Sukses historik -Marrëveshje atomike SHBA - Indi
3 Mars 2006Demonstrata të zhurshme e shoqëruan vizitën e presidentit të ShBA, Xhorxh Bush në kryeqytetin e Indisë. Dhjetra mijëra demonstrues e quajtën Bushin si luftënxitës dhe vrasës. Protesta masive u organizua nga komunistët dhe parti të tjera të majta. Politikani komunist Sitaram Jeshuri: "Xhorxh Bush dhe Amerika duhet të largohen nga Iraku. Për aq kohë sa nuk përmbushet kjo kërkesë, Bushi është këtu i padëshirueshëm."
Një demonstrues, Raja Ram shton: "Qeveria jonë nuk duhet të dorëzohet përballë presionit të imperialistëve. Qeveria indiane nën Manmohan Sing duhet të ndjekë një politikë të jashtme të pavarur".
Vetëm pak kilometra larg protetstës së zhurmshme u takuan Bushi dhe kryeministri i Indisë, ky i fundit në aspektin politik u afrua shumë me Bushin, si asnjëri prej parardhësve të vet. Me zë të ulët Manmohan Sing konstatoi: "Ne kemi shkruar sot histori."
Gjatë natës duke gdhirë dita e enjte (02.03) të dyja palët ranë dakord për detajet e përgjithshme të marrëveshjes së tyre. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, India pas disa dekadash izolimi do të ketë akses në teknikën dhe lëndët djegëse të centraleve atomike perëndimore. Kusht për këtë ishte ndarja e programit bërthamor të Indisë në pjesën civile dhe ushtarake.
Kryeministri Manmohan Sing, thotë se "India ka premtuar të paraqesë një listë të komplekseve civile atomike. Unë e përshëndes faktin, që presidenti i ShBA tani do t´i drejtohet kongresit për ndryshimin e ligjeve amerikane. Ai gjithashtu do të bisedojë me grupin ndërkombëtar të shteteve të teknikës atomike, në mënyrë që ato të përshtasin kriteret e tyre."
Si rrjedhojë në mënyrë indirekte ShBA e kanë njohur Indinë si fuqi atomike.
Sanksionet e deritanishme do të hiqen, edhe pse India ende nuk është e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen për ndalimin e armëve bërthamore. Nju Deli megjtihatë do të lejojë kontrollin ndërkombëtar në komplekset civile bërthamore. Presidenti i ShBA-së, Bush, e mbrojti rregullin përjashtues mjaft të kritikuar si të domosdoshëm dhe të nevojshëm për të dyja vendet: "Një industri atimike civile në Indi është në interesin tonë ekonomik për t´i bërë ballë presionit nga kërkesa mbarëbotërore për energji. Kërkesa e lartë për naftën ka rritur çmimin e benzinës. Nëse ne do të ndihmojmë që të ulet kërkesa, atëherë kemi ndihmuar edhe konsumatorët."
Marrëveshja është edhe gurthemeli për një partneritet strategjik mes ShBA dhe Indisë, që duan të përmirësojnë edhe më tej marrëdhëniet ekonomike: "Partneriteti strategjik i Indisë dhe Amerikës bazohet tek vlerat e përbashkëta: të dyja demokracitë respektojnë pluralizmin fetar dhe shtetin ligjor. Më parë ShBA dhe India kanë qenë të ndara. Ne nuk kemi pasur marrëdhënie. Por tani raportet midis nesh po ndryshojnë vrullshëm. Populli amerikan duhet ta kuptojë, se marrëdhëniet tregtare dhe diplomatike me Indinë janë në interesin tonë."
Vizita e Bushit në Nju Deli u zhvillua nën hijen e një sulmi të rëndë me bombë përpara konsullatës së ShBA në Karaçi në Pakistan. Sipas të dhënave të Bushit, ka gjetur vdekjen edhe një diplomat amerikan. Presidenti Bush megjithatë sipas planit do të vizitojë të shtunën (04.03) kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad: "Terroristët dhe vrasësit nuk do të më pengojnë që të shkoj në Pakistan. Sulmi me bombë dëshmon, se lufta kundër terrorizmit vazhdon dhe se shtetet e lira duhet ta luftojnë së bashku terrorizmin."