjital, sepse "ka një qeveri autokratike që nuk lejon krijimin e asnjë lloj publiku demokratik”, vlerëson deklaratat nga ky raport për DW, Zoran Gavriloviq nga Byroja e Kërkimeve Sociale (BIRODI).

"Tani jemi dëshmitarë se shteti i është nënshtruar një partie politike dhe mekanizmi për këtë është kultivimi i kultit të personalitetit të Aleksandër Vuçiqit. Qëllimi është që gazetarët dhe sektori civil të heqin dorë nga ajo që po bëjnë. Megjithatë, këtu duhet të tërhiqet vëmendja se këtë, përveç BIA-s, e bën edhe Banka Popullore e Serbisë, e cila merr të dhëna nga bankat komerciale për transaksionet financiare të gazetarëve dhe organizatave joqeveritare dhe ua dërgon personave të caktuar në qeveri”, thekson Gavriloviq.

Bllokimi i mendimit kritik

Gazetari Nedim Sejdinoviq beson se "është mjaft e qartë se si Serbia u gjend në një burg digjital. Qysh në fillim të qeverisjes së tij, Vuçiq bëri të ditur hapur se një sasi e madhe parash dhe burimesh po përdoreshin për blerjen e pajisjeve dhe programeve kompjuterike që do të përdoreshin për të kontrolluar kundërshtarët politikë dhe për të shkatërruar praktikisht opozitën. Me kalimin e viteve, shteti nuk ka kursyer para për qëllimin përfundimtar, që është një përpjekje për të shfuqizuar plotësisht mendimin kritik”, tha Sejdinoviq për DW.

Raporti i Amnesty International shqyrton gjithashtu valët e shumta të protestave në Serbi, gjatë të cilave kundërshtarët e regjimit iu ekspozuan fushatave brutale dhe thekson se "deklaratat shpifëse inkurajoheshin nga postet e larta, duke përfshirë presidentin, deputetët dhe guvernatorin e Bankës Kombëtare të Serbisë”.

Serbi, protestat e studentëve kundër VuçiqitFotografi: Nemanja Rujević/DW

Gavriloviq vëren se kjo po ndodh edhe tani "gjatë protestave studentore", por se "përveç fushatave diskredituese, regjimi ende nuk ka guxim dhe vullnet për të kaluar në forma më agresive të shtypjes së protestave që mbrojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi. Në fund të fundit, Serbia është në Ballkan, e rrethuar nga vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, dhe aq e izoluar nga bota jodemokratike, nuk mund të bëjë atë që bëjnë vendet jodemokratike”, tha Gavriloviq për DW.

Qeveria tashmë ka një algoritëm të fushatës kur bëhet fjalë për këtë lloj proteste, vëren Nedim Sejdinoviq dhe shton se "përveç propagandës primitive, kjo do të thotë se përdoren të gjitha mjetet për të futur përçarje dhe mosbesim në zemër të rebelimit, e shërbimet sekrete luajnë ndoshta edhe rolin më të madh këtu. Por, duke qenë se protesta është masive dhe e decentralizuar, nuk mendoj se as ato zgjidhje softuerike janë shumë të dobishme për autoritetet serbe”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Spiunimet në SerbiFotografi: MN

Një problem për gazetarët investigativë

Por përdorimi i spyware kërcënon shumë punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes, thekson Sejdinoviq. Ai thotë se "kjo vlen veçanërisht për gazetarët hulumtues. Një keqpërdorim i tillë i pushtetit jo vetëm që rrezikon vetë gazetarët, por edhe kontaktet e tyre me njerëz nga sistemi qeveritar të cilët u japin disa informacione”, tërheq vëmendjen Sejdinoviq.

Zbulimi i Amnesty International, thotë ai, ka treguar edhe një herë se Partia Progresive Serbe (SNS) e sheh çdo veprimtari opozitare, si dhe çdo anëtar të sektorit joqeveritar apo kritik të regjimit, si pjesë të veprimtarive të paligjshme. Konkluzioni i raportit, shtoi ai, vetëm konfirmon se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, jo vetëm që nuk toleron demokracinë parlamentare, por as ndonjë zë kritik në shoqëri.

Autokratët dhe diktatorët "çdo përpjekje për të luftuar për demokracinë e shohin si një luftë hibride”, vlerëson Zoran Gavriloviq. Nedim Sejdinoviq paralajmëron se "është përditësuar sërish historia për listat e agjentëve të huaj, gjë që është veçanërisht e çuditshme në rastin e Aleksandër Vuçiqit, i cili i hapi plotësisht dyert ndikimit të huaj dhe kapitalit të huaj dhe ku Qeveria e Serbisë është realisht mercenari më i madh i huaj”.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë