Stuhi vdekjeprurëse mbi Evropën Perëndimore
25 Dhjetor 2013Erërat si uragan dhe shirat e rrëmbyeshëm në natën e shenjtë të kërshendellave kanë shkaktuar kaos në disa pjesë të Francës dhe Britanisë së Madhe. Sipas të dhënave të autoriteteve si pasojë jetën humbën të paktën gjashtë njerëz.
Ndërprerje të energjisë dhe pengesa në trafik
Në të dy anët e Kanalit të La Manshit janë matur erëra me shpejtësi deri në 145 kilometra në orë. Ka pasur përmbytje, bllokim të trafikut , ndërprerje të energjisë elektrike dhe kufizime të rënda në trafikun ajror dhe hekurudhor. Vetëm në rrethinat e Normandisë pa rrymë kanë mbetur rreth 240.000 shtëpi. Në jug të Anglisë nga ndërprerja e energjisë janë prekur mbi 150.000 familje. Sipas të dhënave të furnizuesve me energji elektrike edhe ditën e Krishtlindjes shumë familja në Angli do ta kalojnë pa rrymë.
Trafiku i Krishtlindjes në shumë pjesë të Britanisë së Madhe ngeci në vend. Shoferët kishin mbetur të bllokuar në makinat e tyre, sepse ata nuk mund të lëviznin as përpara e as mbrapa për shkak se rrugët ishin të përmbytura . Shumë trena ndërprenë qarkullimin e tyre, shumë pak prej tyre kanë qarkulluar por me shpejtësi të reduktuar. Sot gjatë ditës situata i është kthyer sërish normalitetit. Meteorologët tërhoqën në pjesë të madhe paralajmërimet e tyre për vazhdimin e motit të lig.
Po ashtu nga stuhia janë prekur edhe veriperëndimi i Spanjës dhe Portugalisë. Në rajonin spanjoll të Galicias, një pemë ra mbi binarët e hekurudhës dhe nxorri një tren nga shinat. Dhjetë pasagjerët kanë shpëtuar pa lëndime të rënda.