Studentët në Gjermani probleme të mëdha në akomodim
6 Nëntor 2012
Muret agjencisë që merret me strehimin e studentëve në Karlsruhe janë të mbushur me njoftime studentësh që kërkojnë dhoma me qira, apartamente apo ndarje qiraje. Në Karlsruhe ndodhen 9 universitete dhe studiojnë mbi 40 mijë studentë. Semestri sapo ka nisur dhe shumë studentë ende nuk janë akomoduar.
"Jam duke kërkuar për një dhomë. Kam një muaj që kërkoj, por nuk kam gjetur asgjë. Në Karlsruhe është e vështirë të gjesh një dhomë,“ thotë një student i vitit të parë në degën e Drejtësisë. „Deri tani ende nuk kam gjetur asgjë që plotëson nevojat e mia. Një dhomë me internet, lavatriçe dhe një krevat. Pra gjërat bazike, por është e vështirë,“ shton një shok i tij.
Më shumë studentë
Ka shumë arsye se përse gjetja e një dhome apo apartamenti të vogël është e vështirë. Në përgjithësi është numri në rritje i të rinjve të cilët studiojnë dhe ne veçanti në vitin e parë të studimeve. Ky numër është rritur për shkak të ndryshimeve të fundit në sistemin arsimor të Gjermanisë. Për pasojë vetëm në landin e Baden Würtemberg në auditorët e universiteteve këtë janë ulur 22 mijë studentë më shumë.
Studentja Tina Becker e quan normale dhomën e saj, por ju nuk mund të përdorni fjalën normale nëse do ta shihnit. Dhoma e saj ndodhet në një vitrinë të madhe dyqani në rrugën kryesore të dyqaneve të Karlsruhes. Tina është një prej studenëve që rrijnë përkohësisht në vitrinë për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve vendore dhe qytetarëve për problemin e studentëve.
“Prej një jave studentët jetojnë në këtë vitrinë në përpjekje për të gjetur një dhomë sepse këtu është shumë vështirë të gjesh një të tillë. Për shembull në apartamentin tim unë kisha një dhomë të lirë dhe nxora njoftimin në Internet. Për një orë më erdhën më shumë 100 e-maile nga të rinj që kërkonin një dhomë,” thotë Becker për DW.
Studentët, burim të ardhurash për qytetet
Ndërkohë që problemi i gjetjes së një banese për t'u akomoduar është i vështirë, banorët janë duke kuptuar se është mirë të kesh studentë në qytet. Mijëra studentë sjellin përfitime financiare për familjet, por edhe për bizneset e qytetit. Norbert Käthler, i cili është pjesë e Zyrës së Marketingut të qytetit të Karlsruhes, drejton fushatën e akomodimit.
“Qytetet i duan gjithmonë të rinjtë. Në përgjithësi ata kanë një ndikim në kulturën e qytetit. Ata krijojnë kulturën e tyre. Ata janë një faktor i rëndësishëm në organizime të ndryshme. Qyteti ka 300 mijë banorë dhe në 10 banorë 1 është student. Pra është një qytet i ri, çka është shumë e rëndësishme për atmosferën e tij,” thotë Käthler.
Karlsruhe është shtëpia e disa prej universiteteve më të mira në Gjermani dhe një pjesë e studentëve rrinë në qytet edhe pasi kanë përfunduar studimet. Qendrimi i disa prej njerëzve më të përgatitur të vendit në këtë qytet është shumë i rëndësishëm. Por nëse studentët nuk gjejnë akomodim në ditët e para këtu atëherë është një humbje për qytetin. Marketingu është i mirë, por nëse ai i dedikohet akomodimit të studentëve është akoma më mirë.