NATO: Suedia e gatshme të plotësojë pretendimet e Turqisë
14 Qershor 2022Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në mosmarrëveshjen për pranimin e Suedisë dhe të Finlandës në NATO, Suedia ka paralajmëruar se do të plotësojë pretendimet e Turqisë në dy pika.
Stoltenbergu tha pas një takimi me kryeministren suedeze, Magdalena Anderson, se Suedia ka filluar tashmë të ndryshojë legjislacionin e saj lidhur me luftimin e terrorizmit dhe do të adaptojë kuadrin ligjor për eksportet e armëve në mënyrë që ky të pasqyrojë statusin e ardhshëm si anëtare e NATO-s me detyrime të reja ndaj aleatëve.
Anderson tha: "Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet turke përfshirë edhe shqetësimet e tyre lidhur me luftën kundër terrorizmit." Në mes të muajit maj, Suedia dhe Finlanda bënë kërkesë për t'u anëtarësuar në aleancën e mbrojtjes për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Por vetëm disa orë pasi Finlanda dhe Suedia paraqitën kërkesën e tyre për anëtarësim në NATO, Turqia e frenoi këtë plan dhe e bllokoi vendimin për fillimin e procesit të anëtarësimit. Që Suedia dhe Finlanda të jenë pjesë e aleancës ushtarake, të gjithë anëtarët e saj duhet të miratojnë anëtarësimin e tyre.
Turqia është aktualisht i vetmi anëtar i NATO-s që bllokon fillimin e procesit të anëtarësimit. Presidenti Recep Tayyip Erdogan i fajëson Finlandën dhe Suedinë së mbështesin Partinë e Punëtorëve Kurdë (PKK), e cila në Turqi është e ndaluar, dhe milicinë kurde YPG në Siri. Turqia i konsideron të dyja këto si "organizata terroriste".