1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strategji e re energjitike në Gjermani

7 Mars 2012

Tetë reaktorë bërthamorë u mbyllën menjëherë, u vendos dalja nga energjia bërthamore dhe u shpejtua zhvillimi i energjive të ripërtëritshme. Cila është rruga e kthesës energjitike?

Deutschland Solarsiedlung von Rolf Disch in Freiburg
Fotografi: Rolf Disch Solararchitektur

Gjermania u shokua nga shpërthimet e centraleve bërthamorë para bregdetit japonez. Mijëra vetë protestuan kundër energjisë atomike në vendin e tyre. Edhe kanclelarja Angela Merkel reagoi dhe ndryshoi qëndrimin ndaj energjisë atomike: "Unë kam qenë gjithmonë ithtare e energjisë bërthamore. Por në Japoni pashë se parashikimet, planifikimet – edhe për sigurinë – në një vend shumë të zhvilluar industrial nuk kanë mjaftuar për energjinë atomike. Dhe kjo shkaktoi fatkeqësinë. Për këtë arsye, sipas mendimit tim, ne duhet të ndryshojmë qëndrim edhe në Gjermani dhe të përpiqemi më shpejt, që pa energji bërthamore të mbulojmë si duhet furnizimin me energji."

Me mbështetjen e thuajse të gjitha partive parlamenti gjerman në fund të qershorit 2011 kërkoi mbylljen e menjëhershme të 8 reaktorëve më të vjetër atomikë. 9 reaktorët e tjerë të mbetur duhet të mbyllen deri në vitin 2022.

Shfrytëzimi i energjisë diellore në çatinë e një shkolle në HorbFotografi: Bernward Janzing

Strategjia e re përkrahet  nga qytetarët

Kthesa energjitike e qeverisë konservatore në Gjermani është një sinjal i rëndësishëm. Kushtet fillestare për këtë janë të mira, sepse 10 vjet më parë qeveria e mëparshme, pati nisur kthesën e parë energjitike. Eksperti i partisë së gjelbër për çëshjet energjetike Hans-Josef Fell ka kontribuar që atëherë për ligjet dhe është i kënaqur me zhvillimet e sotme.

"Zgjerimi i energjive të ripërtërishme është kryer 90 përqind nga qytetarët dhe sipërmarrjet. Ka sipërmarrje të reja, që kanë zhvilluar dhe përhapur teknologjinë e re. Sipërmarrje, që prodhojnë energji diellore dhe energji ere, të cilat më parë nuk kanë ekzistuar. Kjo tregon se zgjerimi i energjive të ripërtëritshme në Gjermani është më shumë një lëvizje qytetare e mbështetur nga politika. Politika me ligjin për energjitë e rivonueshme ka mbështetur këto aktorë të rinj, duke u dhënë atyre një bazë ekonomike të qëndrueshme."

Zhvillimi i sektorit të energjisë së ripërtëritshme

Në fund të vitit 2011 rreth 21 përqind të furnizimit me energji u realizua nga energjitë e ripërtëritshme, rreth katër përqind më shumë se një vit më parë. Pjesën më të madhe të energjisë elektrike e ofron energjia e erës me rreth tetë përqind, e ndjekur nga energjia e krijuar nga bioenergjia (6 %). Janë shtuar edhe shumë sisteme të tjera të energjisë solare, nga të cilat sigurohet katër përqind më shumë rrymë se nga hidroenergjia.

Për zgjerimin e mëtejshëm të energjive të ripërtëritshme duhen zgjeruar rrjetet e përçimit dhe magazimit të energjisë. Edhe një sistem inteligjent kontrolli është i nevojshëm për të koordinuar ofertën e luhatshme të energjisë së erës dhe asaj diellore me konsumin. Këtu sipas mendimit të të gjithë ekspertëve ka shumë për të bërë. Ish shefi i programit të OKB-së për mjedisin, Klaus Tëpfer, i cili këshillon kancelaren Merkel për politikën energjitike, e sheh Gjermaninë në rrugën e duhur, por kërkon nga qeveria edhe me shumë angazhim dhe koordinim.

"Shqetësimi im është se zbatimi në Republikën Federale të Gjermanisë po bëhet momentalisht në mënyrë amatoreske. Ne kemi nevojë urgjente për menaxhim profesional të projekteve."

Deri në vitin 2020 qeveria do të prodhojë së paku 35 përqind të rrymës nga energjitë e ripërtërishme. Por po të vazhdojë kjo dinamikë mendohet se do të arrihen rreth 50 përqind.

Autor: Gero Rueter/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW