1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve në Serbi

Anila Shuka22 Janar 2007

Zgjedhjet në Serbi dhe situata në Ballkan janë në krye të axhendës së çështjeve të jashtme në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel / Reagimet e para

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier
Ministri i jashtëm gjerman, Frank Walter SteinmeierFotografi: AP

Për ministrin gjerman të punëve të jashtme Frank Valter Steinmeier, rezultati i zgjedhjeve në Serbi është shpresëdhënës, megjithëse radikalët fituan numrin më të madh të votave: “Por të paktën më shumë se dy të tretat e vendeve në parlament do tu përkasin forcave demokratike, prandaj edhe unë shoh kushte të përshtatshme që në Serbi të krijohet një qeveri që do ta udhëheqë atë në rrugën evropiane, “ - tha Steinmeier para takimit në Bruksel.

Tani e rëndësishme është që kjo qeveri të krijohet sa më shpejt, shpreson i ngarkuari i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Javier Solana: “Jam i kënaqur që zgjedhjet ishin të rregullta dhe që shumica e votave shkuan në favor të forcave demokratike. Dhe shpresoj shumë që të krijohet sa më shpejt një qeveri që do të jetë në kursin pro evropian.”

Presidenca gjermane i premton që tani Serbisë mbështetje në rrugën drejt BE-së. Se si do të veprohet më tej, kjo është temë e drekës së punës. Jo të gjithë ministrat janë të gatshëm ta shpërblejnë rezultatin e zgjedhjeve me vazhdimin e negociatave për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit, kështu për shembull ministri i jashtëm i Holandës, Bernard Bot: “Më e rëndësishme është që ata nga ana e tyre të plotësojnë premtimin për bashkëpunimin e plotë me Tribunalin e Hagës. Nëse kjo do të ndodhë, ne jemi shumë të hapur për të vazhduar negociatat për marrëveshjen e asociim stabilizimit. Shpresoj që zgjedhjet do të iniciojnë një kurs të ri. Atëherë edhe ne do të jemi kooperues,”- u shpreh ai para takimit.

Ministrat po analizojnë edhe propozimin e mundshëm të Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Steinmeier është shprehur më parë optimist, se BE-ja do të jetë në gjendje të flasë me një gjuhë të përbashkët ndaj kësaj çështjeje. I të njëjtit mendimi është edhe ministri i Luksemburgut, Jean Asselborn: “Të gjithë janë të përgjegjshëm, edhe rusët, për këtë jam më se i bindur dhe prandaj ne duhet ta mbështesim këtë kompromis. Është rruga e vetme që na mbetet,” – tha ai.

Megjithatë sot nuk pritet të merren vendime konkrete për Serbinë. Në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE-së pasdite do të zhvillohet edhe takimi i parë i përfaqsuesve të Këshillit të Evropës, Komisionit dhe presidencës së Bashkimit Europian me Malin e Zi.

Ministrat do të trajtojnë gjatë dy ditëve edhe çështje të tjera si situatën në Lindjen e Mesme, sidomos mbas vizitës që i bëri rajonit në fundjavë kryediplomati i BE-së, Javier Solana, si edhe gjendjen në Somali e Sudan. Përveç kësaj ata pritet të dalin me një deklaratë të përbashkët kundër dënimit me vdekje të gjashtë infermiereve dhe mjekut bullgar në Libi.