Stërvitja e parë ushtarake e “Koalicionit të të Gatshmëve” në Poloni
9 Nëntor 2026
Rreth 2.800 ushtarë nga 11 vende do të marrin pjesë në stërvitjen e parë ushtarake të "Koalicionit të të Gatshmëve”, në mbështetje të Ukrainës, e cila nis të hënën në Poloni.
Qëllimi i stërvitjes është të testohet mënyra se si mund të garantohet një paqe e qëndrueshme pas përfundimit të luftës në Ukrainë, njoftuan ministritë franceze dhe britanike të Mbrojtjes.
Francadhe Mbretëria e Bashkuar po udhëheqin stërvitjen "Koalicioni 2026”, e cila do të zgjasë deri më 22 nëntor. Në stërvitje merr pjesë edhe ushtria gjermane, e cila do të angazhojë rreth dhjetë oficerë shtabi, avionë cisternë dhe kapacitete logjistike.
Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të dërgojë rreth 300 ushtarë dhe disa avionë luftarakë, ndërsa Franca do të marrë pjesë me rreth 1.000 ushtarë, si dhe me dronë zbulues me rreze të shkurtër veprimi dhe sisteme mbrojtëse kundër dronëve.
Sipas burimeve britanike, stërvitja do të simulojë lëvizjen e trupave dhe furnizimin me mjete jetike, si ushqim dhe karburant. Pjesëmarrësit do të ushtrohen në drejtimin dhe koordinimin e operacioneve të përbashkëta, si dhe në operacionet ajrore në territorin polak.
Përveç Francës, Britanisë dhe Gjermanisë, në stërvitje marrin pjesë edhe Belgjika, Estonia, Lituania, Holanda, Polonia, Spanja dhe Suedia.
"Koalicioni i të Gatshmëve” u krijua në fillim të vitit 2025 për të mbështetur Ukrainën dhe përfshin rreth 35 shtete. Vendimi për krijimin e një force shumëkombëshe u mor në një samit për Ukrainën, të mbajtur në Berlin në dhjetor të vitit të kaluar.
Mesazh për Rusinë dhe SHBA-në
Stërvitja synon jo vetëm testimin e planeve për dislokimin e forcave shumëkombëshe, por edhe dërgimin e një mesazhi politik Rusisë dhe administratës së presidentit amerikan Donald Trump se vendet evropiane janë të gatshme të marrin një rol më të madh ushtarak në garantimin e sigurisë së Ukrainës. "Ky ushtrim tregon se Mbretëria e Bashkuar, së bashku me Francën dhe aleatët tanë, po përgatitet për ditën kur do të vendoset paqja në Ukrainë”, deklaroi ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting.
Sipas gjeneral-lejtnantit Tom Bateman, komandant i Forcës Shumëkombëshe për Ukrainën, kjo forcë, nëse vendoset pas një armëpushimi, do të ndihmojë në rindërtimin dhe forcimin e ushtrisë ukrainase, në rihapjen e hapësirës ajrore të vendit dhe në pastrimin e minave në Detin e Zi.
Ai theksoi se forca shumëkombëshe nuk do të ishte pjesë e NATO-s dhe as një mision paqeruajtës apo monitorues i armëpushimit. Gjithashtu, ajo nuk do të kishte karakter ofensiv, por do të synonte të ndihmonte Ukrainën të parandalonte një agresion të ri rus.
Dislokimi mbetet i pasigurt
Të gjitha vendet e përfshira në planifikim kanë bërë të ditur se forcat e tyre do të vendoseshin vetëm pas përfundimit të luftimeve. Megjithatë, në mungesë të një marrëveshjeje armëpushimi, mbetet e paqartë nëse dhe kur mund të nisë misioni.
Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar më herët se trupat e huaja në Ukrainë do të konsideroheshin "objektiva legjitime”. Për këtë arsye, sipas Ed Arnold nga Instituti RUSI në Londër, forca shumëkombëshe duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten.
Ndërkohë, Federico Santopinto nga Instituti Francez për Çështje Ndërkombëtare dhe Strategjike vë në dyshim aftësinë e vendeve evropiane për të krijuar një forcë parandaluese të besueshme kundër Rusisë.
"Kjo mund të nënkuptojë rrëzimin e avionëve luftarakë rusë, me rrezikun e një përshkallëzimi që të gjithë duan ta shmangin”, tha ai, duke ngritur pyetjen nëse vendet evropiane do të ishin të gatshme të veprojnë drejtpërdrejt kundër dronëve dhe raketave ruse mbi hapësirën ajrore të Ukrainës.
Moska: Vendosja e trupave të huaja është e papranueshme
Moskavazhdon të kundërshtojë kategorikisht çdo vendosje të mundshme të forcave shumëkombëshe në Ukrainë.
"Ne përsërisim se vendosja e forcave të armatosura të huaja në Ukrainë është kategorikisht e papranueshme”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Sipas saj, një veprim i tillë do të përbënte "ndërhyrje ushtarake de facto” dhe do të krijonte kërcënime shtesë për sigurinë e Rusisë.
"Forcat e Armatosura të Federatës Ruse do t'i konsiderojnë të gjitha njësitë ushtarake në Ukrainë si objektiva legjitime, me të gjitha rreziqet dhe pasojat që rrjedhin nga kjo”, paralajmëroi Zakharova.