1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stacioni i fundit: Zveçan?

3 Gusht 2009

Michael Frick do të organizojë një udhëtim me tren nga Augsburgu për në Kosovë, por Kosova nuk e lejon të kalojë linjën hekurudhore nga Serbia.

Tren me lokomotive te kuqe
Neuwald: Tri bukuri ka Kosova: Njerëzit, natyra dhe lokomotivatFotografi: AP

Ideja ishte e thjeshtë: me tren nga Augsburgu në Kosovë. Me këtë udhëtim Michael Frick donte t'i bënte një dhuratë Shoqatës Hekurudhore të Kosovës me rastin e dhjetëvjetorit të krijimit. Afro 100 ithtarë trenash ka mbledhur ai për këtë udhëtim. Ata vijnë nga Danimarka, Belgjika, Suedia, Britania e Madhe, Gjermania e shumë vende të tjera. Por treni i posaçëm për Kosovë rrezikon të ngecë në Zveçan. Pasagjerët dhe organizatorët nuk arrijnë ta kuptojnë se ku qëndron problemi.

Tri gjëra numëron Frank Neuwald, kur bie fjala për bukuritë e Kosovës: Njerëzit, natyra dhe lokomotivat. Dhe ai e ka fjalën për një lloj të veçantë lokomotive: Ajo quhet NOHAB dhe është prodhim suedez. Para dhjetë vjetësh qeveria e Norvegjisë i dhuroi katër të tilla hekurudhave të Kosovës. Frank Neuwald, vetë punonjës i Ndërmarrjes Hekurudhore Gjermane, është njëri nga ithtarët e markës së viteve 50-të.

Me një lokomotivë të tillë, ai dhe 100 të apasionuar të tjerë pas lokomotivave dhe natyrës duan të udhëtojnë nga Augsburgu i Gjermanisë deri në Kosovë.

Organizatori i këtij udhëtimi të veçantë është Michael Frick, vetë mekanik. "Ideja lindi vitin e kaluar, në janar publikuam në internet idenë për një udhëtim në Kosovë. Ndërkohë jemi bërë gati 100 pasagjerë që vijnë nga të gjitha vendet e botës, ku ka pasur NOHAB. Kishim planifikuar edhe një paradë, ku do të vendosnim në radhë katër lokomotivat e Kosovës dhe në mes të tyre atë gjermane."

Michael Frick e njeh mirë Kosovën. Tri nga lokomotivat NOHAB që ka në Kosovë ai i ka lyer vetë me ndihma të mbledhura tek komuniteti i simpatizantëve të lokomotivës suedeze dhe firma për të cilën punon në Gjermani. Por udhëtimi i tij tani rrezikon të dështojë, për shkak të mosmarrëveshjeve që ekzistojnë mes dy hekurudhave, asaj të Serbisë dhe të Kosovës.

"Shoqata e Hekurudhave të Kosovës thotë se treni nuk mund të kalojë nga Leshaku në Fushë-Kosovë," - thotë Frick. "Kjo është e çuditshme. Nëpër stacionet e trenave ka edhe nga një staf që kujdeset për to, por nuk ka trena."

Drejtori i Ndërmarrjes Hekurudhore të Kosovës, Xhavit Ramosaj, thotë se e njeh problemin, por për momentin Ndërmarrja Hekurudhore e Kosovës nuk operon në pjesën e veriut. Ai thotë se ekziston mundësia e hyrjes nga Maqedonia.

Por itinerari nga Maqedonia do t'i kushtonte Frick-ut dy ditë më shumë: "Nuk mund t'u them pasagjerëve që të ndryshojnë planet, sepse nuk mund të hyjmë në Kosovë," - thotë ai.

Frick nuk mund ta kuptojë që ky udhëtim "pajtues mes popujve", siç e quan ai atë, dhe kaq në dobi të Kosovës, mund të dështojë për një gjë kaq të vogël. Ai i ka dërguar letër edhe presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Më datën 21 gusht NOHAB-i do të fillojë të tërheqë vagonët e tij nga Augsburgu në drejtim të jugut. Stacioni i parë është Budapesti. Ende nuk është e sigurt nëse treni me destinacion Kosovën me të vërtetë do ta shkelë tokën kosovare.

Autor: Anila Shuka
Redaktor: Pandeli Pani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW