1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier: Zgjidhje evropiane për problemet e migracionit

21 Shtator 2023

Gjatë vizitës së tij në Itali Presidenti Steinmeir bën thirrje për një zgjidhje evropiane të problemeve të migracionit. Gjermania dhe Italia i kanë arritur "kufijtë e kapaciteteve të tyre".

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier në Sirakuzë, të Italisë, ku u takua me Presidentin italian Sergio Mattarella.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier gjatë një vizite në Sirakuzë, të Italisë, ku u takua me Presidentin italian Sergio Mattarella.Fotografi: Britta Pedersen/dpa/picture alliance

Javën e kaluar në ishullin italian të Lampeduzës arritën me varka pothuajse 10,000 emigrantë, kryesisht nga Afrika e Veriut. Atyre ju shtuan gjatë këtyre tri ditëve edhe 1.100 të tjerë. Për shkak të numrit të madh të emigrantëve, autoritetet e ishullit shpallën gjendjen e jashtëzakonshme.

Franca bëri ndërkohë të qartë se nuk do të pranojë emigrantë nga ishulli italian i Lampedusës.

Steinmeier: Zgjidhje evropiane për problemet e migracionit

Kurse Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier  bëri thirrje gjatë një vizite në Itali për një zgjidhje evropiane për problemet e migracionit. Steinmeieri tha se sipas tij Gjermania dhe Italinë i kanë arritur "kufijtë e kapaciteteve të tyre".

"Pa rregulla të përbashkëta evropiane nuk mund t'ia dalim," tha Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier gjatë një vizite në Sirakuzë, të Italisë, ku u takua me Presidentin italian Sergio Mattarella.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier gjatë një vizite në Sirakuzë, të Italisë, ku u takua me Presidentin italian Sergio Mattarella.Fotografi: Francesco Ammendola/Italian Presidency via REUTERS

Rritja e numrit të refugjatëve që mbërrijnë në Itali dhe Gjermani, po i çon komunat dhe bashkitë në limitet e fundit të kapaciteteve të tyre. "Dhe kjo është arsyeja pse është edhe më e nevojshme që më në fund të gjejmë dhe të hyjë në fuqi një zgjidhje e përbashkët evropiane ”, tha Steinmeier.

Steinmeieri tha se në Gjermani dëshiron të shohë "një debat më të sinqertë" rreth pyetjes se "çfarë instrumentesh janë të mundshme". Nga njëra anë është e nevojshme që të vijnë më pak njerëz, por nga ana tjetër duhen luftuar edhe kontrabandistët. Në një intervistë për gazetën italiane "Corriere della Sera", Steinmeier foli për "zgjidhje humane dhe afatgjata të qëndrueshme evropiane" për të cilat tani duhet punuar "së bashku dhe në mënyrë të përqendruar".

"Përgjegjësi e jashtëzakonshme humanitare”

Steinmeieri falënderoi Italinë që ka treguar një "shkallë të madhe përgjegjësie humanitare” ndaj "refugjatëve që vijnë përmes Mesdheut”. Tani për të përballuar "barrat e mëdha" që mbajnë si Italia dhe Gjermania, është e nevojshme një "ndarje e drejtë e barrës në Evropë", si dhe "një kontroll dhe mbikëqyrje më e rreptë e kufijve tanë të jashtëm evropianë" - tha Steinmeier.

Ditët e fundit mijëra refugjatë nga Afrika zbarkuan në ishullin e vogël jugor italian të Mesdheut, LampedusaFotografi: Ciro Fusco/ZUMA Press/IMAGO

Ditët e fundit mijëra refugjatë nga Afrika zbarkuan në ishullin e vogël jugor italian të Mesdheut, Lampedusa. Qeveria gjermane e ka pezulluar në gusht programin për pranimin vullnetar të emigrantëve nga Italia – edhe në shenjë proteste kundër faktit se Italia aktualisht po bllokon kthimin e azilkërkuesve sipas të ashtuquajturave rregulla të Dublinit.

Italia kryesisht trampolinë për në vendet e tjera të Evropës

Sipas shifrave të qeverisë italiane që nga fillimi i vitit në Itali kanë mbërritur më shumë se 130,000 migrantë - pra pothuajse dy herë më shumë se gjatë gjithë vitit 2022. Megjithatë për sa u përket kërkesave të paraqitura për azil Italia qëndron shumë pas vendeve të tjera anëtare të BE-së. Në Itali në vitin 2022 janë dorëzuar 84,000 kërkesa për azil, kurse në Francë 156,000 dhe në Gjermani 244,000.

 

DW (AFP, dpa, Reuters)