Spliti - një bukuri kroate me dhëmbë të prishur
24 Qershor 2012Qyteti në detin Adriatik është konsideruar si diçka shumë e veçantë. Banorët e Splitit janë krenarë për historinë 1700 vjeçare të qytetit të tyre piktoresk. Thuhet se edhe grekët e lashtë e kishin njohur magjinë e e këtij vendi dhe kishin themeluar këtu një koloni të lashtë. Në shekullin e katërt pas Krishtit perandori romak Diokleciani ishte aq i impresionuar nga ky vend sa që ai vendosi të zhvendosë atje rezidencën e tij verore. Sot pallati ndodhet në qendër të Splitit dhe tani nga UNESCO është shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore.
Gjatë muajve të verës mijëra turistë shëtisin përgjatë shëtitores së famshme - Riva. Njerëz të veshur mirë, syze dielli të shtrenjta, dyqane ekskluzive të modës - Riva është si të thuash ekspozita e qytetit. Bukur, elegant dhe krenare prezantohen njerëzit njëlloj sikur qyteti.
Qytet me dy fytyra
Por ka edhe një Split tjetër të cilin nuk e shohin turistët. Ky është realiteti gri. Kroacia vuan nga një normë papunësie prej 19 për qind. Në Split niveli i papunësisë është edhe më i lartë - rreth 22 për qind. Askund në vend nuk ka kaq shumë njerëz të papunë si në këtë qytet dhe rrethinat e tij. "Split është një lloj test lakmusi për atë që ndodh në këtë vend. Problemet janë këtu më të dukshme", thotë Mladen Badovinac, udhëheqës i grupit hip-hop të Splitit "The Beat Fleet". TBF, siç e quajnë fansat, është bërë i famshëm me tekstet e mençura dhe kritikë shoqërore në Kroaci. Shtypi i quan ata me kënaqësi "rebelë". Por ata nuk e shohin veten si të tillë, por si dëshmitarë të kohës, autentik dhe të pavarur. Ata duan të tregojnë histori që nuk dalin në pah në mediat kroate.
Djelmoshat e TBF-së e duan qytetin e tyre, por janë gjithashtu thellë të zhgënjyer nga zhvillimet aktuale. "Është absurde që pikërisht Spliti të ketë kaq shumë probleme, të mbetet ka prapa. Ky qytet ishte një herë një metropol i Mesdheut. Në krahasim me qytetet e tjera kroate Spliti kishte shumë për të humbur", thotë Badovinec.
Shkaqet e rënies
Por çfarë ndodhi? Split është kthyer në një vend këmbimi për turizëm, tregti dhe kontrabandë, theksojnë muzikantët e TBF-së. Arsyet për këto zhvillime e kanë origjinën e tyre në vitet '90. Në atë kohë, Kroacia dhe Serbia hynë në luftë kundër njëra-tjetrës. Por Spliti nuk ishte në qendër të ngjarjeve të luftës dhe po ashtu nuk ishte sulmuar.
"Ne vuajtëm më shumë nga pasojat e tjera të luftës: Ne u desh të shihnim se si thyheshin banesat e braktisura. Ne shihnim krijesa të dyshimta që në kohë të tilla dilnin në sipërfaqe", thotë 35-vjeçari Badovinec. Ai dhe shokët e tij të grupit, të gjithë të moshës mes 30 dhe 40, e shohin veten si pjesë të një brezi të humbur që u rrit një një boshllëk në mes të regjimit komunist të Titos, që përfshinte periudhën e pasluftës deri në vdekjen e tij në vitin 1980, dhe regjimit nacionalist të Franjo Tugjmanit, i cili i dha vulën e vet Kroacisë në vitet e 90-ta.
" Ne në Kroaci nuk pajtohemi nëse Tugjmani ishte një burrështetas i madh dhe babai i kombit apo një lloj diktatori që donte të impononte vullnetin e tij dhe ishte shumë larg nga realiteti", thotë Sasha Antiq, i cili shkruan tekstet e këngëve të grupit TBF . Atij i dhemb në shpirt që është shkatërruar kultura urbane e Splitit. Ai nuk beson në rastësi. "Lufta është instrumentalizuar për t'i shpëlarë trurin njerëzve, për të zhvilluar propagandë. Në Split në pushtet erdhën tipa të pavlerë dhe karaktere të dyshimta. Nën maskën e patriotizmit me sa duket janë futur vlera të reja, ndërsa me rëndësi ishin vetëm interesat e tyre." Ky është shpjegimi i tij për rënien financiare, kulturore dhe morale të Kroacisë.
Si në perëndimin e egër?
Për Splitin bëhet fjalë edhe në librin e ri të Olja Saviçeviq Ivançeviq. Romani i saj "Lamtumirë, Kaubojë", i cili është përkthyer ndërkohë edhe në gjuhën gjermane, është një nderim për Dalmacinë e kohës së pasluftës dhe rrethinave të saj, thotë shkrimtarja 38 vjeçare. Ajo vetë është rritur në Kashtela, në periferi të Splitit larg nga qendra e qytetit. Në kohën e komunizmit Kashtela me vendndodhjen e saj piktoreske në bregdet ishte betonuar me fabrikat e çimentos dhe asbestit. Tani shumica e fabrikave janë boshatisur, deti ka kohë që është ndotur. Me sa duket: regjimi i vjetër shkatërroi natyrën, i riu industrinë.
"Politikanët tanë na kanë plaçkitur. Dhe atë në një masë të paparë. Njerëzit kyç në politikë e kanë plaçkitur vendin e tyre në kuptimin e vërtetë të fjalës", ankohet shkrimtarja e re. Si shembull ajo përmend ish-kryeministrin kroat Sanader. Kundër tij po zhvillohet një proces në të cilin ai akuzohet për korrupsion dhe mashtrim. Popullit kroat është varfëruar, thotë Olja Saviçeviq: "Klasa e mesme, e cila ekzistonte në kohën e Jugosllavisë dhe gjatë kohësë së luftës në vitet e '90-ta është zhdukur krejtësisht."