1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier: Bisedimet për Kosovën duhet të kenë perspektivë të ngushtë kohore

Anila Shuka5 Korrik 2007

Ministri serb i punëve të jashtme Vuk Jeremiç zhvilloi të enjten vizitën e tij të parë zyrtare në Berlin

Ministri gjerman i punëve të jashtme Frank Valter SteinmeierFotografi: dpa

Për ministrin gjerman të punëve të jashtme Frank Valter Steinmeier, homologu i tij nga Serbia, Vuk Jeremiç nuk ishte i panjohur. Ish këshilltarin e presidentit demokrat, Boris Tadiç, Steinmeier e prezantoi në fillim të konferencës së shtypit, jo vetëm si homolog, por edhe si mik: "Gëzohem që në Serbi është emëruar një ministër i jashtëm, me të cilin kemi që tani marrëdhënie të mira dhe me të cilin kemi bashkëpunuar në të kaluarën ngushtë dhe me mirëbesim", tha shefi i diplomacisë gjermane të enjten në Berlin.

Në këtë harmoni dukej se ishte zhvilluar edhe biseda mes dy kryediplomatëve. 32 vjeçari Jeremiç i kishte raportuar "Frank Valter" për ambiciet e Serbisë: "Shpresojmë t'i përmbyllim bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit deri në shtator, ta nënshkruajmë atë deri në fund të vitit, dhe të fitojmë statusin e kandidatit deri në vitin 2008".

Gjermania, e cila si ish-kryetare e radhes BE-së, ka ndjekur gjithmonë strategjinë e inkurajimit, i mbështet planet e Serbisë. Steinmeier u tregua i sigurt që sukseset e deritanishme në bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës në të ardhmen do të shtohen.

Dy kryediplomatët ishin të dy të një mendimi, se zgjidhja e problemit të Kosovës duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit. "Në se Bashkësia Ndërkombëtare do të marrë një vendim të tillë, atëherë Serbia do të jetë në bord," premtoi Jeremiç.

Asnjëri prej të dyve nuk mund të thoshte se kur do të miratohet rezoluta. Sipas Steinmeierit, ende nuk mund të thuhet se a është arritur ndonjë përparim nga takimi Bush Putin.

Steinmeier kërkoi që në se zhvillohen bisedime të reja mes Kosovës dhe Serbisë, këto të mbahen brenda një perspektivë të ngushtë kohore: "Pa këtë perspektivë kohore, nuk do të ketë siguri dhe paqe në Ballkan", theksoi ai.

Si njëri, ashtu edhe tjetri e hodhën poshtë ndërmarrjen e hapave unilaterale. Steinmeier tha se nuk përjashton mundësinë që ato të ndodhin: "Mendime të tilla tashmë janë shprehur publikisht," pranoi ai. Por ai vuri në dukje, se pa rezolutën e Këshillin e Sigurimit do të vihej në rrezik edhe uniteti në Bashkimin Evropian.

Ministri serb i punëve të jashtme e hodhi poshtë tezën e ndarjes së Kosovës: Ai tha se ndarja nuk vjen në pyetje, sepse ky opcion është përjashtuar që në fillim nga Bashkësia Ndërkombëtare. "Nuk e di, se a do të hyjë më vonë në rendin e ditës, por Serbia nuk do të jetë ajo që do ta sjellë këtë propozim", tha Jeremiç.

Ministri serb hodhi poshtë çdo lloj ndarjeje të territorit të Serbisë, kudo që të kalonte kufiri.

Steinmeier argumentoi se "historia e Evropës me luftë, paqe dhe kufij të rinj, ka bërë që të mos ketë shtete monoetnike" dhe shtoi se një zgjidhje e tillë nuk ishte e përshtatshme as për Ballkanin.

Jeremiç pati vizita të enjten edhe në komisionin e jashtëm në Bundestag si dhe një takim me mnistrin gjerman të mbrojtjes Franz Jozef Jung.

Për të premten mbasdite ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Walter Steinmeier, ka ftuar në takim presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun dhe kryetarin Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin.