1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150711 Umwelt Studium

17 Korrik 2011

Teknologjia e mjedisit në Gjermani është duke përjetuar një bum. Dega e energjive të ripërtëritshme është vënë në kërkim të specialistëve. në Gjermani ka mbi 350 degë që kanë të bëjnë me mjedisin, klimën etj.

Eksperte për ambientin: Braziliania Bianca Souza Krupinsk.
Eksperte për ambientin: Braziliania Bianca Souza Krupinsk.Fotografi: DW

“Unë munda të mësoj shumë gjëra për mjedisin gjatë studimeve në Gjermani, por edhe në jetën e përditshme. Këtu njerëzit mendojnë për mjedisin, shumë syresh përdorin me të vetëdije trenin, e jo veturën, vetëm që të mos ndotin ambientin”, - rrëfen me entuziazëm braziliania Bianca Souza Krupinsk. Prandaj edhe Gjermania për të është vendi ideal për një studim "të gjelbër" master.

Barbara dëshëron të punojë jashtë shtetit.Fotografi: DW

Angazhim aktiv për gjetjen e zgjidhjeve

Studentja tjetër Barbara Kölsch e dëgjon këtë me kënaqësi, por ajo nuk beson se vetëdija ambientaliste në Gjermani është vërtet kaq shembullore:

„Sigurisht që vetëdija ka hyrë në mendjen e shumë njerëzve, por çfarë po vihet në jetë në të vërtetë? Apo ka dalë moda tani që papritur të gjithë të flasin për mjedisin? Flitet edhe për skizofreni ambientaliste, për ata që thonë 'Oh Zot, sa keq që është gjendja!', por nuk bëjnë asgjë për ta ndryshuar, sepse nuk duan të prishin rehatinë.“

Të ulesh në një lokal me një gotë verë bio përpara e të filozofosh për klimën dhe mjedisin, ky nuk është stili i Barbaras e Biancas. Studentet duan të gjejnë zgjidhje – dhe për këtë ato hulumtojnë pasojat e ndryshimit të klimës në ekonominë ujore, mësojnë lëndë të tilla si klimatologji (ligjet e transformimit të klimës), botanikë,
pedologji (studimi i tokës), kimi mjedisi, por edhe lëndë të tilla si menaxhim projekti dhe e drejta ndërkombëtare e kontratës bëjnë pjesë në ofertën e gjerë.

Kjo larmi e joshi edhe bursistin indonezian Anang Bagus Setiawan drejt shkollës së lartë Ostfalia në Suderburg të Saksonisë së Poshtme.

Njohuritë e fituara aplikohen në vendet e origjinës

“Ne nuk mësojmë vetëm për ujërat e zeza, ujin e pijshëm dhe ndërtime ujore, por edhe politikë dhe ekonomi mjedisi. E kjo më pëlqen mua” - tregon ai.

Njohuri, të cilat ai tani mund t'i vërë në jetë në vendin e vet: Në gusht ai do të fillojë një praktikë tremujore ku do të merret me trajtimin e ujërave të zeza në Indonezi. Dëshira e tij është që të ndihmojë pikërisht banorët e fshatrave të largëta që të kenë ujë të pastër. E drejta për ujë dhe higjienë është e drejtë universale e njeriut.

Indoneziani i ri do që të angazhohet për këtë gjë mbas përfundimit të studimit. Ai nuk do që të qëndrojë në Gjermani mbas shkollës, megjithëse këtu ekspertët e mjedisit kanë shanse shumë të mira punësimi. Anang Bagus nuk është rast i rrallë, thotë profesor Klaus Röttcher, drejtor i degës “Ndryshime klimaterike dhe ekonomi ujore”. Treçereku i studentëve të tij kthehen sërish në vendet e origjinës, sepse aty ata duan të ndryshojnë diçka. Ata me siguri që gjejnë një vend të mirë pune, por disa gjëra mund t'ua vështirësojnë punën:

„Sigurisht që këtu studentët njihen me teknika dhe metoda, të cilat nuk mund t'i adoptojnë aq lehtë në vendet e tyre. Le të marrim si shembull standardet e larta të pastrimit të ujërave të zeza që kemi ne: në shumë vende ato nuk mund të realizohen një për një ose sepse janë shumë të shtrenjta, ose sepse rrethanat janë krejt të tjera”, - thotë profesor Röttcher.

Por profesor Röttcher është optimist që shkencëtarët e rinj do të gjejnë ndonjë zgjidhje kreative për ta përshtatur me situatën në terren atë çka kanë mësuar. Edhe vetë ai ka mësuar shumë gjëra nga studentët që vijnë nga jashtë: për shembull ata e kanë ndjerë mbi shpinën e tyre se sa shumë e pengon korrupsioni përparimin teknik për luftën kundër transformimit të klimës.

Profesor Klaus Röttcher me studentë të degës së masterit "Ndryshimi i klimës dhe ekonomia e ujit" .Fotografi: DW

Shanse të mira pune nëpërmjet "soft skills"

Prof. Gerhard de Haan, botues i broshurës „Studime dhe hulumtime për zhvillimin e qëndrueshëm”.Fotografi: Deutsche UNESCO-Kommssion

Për të luftuar barriera të tilla dhe për të sensibilizuar popullsinë për çështjet e mjedisit absolventët e degëve “të gjelbra” krahas degëve të specialitetit kanë nevojë edhe për të ashtuquajturat “soft skills”, pra njohuri të përgjithshme, thotë hulumtuesi i të ardhmes Gerhard de Haan. Ai është botues i broshurës „Studime dhe hulumtime për zhvillimin e qëndrueshëm” që u ofron studentëve një vështrim të përgjithshëm mbi degët e gjelbra në Gjermani. Enkas rreth kësaj teme ai ka hapur një faqe interneti, e cila përditësohet vazhdimisht. Ai thotë se të ashtuquajturat “soft skills” janë shumë të rëndësishme në këtë fushë, sepse...

„… tema e zhvillimit të qëndrueshëm kërkon shumë komunikim – pra kërkon shumë kontakte me qytetarët, shumë angazhim në mënyrë që ajo të perceptohet edhe nga jashtë”.

Me “soft skills” të nevojshëm absolventët e degëve të gjelbra kanë shanse të mira karriere – jo vetëm ekspertët teknikë, të cilët gjithsesi janë të kërkuar.

Krahas degëve me orientim teknik ka edhe shumë shkenca humane që ofrojnë degë specifike për politikën e mjedisit: në Augsburg për shembull që nga 2010a ofrohet teknologji mjedisi edhe në Fakultetin Teologjik. Parametrat mjedisorë janë shumë të rëndësishëm për Biancën, Anangun, Barbarën dhe studentët e tjerë. Dhe jo vetëm për studimin, por edhe në jetën e përditshme: 29-vjeçarja Barbara e refuzon në mënyrë të vetëdijshme udhëtimin me një veturë personale. Këtë qëndrim ajo dëshiron ta ruajë edhe më vonë, në jetën e përditshme.

Shënim: Informacione të mëtejshme për degët e gjelbra në Gjermani, hulumtuesi i të ardhmes Gerhard de Haan i ka përmbledhur në internet, në adresën:
www.leitfaden-nachhaltigkeit.de

Autor: Alexandra Scherle / Anila Shuka

Redaktoi: E. Xhani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW