1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkëmbimet akademike Gjermani - Shqipëri

Arben Muka20 Korrik 2012

Universiteti i Tiranës, si qendra më e madhe arsimore dhe kërkimore në Shqipëri ka nisur së fundi një bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare Gjermane për Ekonominë.

Fotografi: dpa

Biblioteka Kombëtare Gjermane për Ekonominë me një fond që numëron rreth 4 milionë tituj të publikimeve kërkimore e shkencore, për rektorin e Univresitetit të Tiranës prof. dr. Dhori Kule, është një ngjarje e jashtëzakonshme për institucionin që ai drejton: "Kapacitetet digjitale të Bibliotekës gjermane do të shfrytëzohen falas nga ana jonë, si nga pedagogët ashtu edhe nga studentët e Ekonomikut. Është fjala për literaturën në gjuhën angleze dhe gjermane. Duke u nisur nga fakti që gjuha gjermane ka përhapje të gjerë në rradhët e studentëve të Ekonomikut fondi është i dobishëm. Pa llogaritur këtu ata përdorues që do të shfletojnë versionet në anglisht. Impakti që presim është lehtësi në përdorimin e literaturës, por dhe përmirësim i cilësisë së punimeve kërkimore e shkencore të përgatitura nga stafi pedagogjik e studimor, si dhe nga temat e diplomës në të gjitha nivelet për studentët tanë."

Prof. dr. Dhori KuleFotografi: DW/Arben Muka

Kontribut i vlefshëm edhe në nivel rajonal

Prof. dr. Dhori Kule si nënshkrues i marrëveshjes për palën shqiptare, e shikon kontributin e Bibliotekës Kombëtare Gjermane për Ekonominë si një impakt në nivel rajonal. Sepse sipas tij, fillimisht përfaqësuesit gjermanë kanë vendosur ura komunikimi për aksesin e fondit me Univresitetin e Europës Juglindore në Tetovë dhe më pas marrëveshjet janë konkretizuar edhe me Universitetet e Tiranës dhe të Prishtinës. Në këtë treshe universitetesh shqipfolëse ky kontribut për përdorimin e bibliotekës në fushën e ekonomisë është shumë i rëndësishëm, thotë për DW rektori Kule, i cili është në të njëjtën kohë dhe kryetar i Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, që funksionon prej 5 viteve. "Nuk është rastësi akordi që universitetet tona kanë me Bibliotekën Kombëtare Gjermane për Ekonominë. Kjo është vazhdë e frymës së bashkëpunimit që kemi edhe me institucione të tjera nga Gjermania. Kështu edhe universitetet e tjera në Kosovë e Maqedoni kanë lidhje me universitetet gjermane. Rektori i Prishtinës është i orientuar edhe personalisht në këto lidhje, rektori i Universitetit të Europës Juglindore në Tetovë ka marrë në stafin e tij ekspertë gjermanë, po kështu dhe Universiteti i Tiranës. Kjo lidhje brenda nesh, një proces bashkëpunimi e integrimi brenda universiteteve shqipfolëse është një lehtësim në tendencat dhe synimin që kemi për të bashkëpunuar me institucionet europiane në tërësi dhe ato gjermane në veçanti."

Fotografi: DW / Arben Muka

Shkëmbimet akademike

Universiteti i Tiranës, me gati 40 mijë studentë në të gjitha nivelet e studimit dhe me më shumë se 1 mijë anëtarë të stafit pedagogjik me kohë të plotë ka zbatuar, ose ka në proces zbatimi një sërë marrëveshjesh kooperimi me institucionet analoge në vendet e BE-së, ku ato gjermane zenë një vend të posaçëm. Veç Ekonomikut dhe Infermieria e Mjekësia janë fakultete që përfitojnë nga zbatimi i projekteve me partner gjermanë, ndërkohë që departamenti i gjuhës gjermane ka shkëmbime të profesorëve, akordim të bursave për studentët, mbështetje me literaturë, mjete didaktike etj. "Unë kam pasur fatin që të kem patur kontakt me shumë nga këto institucione, të realizojmë marrëveshje dhe ajo që është më e rëndësishme të ndiejmë rolin dhe kontributin e univresiteteve gjermane në punët e Universitetit të Tiranës dhe shumë prej sukseseve individuale të stafit pedagogjik, por edhe institucionale janë pasojë e kësaj lidhjeje. Në stafin tonë ne kemi shumë pedagogë nga degë të ndryshme, të cilët kanë kryer studime dhe kualifikime në Gjermani. Më vjen mirë të evidentoj që krahas projekteve europiane e bilaterale që kemi me univresitet gjermane. Dua të përshëndes dhe politikat që aplikon shteti gjerman nëpërmjet programeve të DAAD-së (Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman), që resursin e profesoratit që del në pension e përdor si një sinergji në transmetimin e eksperiencës dhe të njohurive në vendet e tjera. Edhe nëpërmjet DAAD-së në universitetin tonë vijnë çdo vit profesorë gjermanë, që kanë dalë në pension, të cilët gjej rastin ti falendorj nga zemra për kontributin që japin tek ne."

Rektori i Universitetit të Tiranës përmend profesorin gjerman Hans Dieter Wenzel nga Universiteti i Bambergut, si një nga promotorët e marrëveshjeve shumëplanëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Prej vitesh tek Fakulteti Ekonomik funksion një degë për studimet Master në Europian Economic Studies,  ku zbatohet përvoja e Universitetit të Bambergut. Duke plotësuar tërësisht standardet europiane në këtë fushë. Prof. Hans Dieter Wenzel ka marrë vlerësime jo vetëm në planin akademik, por edhe është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për kontributin në fuqizimin e kooperimit mes Universitetit të Bambergut dhe Universitetit të Tiranës.