Sternisinger - Të jesh një ditë mbret
2 Janar 2013
Sara është 15 vjeç dhe për të shtatin vit resht merr pjesë në këtë aksion: "Eshtë kënaqësi të shkosh tek njerëzit dhe të përjetosh, se sa shumë gëzohen ata për këtë vizitë", thotë ajo. Jakob është 6 vjeç dhe merr pjesë për herë të parë në aksionin e Sternsinger. "Me paratë e mbledhura ne mund t' i shpëtojmë jetën një fëmije.Vërtetë!", thekson ai. Sara dhe Jakob nga Osnabryku janë vetëm dy nga rreth 500.000 fëmijë, në ditën e Epifanisë më 6 janar udhëtojnë nëpër qytet e krahinë si Sternsinger, apo bamirës. Të veshur si Tre Mbretërit Shenjtorë ata shkojnë shtëpi më shtëpi dhe mbledhin para për fëmijët në vështirësi. 20 + C + M + B + 13 shkruajnë ata nëpër portat e shtëpive ku trokasin. Kjo do të thotë: Christus mansionem benedicat – Krishti e bekoftë këtë shtëpi. Por që me këtë rast tre mbretërve u jepen pafund embëlsira e çokollata ky është vetë një efekt i këndshëm anësor. "Njerëzit dhurojnë aq shumë ëmbëlsira, sa që kemi mundësi më pas t'ua dërgojmë ato fëmijëve në befortrofe apo shtëpi jetimësh në Osnabryk", tregon Miriami njëmbëdhjetëvjeçare.
Se për kë janë këto para fëmijët e dinë mjaft mirë. Sepse çdo vit shoqata Misioni i Fëmijëve "Die Sternsinger" dhe Lidhja e të Rinjve Katolikë të Gjermanisë (BdKJ) si organizatorë të përbashkët të këtij aksioni publikojnë një material të përshtatur për fëmijët, përmes të cilit fëmijët mësojnë, se çfarë bëhet me këto para. "Ne gjithmonë në dhjetor kemi një takim përgatitor, ku shfaqen filma dhe fëmijët njihen si shembull me njërin nga vendet, ku dërgohen ndihmat", thotë Marion Gerdes, e cila si referente e komunitetit të Shën Elizabetës në Osnabryk është përgjegjëse për aksionin. "Unë përherë befasohem se sa me vëmendje ndiqet filmi nga fëmijët dhe sa përshtypje u bën atyre situata e fëmijëve në vendin përkatës që prezantohet." Sivjet si shembull prezantuam Tanzaninë. "Në Tanzani flitet kizuaheli", ka mësuar tashmë Jakobi. "Në vend që të thonë‚ Hallo!' atje thuhet‚ Jambo!'". Përveç kësaj ai ka mësuar, që në këtë vend afrikan ka shumë pak spitale, mjekë dhe medikamente. "Ndaj një spitali në Tanzani do t'i dhurohet nga Sternsinger një autoambulancë speciale - një autoambulancë fuoristradë."
Solidaritet me fëmijët e varfër qysh nga viti 1959
Që Sternsinger vishen si mbretër, kjo të kujton historinë biblike të të urtëve nga orienti, të cilët Jezusit të sapolindur i sjellin dhuratë tymjan, mirrë dhe ar. Ashtu si këta mbretër asokohe ndiqnin një yll, për të gjetur fëmijën në grazhdë, edhe mbretërit e vegjël sot ndjekin një yll, që e mbajnë me vete. Në Gjermani kjo traditë e vjetër u riaktivizua në vitin 1959. Ajo çka nisi me pak, është kthyer sot në një aksion të madh solidariteti të fëmijëve për fëmijët në mbarë botën. Disa qindra milionë euro janë mbledhur përmës këitj aksioni për programe ndihme për fëmijët në Afrikë, Amerikën Latine, Azi, Oqeani dhe në Evropën Lindore. Veçanërisht arsimi, shëndetësia, ushqimi dhe ndihma për fëmijët me aftësi të kufizuara janë në fokus të programeve të ndihmës.
Ndërkohë Sternsinger organizojnë më shumë se sa vetëm aksionin në janar. Shoqata Misioni i Fëmijëve gjatë gjithë vitit ofron informacione dhe materiale për kopështet e fëmijëve, shkollat dhe komunat, për të tërhequr vëmendjen për fëmijët në vështirësi në mbarë botën si dhe për të diskutuar mbi mënyrën e jetesës së fëmijëve në Gjermani. Të rinj në moshë madhore kanë mundësinë, që të bashkëpunojnë vullnetarisht për një vit në njërin prej programeve. Në faqen e internetit të Sternsinger ka shumë informacione për përdorimin e parave të ndihmës dhe për gjendjen në vendet e varfëra.
Kërkesat ndaj politikanëve
Sternsinger kërkesat e tyre ia prezantojnë politikës: Çdo vit grupi me përfaqësues nga secila prej 27 dioqezave katolike në Gjermani shkon në Berlin, për të sjellë bekimin e Zotit në zyrën e kancelarit dhe për të kënduar e për të apeluar atje për të drejtat e fëmijëve. Nga aksioni i vitit të kaluar kancelarja Angela Merkel u impresionua mjaft nga "mesazhi i qartë" i vizitës mbretërore dhe u mrekullua prej veshjeve vezulluese dhe yjeve që mbanin ata me vete duke i konsideruar ata si një "model ndriçues" të angazhimit për të tjerët. Në janar 2013 sërish Sternsinger do të jenë në kancelari - kësaj here është edhe Sara e pranishme. "Do të jetë vërtetë impresionuese", thotë 15 vjeçarja. Paula 17 vjeçare, e cila gjithashtu do të shkojë në kancelari në Berlin shton: "Udhëtimi do të zgjasë më shumë se dy ditë". Të enjten në mbrëmje kemi provën dhe të premten shfaqjen." Për të rinjtë kjo do të jetë një ditë interesante dhe që përmban edhe paksa forimim politik. Sepse Sternsinger është më shumë se sa vetëm folklor. Ky është një angazhim praktik për të drejtat e fëmijëve në të gjithë botën.