1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier me Troiken ne Beograd

Anila Shuka7 Shkurt 2007

Kosova është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të presidencës gjermane. Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter-Shtajnmajer kryeson sot troikën evropiane që pritet pasdite në Beograd

Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter Steinmeier
Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter SteinmeierFotografi: AP

Si përfaqësues i kryesisë së radhës së Bashkimit Evropian shefi i diplomacisë gjermane do të udhëheqë gjatë vizitës së tij disa orëshe të ashtuqajturën Troika Evropiane, ku bën pjesë edhe komisioneri i BE-së për zgjerimin, Olli Rehn, si edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për çështje të Sigurisë dhe të Jashtme, -Havier Solana. Ky i fundit më parë do të shkojë për vizitë në Prishtinë

Jo vetëm presidenti Boris Tadiç, por edhe kryeministri i qeverisë aktuale, Vojisllav Kostunica, si edhe ministri i jashtëm, Vuk Drashkoviç, do të presin pasdite në Beograd tre përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian. Në krye të delegacionit është ministri gjerman i punëve të jashtme, Shtajnmajer (Frank Walter Steinmeier), si përfaqësues i kryesisë së radhës së BE-së: "Me këtë vizitë duam të tregojmë interesimin tonë në zhvillimin evropian të vendit", pat thënë ai javën e kaluar. "Serbia, si vendi më i madh në Ballkan mund dhe duhet të jetë një nga ruajtësit kryesorë të stabilitetit,"- shtoi ai me rastin e anoncimit të vizitës.

Bashkimi Evropian është i gatshëm të shpërblejë çdo lëshim që bën Serbia në drejtim të tij ka sinjalizuar Berlini. Prandaj edhe vizita e tanishme e trojkës konsiderohet si mjaft e rëndësishme për ardhmërinë e Serbisë. Tema kyçe megjithatë mbetet ajo e Kosovës. Kërkesa ndaj Beogradit është e qartë: "Ne presim nga liderët demokratikë të Serbisë që të tregojnë përgjegjësi në këtë proces të rëndësishëm të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Eshtë në interes të Serbisë, që të mbetet konstruktive në këtë proces të drejtuar nga OKB-ja", deklaroi të hënën në Bruksel zëdhënësi i Komissionerit të Zgjerimit, Olli Rehn, Pietro Petrucci.

Nga qarqet diplomatike në Bruksel nuk përjashtohet mundësia që qëndrimi konstruktiv i Serbisë ndaj çështjes së Kosovës të shpërblehet me vazhdimin e negociatave për marrëveshjen e Asociim Stabilizimit, që është ndërprerë në pranverën e vitit të kaluar. Një sinjal i ngjashëm iu dha Serbisë në samitin e NATO-s në Rigë në nëntor 2006 me ofertën për pjesëmarrje në Programin e Partneritetit për Paqe, duke anashkaluar kushtin kryesor të vendosur deri asokohe ndaj Beogradit, bashkëpunimin e plotë me tribunalin e Hagës. Kryeprokurorja, Carla del Ponte, e cila qysh mbas vendimit të Natos në Rigë qe shprehur e zhgënjyer, pat shkuar javën e kaluar në Bruksel për të biseduar për këtë çështje me shefin e diplomacisë evropiane, Havier Solanën. Por Solana nuk reagoi mbas bisedës me Del Ponten.

Apelet e mëparshme të BE-së ndaj Serbisë për bashkëpunim me Hagën, tani janë zëvendësuar nga ato për bashkëpunimin me të ngarkuarin e OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisaari. Kosova është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të presidencës gjermane: "Vështrimi ynë është drejtuar nga Kosova. Kemi një interes të përbashkët që rajoni të mbetet i stabilizuar,“ – pat thënë Shtajnmajer javën e kaluar mbas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Ndërsa shqiptarët tashmë e kanë deklaruar pjesëmarrjen e tyre ne konsultimet me Ahtisaarin, më 13 shkurt, Serbia kërkon që të pritet derisa të mblidhet parlamenti, i dalë nga zgjedhjet e 21 janarit. Deri tani Gjermania është shprehur kunder shtyrjes së negociatave.