Stoltenberg fton Zelenskin në samitin e NATO-s në Vilnius
21 Prill 2023Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ftoi gjatë një takimi të paralajmëruar në kryeqytetin ukrainas Kiev, presidentin Zelenski që të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të NAT-s në Vilnus.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i premtoi Kievit ndihmën e aleancës ushtarake "për aq kohë sa të jetë e nevojshme". "Ukraina meriton një vend në NATO”, tha 64-vjeçari në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski. "Të gjithë aleatët ranë dakord për këtë," shtoi ai. Sipas Stoltenbergut shtetet e aleancës kanë dhënë më shumë se 136 miliardë euro ndihmë ushtarake që nga fillimi i luftës.
Gjatë vizitës së tij Stoltenbergu nderoi në murin e jashtëm të Manastirit qendror të Shën Mihalit ushtarët e rënë ukrainas. Stoltenbergu vizitoi gjithashtu periferitë e Kievit, Irpin dhe Bucha, të cilat u pushtuan nga trupat ruse në pranverën e vitit 2022 dhe ku më vonë u gjetën trupat e qindra civilëve.
Zelenski e falënderoi Stoltenbergun për ftesën për të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Vilnius në korrik. "Ka ardhur koha që liderët të përcaktojnë perspektivat e anëtarësimit të Ukrainës në NATO”, tha 45-vjeçari. Në rrugën drejt anëtarësimit Ukraina gjithashtu ka nevojë për garanci sigurie nga aleanca ushtarake. Një nga qëllimet e luftës së Rusisë është të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Presidenti i kërkoi gjithashtu aleancës që të ndihmojë Kievin për të kapërcyer "ngurrimin" e disa vendeve anëtare për të furnizuar Ukrainën me armë të caktuara. Bëhet fjalë për armë me rreze të gjatë, avionë modernë, artileri dhe mjete të blinduara.