1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Planet e Katarit për një kampionat botëror ekologjik

Kai Kystner
2 Dhjetor 2021

Një vit para Kampionatit Botëror të Futbollit Katari përfundoi një stadium, që do të çmontohet pas turneut dhe do të rindërtohet diku tjetër. Për mjedisin apo thjesht për propagandë? Varet se kë pyet.

Katar Ras Abu Aboud Stadion
Fotografi: Qatar's Supreme Committee for Delivery and Legacy/AFP

"The Big O" quhej dikur me simpati stadiumi në Montreal, i ndërtuar për Lojërat Olimpike Verore të vitit 1976. Sot në metropolin kanadez atë e quajnë "Big Owe”. Për më shumë se 30 vjet janë derdhur 264 milionë dollarë kanadezë në ndërtimin dhe mirëmbajtjen komplekse të stadiumit me strukturën ekstravagante të çatisë.

Pas lojërave stadiumi përdorej rregullisht nga ekipet e bejsbollit dhe futbollit me qendër në Montreal. Por ata janë larguar prej kohësh nga qyteti, kështu stadiumi pjesën më të madhe të kohës mbetet si elefanti i bardhë (që shkakton vetëm shpenzime). I stërmadh, i përdorur rrallë, i kushtueshëm për t'u mirëmbajtur.

"The Big O" quhej dikur me simpati stadiumi olimpik në MontrealFotografi: AP

Jo vetëm në Montreal stadiumet pa një funksion të vërtetë gllabërojnë pafundësisht para. Të tillë "elefantë të bardhë" gjenden në shumë nga vendet mikpritëse të lojërave olimpike apo të kampionateve botërore të futbollit, një numër i madh në Afrikën e Jugut, mikpritëse e Kampionatit Botëror 2010. Për kampionatin e parë në kontinentin afrikan ato u ndërtuan në shumë vende, ku nuk qe aspak e nevojshme.

Stadiumi 974 në Katar

Edhe Katari mund të ketë një ditë "elefantë të bardhë". Në 2022 në këtë shtet të vogël në shkretëtirë do të zhvillohet kampionati botëror i futbollit. Prej vitesh aty ndërtohen stadiume të reja për këtë megaevent. Stadiume, në kantieret e të cilave punojnë në kushte katastrofike punëtorë kryesisht nga Nepali, Pakistani apo Bangladeshi, dhe që pas kampionatit mund të mos kenë më funksion.

Por shteti i Gjirit Persik, i kritikuar fort për shkak të kushteve të punës dhe vdekjeve të shumta në kantieret e stadiumeve, dëshiron të tregojë se mund të bëjë edhe ndryshe dhe prezanton një stadium, i cili mund të çmontohet tërësisht pas turneut dhe përbëhet nga materiale të ricikluara dhe sërish të përdorshme.

Fotografi: Reuters

"Stadiumi 974", i emërtuar sipas kodit telefonik ndërkombëtar të Katarit dhe numrit të anijeve, që transportuan një pjesë të madhe të materialit për ndërtimin e stadiumit, do të çmontohet pas Kampionatit Botëror në Katar dhe do të rindërtohet diku tjetër. Kjo është ideja e Katarit, i cili e reklamon stadiumin si "inovacion” në aspektin e të punuarit në përputhje me klimën dhe ambientin.

"Një lëvizje e zgjuar propagandistike"

Stadiumi 974 do të jetë një nga tetë stadiumet, ku do të luhen 64 ndeshjet e Kampionatit Botëror nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor 2022. "Nëse shikoni kritikat për të gjitha stadiumet e mëdha, që janë ndërtuar nëpër botë dhe më pas nuk janë përdorur, atëherë ky është si të thuash i dobishëm”, thotë Zeina Khalil Hajj për DW. Por aktivistët e klimës me fokus Lindjen e Mesme shohin te ky projekt edhe një "lëvizje të zgjuar propagandistike" nga vendi me emetimet më të larta të CO2 për frymë në botë.

Fotografi: Nikku/Xinhua News Agency/picture alliance

"Kjo nuk do të thotë se ata janë ndotësi më i madh në botë. Kjo vetëm do të thotë, se kanë një detyrim dhe luajnë një rol të rëndësishëm", shpjegon Hajj. "Ata kanë përgjegjësi si komb i pasur. Dhe duhet të japin kontributin e vet. Kjo do të thotë, që duhet ta ndryshojnë sjelljen si konsumatorë. Por ajo që bëjnë në vend të kësaj, është e gjithë kjo makineri propagandistike"

Një kampionat neutral për klimën?

Bodour Al Meer e kundërshton këtë: "Katari është një vend i vogël, me zhvillim të shpejtë dhe përgatitja për kampionatin ka përshpejtuar planet tona kombëtare të zhvillimit", thotë kryetarja e komitetit organizativ në përputhje me mjedisin. "Vizioni që kemi për vendin tonë, është harmonia mes rritjes ekonomike, zhvillimit social dhe mbrojtjes së mjedisit."

Në këtë kontekst Katari dhe FIFA shpallën kampionatin e parë botëror neutral ndaj klimës në histori. Dokumenti përkatës përmban reduktimin e emetimeve, stadiume me efikasitet energjetik dhe rrugë të shkurtra transporti. Në dokument theksohet gjithashtu se "emetimet e mbetura pashmangshmërisht duhet të kompensohen".

"Greenwashing" – kompensim në vend të shmangies

Të gjitha synime per t'u përshëndetur", thotë Phillip Sommer nga Deutsche Umwelthilfe (Organizata Ndihma Gjermane për Mjedisin). Por të kompensosh "emetimet e pashmangshme" duke mbjellë një milion pemë, siç ka premtuar Katari, në vend që të përdorë energjinë e diellit ose të erës për ftohjen e shtatë prej tetë stadiumeve (stadiumi 974 nuk ftohet) dhe furnizimin me rrymë elektrike, nuk mund të quhet "mbrojtje mjedisi.” "Është një lloj greenwashing vetëm për të kompensuar”, thotë Sommer për DW.

Fotografi: Olaf Jansen

Ftohja e stadiumeve kërkon shumë energji, prandaj turneu është shtyrë pesë muaj për të shmangur vapën përvëluese të verës. Megjithatë pritet që Katari në nëntor dhe dhjetor të vazhdojë përdorimin e ajrit të kondicionuar nga lëndët djegëse fosile në stadiumet e hapura, si dhe në qendra tregtare, tregje dhe përgjatë trotuareve me kalimtarë.

"Ata duhet të kalojnë tërësisht në energjitë e ripërtëritshme. E gjithë rryma dhe ajri i kondicionuar duhet të mundësohen nga energjitë e ripërtëritshme", thotë Sommer. "Dhe nëse ndërtojnë sisteme të reja energjetike me këtë rast, sigurisht që ato mund të shfrytëzohen më vonë për popullsinë atje."