1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier vlerëson kontributin e turqve në Gjermani

23 Prill 2024

Kjo është vizita e parë e presidentit Steinmeier në Turqi. Ajo ka të bëjë edhe me trajtimin e një kapitulli të veçantë të historisë gjermano-turke. Megjithatë, fillimi i udhëtimit u ndërpre nga protesta të zhurmshme.

Deutschland Bundespräsident Steinmeier in der Türkei
Fotografi: Umit Bektas/REUTERS

Kjo është hera e parë në dhjetë vjet që një president i Gjermanisë viziton Turqinë:Frank-Walter Steinmeier do të kalojë tre ditë në brigjet e Bosforit. Në fillim të vizitës së tij, Steinmeieri vlerësoi jetën e emigrantëve turq në Gjermani dhe kontributin e tyre në mirëqënien e Gjermanisë.

Sot, në Gjermani jetojnë pothuajse tre milionë vetë me origjinë turke dhe "ndihmojnë në formësimin e shoqërisë sonë", tha presidenti gjerman gjatë një vizite në stacionin Sirekci në Stamboll, nga ku qindra mijëra turq janë larguar për në Gjermani që nga viti 1961 si "punëtorë mysafirë". "Ata ndihmuan në ndërtimin e vendit tonë, e bënë të fortë dhe i përkasin zemrës së shoqërisë sonë”.

Në fjalën e tij, Steinmeieri më pas kujtoi se historia e migrimit gjermano-turk kishte ndodhur gjithashtu në drejtim të kundërt. Në shekullin e 19-të, varfëria dhe papunësia i shtynë artizanët gjermanë në Anadoll. Dhe gjatë epokës së nacionalsocializmit, Turqia u bë një vend strehimi për shumë artistë dhe intelektualë gjermanë.

Fotografi: IBB

Qindra mijëra punëtorë emigrantë për në Gjermani

"Ndërsa gjermanët ndihmuan në projektimin dhe ndërtimin e kryeqytetit të ri, Ankara në vitet 1930, ishin punëtorët emigrantë nga Turqia që ndihmuan në ndërtimin e ekonomisë së Republikës së re Federale të Gjermanisë që nga vitet 1960 dhe të cilët, për katër breza, kanë kontribut vendimtar në mirëqënien tonë, " tha Steinmeier.

Qeveritë në Bonn dhe Ankara nënshkruan një marrëveshje rekrutimi në vitin 1961. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme, nga Turqia erdhën në Gjermani rreth 876.000 persona. Shumë nga këta punëtorë mysafirë sollën familjet e tyre dhe qëndruan përgjithmonë. Historitë e emigrantëve turq dhe gjermanë janë pjesë e historisë sonë, tha Steinmeier. "Këta nuk janë njerëz me origjinë migrimi – Gjermania është një vend me origjinë migrimi.”

Për të gjurmuar historitë e punëtorëve emigrantë të asaj kohe, Steinmeieri kishte ftuar një sërë mysafirësh me origjinë turke që ta shoqëronin. Gastronomi Arif Keles, brezi i tretë, që drejtonte një qebaptore në Berlin, tërhoqi më shumë vëmendjen. Madje, ai mori në avionin për në Stamboll një hell qebapi të ngrirë 60 kilogramësh, me salcat dhe përbërësit e tij, për ta shërbyer po atë mbrëmje në një pritje në rezidencën verore të ambasadorit të Gjermanisë.

Në fushën e kuzhinës, qebapi është një shembull sesi Gjermania dhe Turqia janë afruar më shumë, tha Steinmeier. "Edhe mua më pëlqen të ha shishqepab”.

Shkasi zyrtar i kësaj vizite është 100 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Gjermanisë dhe Republikës së Turqisë Presidenti Federal shoqërohet nga përfaqësues të Qeverisë Federale, duke përfshirë Ministrin Federal të Financave, Christian Lindner.

Fotografi: IBB

Takimi me Erdoganin të mërkurën

Bashkëbiseduesi i parë i Steinmeierit në Turqi ishte kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu, i cili është një nga politikanët më të njohur të opozitës në Turqi. Shumë turq kritikë ndaj qeverisë e shohin Imamoglun si rreze shprese - dhe president të mundshëm të ardhshëm.

Steinmeier do të takohet me Presidentin aktual Rexhep Tajip Erdogan në kryeqytetin Ankara, në ditën e tretë të vizitës së tij. Në zgjedhjet e fundit komunale, votuesit i dhanë një mësim Erdoganit dhe partisë së tij. Për herë të parë, AKP nuk është më forca udhëheqëse e vendit. Partia kryesore opozitare, CHP, anëtare e së cilës është Imamoglu, triumfoi në të gjithë vendin.

Marrëdhëniet dypalëshe në nivel qeveritar kanë qenë të vështira prej vitesh. Gjermania beson se Turqia ka mangësi kur bëhet fjalë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Vitet e fundit, presidenti Erdogan ka reaguar rregullisht ndaj kritikave të tilla nga Gjermania me zemërim të hapur.

Presidenti Federal shoqërohet nga përfaqësues të Qeverisë Federale, duke përfshirë Ministrin Federal të Financave LindnerFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Protesta të forta propalestineze

Ndër dallimet aktuale në politikën e jashtme është vlerësimi i situatës në konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve. Erdogani mbështet militantët islamikë të Hamasit në Rripin e Gazës dhe fundjavën e kaluar priti liderin e Hamasit jashtë vendit Ismail Hanija. Kurse BE e konsideron Hamasin një organizatë terroriste.

Demonstruesit propalestinezë ndërhyjnë në vizitën e presidentit gjerman. Fillimi i vizitës së Steinmeier në stacionin Sirekci u ndërpre me zë të lartë nga një grup demonstruesish propalestinezë. Rreth 50 meshkuj dhe femra thërrisnin slogane si "Gjermania vrasëse" dhe "përkrahës të gjenocidit" në një platformë treni pesëdhjetë metra larg, dhe vringëllonin postera në të cilët shfaqeshin krah për krah portretet e Steinmeierit dhe Adolf Hitlerit, ylli blu i Davidit dhe një svastika e kuqe. Forcat e sigurisë nuk arritën t'i zmbrapsnin. Steinmeieri, megjithatë, vazhdoi vizitën e tij në stacion pa u penguar.

 

 

 

aud (tagesschau)