1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier falënderon Begajn për Ukrainën

20 Qershor 2024

Para se të shkonin në Hamburg për të mbështetur kombëtaren shqiptare në ndeshjen me Kroacinë, Begaj dhe Balla u pritën në takime zyrtare nga homologët e tyre në Berlin

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj  duke shtrënguar duart ngrohtësisht me presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj duke shtrënguar duart ngrohtësisht me presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier. Berlin, 19 qershor 2024Fotografi: Hannes P Albert/dpa/picture-alliance

Gjatë takimit në Berlin me homologun e tij shqiptar, Bajram Begaj, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier konfirmoi mbështetjen e fortë të Gjermanisë për aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, bëhet e ditur nga Zyra Presidenciale në Berlin. Në takim, të dy liderët diskutuan për situatën aktuale në Ukrainë. Steinmeier falënderoi Begajn për solidaritetin dhe ndihmën që Shqipëria ka ofruar për Ukrainën, thuhet nga i njëjti burim. Ishte vizita e parë zyrtare që Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj pati në Gjermani. Në dhjetor 2022 presidenti Steinmeier kishte qenë për një vizitë të gjatë në Tiranë, ku ndër të tjera kishte mbajtur edhe një fjalim në Parlamentin Shqiptar.

Begaj  e shfrytëzoi vizitën e tij zyrtare për të mbështetur nga afër në stadium kombëtaren shqiptare që u ndesh të mërkurën në Hamburg me Kroacinë (2:2). Krahas tij në stadium ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe një sërë politikanësh nga Shqipëria, ndër ta edhe ministri i brendshëm Taulant Balla.

Taulant Balla, Ministër i Brendshëm i Shqipërisë me Nancy Faeser, Ministre e Brendshme e Gjermanisë, në Berlin, më 19 qershor 2024. Ndërsa Balla i dhuroi homologes gjermane, një fanellë shqiptare me emrin Faser me numrin 13, ai mori prej saj si këmbim një fanellë gjermane me emrin Balla, dhe numrin 9.Fotografi: Innenministerium Albanien

Një ditë më parë edhe ministri i Brendshëm Balla kishte pasur një takim të shkurtër në Berlin me homologen e tij gjermane Nancy Faeser: "Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer mes policive të dy shteteve tona, në operacione të përbashkëta, por edhe në kuadër të Interpol, Europol dhe në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve kibernetike dhe migracionit të paligjshëm", tha Balla për DW. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj qeverisë dhe Policisë Gjermane për mbështetjen e ofruar Policisë Kriminale shqiptare dhe forcave RENEA". Balla tha më tej se "falë mbështetjes së vyer gjermane Policia e Shtetit do të ketë një shërbim modern dhe të sigurt komunikimi të brendshëm." Balla u shpreh për DW i kënaqur edhe me pjesëmarrjen e policëve shqiptare në kuadër të kampionatit. Policia shqiptare ka dërguar 16 policë në Gjermani për të komunikuar në stadiume me fansat shqiptarë. Të dy politikanët folën edhe për ministerialin e Ministrave të Brendshëm që do të mbahet në shtator në kuadër të Procesit të Berlinit.