1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sukses i artistëve shqiptarë në Filarmoninë e Këlnit

Mimoza Cika-Kelmendi27 Maj 2013

Të dielën (26.05.13) në sallën e Filarmonisë së Këlnit, orkestra simfonike amatore dha një koncert me rastin e 125 vjetorit të themelimit të saj. Dirigjent ishte artisti shqiptar Desar Suljemani.

Dirigjenti Desar SulejmaniFotografi: Desar Sulejmani

125 vjet më parë, pikërisht në vitin 1888 në Këln të Gjermanisë do të themelohej një orkestër simfonike me muzikantë amatorë, duke u bërë kështu orkestra më e vjetër e këtij qyteti. Prej fillimit të shekullit të 19-të krahas veprave simfonike do të interpretoheshin edhe koncerte me solistë, me synim të veçantë, promovimin e talenteve të reja. Duke pasur parasysh qytetin e Këlnit, si një qytet shumë i lidhur me artin dhe muzikën, artistët amatorë ishin më të vetëdijshëm për të përcjellë tek publiku edhe koncerte të një formati të ndryshëm nga të tjerët. Edhe pse “diletantë”, ata asnjëherë nuk e nënvleftësuan rolin e tyre.

Prej themelimit vazhdimisht kjo shoqatë orkestrantësh ka pasur si anëtarë shumë personalitete të njohura nga arti, shoqëria apo politika gjermane. Por rruga e muzikantëve amatorë në këtë orkestër ka qenë e gjatë dhe jo e lehtë: Shumë instrumentistë siguronin bukën e gojës si mësues privatë muzike, disa të tjerë si mësues muzike nëpër shkolla. Disa arritën të realizonin ëndrrën e tyre të madhe për t'u bërë muzikantë profesionistë. Ndërsa shumë zgjodhën një profesion krejt tjetër në jetë. Ata u bënë mjekë, kimistë, inxhinierë, juristë, infermierë, mësues, redaktorë, teknikë, profesorë në universitete apo botues. Megjithatë, 125 vjet janë një tregues i dashurisë së madhe që ata kanë për muzikën, pavarësisht nga profesioni që ata ushtrojnë.

Dirigjenti i parë dhe po ashtu iniciatori për themelimin e kësaj orkestre në vitin 1888 ishte Alexander Rive. Më pas janë një sërë dirigjentë të cilët kanë drejtuar këtë orkestër me vite e dekada të tërë deri sa në 2012 këtë fat do ta kishte një shqiptar, artisti tashmë i njohur Desar Sulejmani. Presidentja e kësaj shoqate orkestruesish Lene Lutz kujton kur u bë zgjedhja e tij:

Fotografi: Desar Sulejmani

“Shumë shpejt na u bë e qartë se dirigjent do të ishte Desari duke pasur parasysh konkurentët e tjerë. Pra me paraqitjen e tij shumë prej nesh ishin të mendimit se ai do të ishte në krye të orkestrës sonë. Ne zhvilluam votimin për kandidatët favoritë dhe në përfundim doli se me shumicë unanime fitues ishte Desari. Sot them me bindjen e plotë se nuk kemi bërë zgjedhje të gabuar. Ai është vërtet shumë i talentuar, shumë praktik, me shumë energji. Desari ka një pasion të madh për muzikën dhe ne ndjehemi shumë mirë me të si drejtues i orkestrës."

Prej qershorit të 2012,dirigjenti shqiptar Desar Sulejmani është pasardhësi i Oliver Leo Schmidt-it i cili e udhëhoqi për 14 vite këtë orkestër duke e mbyllur karrierën e tij me koncertin e fundit më 26.11.2011. Por këtë fat Desari e sheh edhe si përgjegjësi apo edhe si sfidë për qytetin e Këlnit të cilin ai e adhuron.

„Ajo që më shtyu të konkurroj si dirigjent i kësaj orkestre ishte mbi të gjitha qyteti i Këlnit duke e parë si qëllim në vetvete. Mendova që Këlni do të ishte për mua edhe një dritare më e madhe qoftë si dirigjent, por qoftë edhe si artist në përgjithësi. Pra fati më krijoi mundësinë që unë ta shfrytëzoja menjëherë këtë konkurim dhe u ndjeva shumë krenar kur mora lajmin që kisha fituar. Por sigurisht unë ndjej edhe përgjegjsinë e madhe për këtë vend sepse një orkestër e tillë me një jetë kaq të gjatë artistike, 125 vjet, do të thotë që përveç të qenurit dirigjent, do të thotë edhe përgjegjësi organizative përpos asaj artistike. Sepse një orkestër e tillë me rreth 70 veta, të cilët jo vetëm që vijnë rregullisht në prova dhe organizojnë koncerte të tilla siç ishte ky në Filarmoninë e Këlnit dhe organizime të tjera, kërkon edhe displinë organizative".

Orkestra ka interpetuar vepra që nga koha e Barokut deri tek ato modernet klasike apo vepra të muzikës bashkëkohore. Në koncertin e së dielës (26.05.) mes veprave si Elgar, Brahms apo Mendelssohn Bartholdy që u intepretuan me rastin e 125 vjetorit të themelimit të kësaj orkestre, ishte edhe vepra e kompozitorit shqiptar Gerti Druga "Rapsodi shqiptare”, një suprizë tjetër kjo për publikun gjerman.

Gerti Druga - kompozitor nga Shqipëria, autor i "Rapsodisë shqiptare" e interpretuar në KëlnFotografi: DW/M. Kelmendi

„Jam totalisht i emocionuar dhe në rradhë të parë falenderoj Desarin, i cili na dha këtë mundësi për të promovuar para publikut gjerman një vepër shqiptare e sigurisht që unë ndjehem i priviligjuar që u zgjodha në këtë rast. Eshtë një vlerësim i madh për mua si i ri por për të gjithë artistët e rinj që kanë këto shanse dhe kjo i dedikohet pikërisht kësaj orkestre e cila ka vite që e ka bërë këtë si traditë të sajën. Në fakt vepra ime është thellësisht shqiptare; sepse unë në kompozimet e mia dua të flas shqip prandaj edhe kompozimi im titullohet „Rapsodi shqiptare“ dhe në rastin e këtij koncerti e konsiderova këtë vepër si një sfidë të vetes sime“, thotë për Deutsche Welle, Gerti i emocionuar .

Dhe këtë test, dy shqiptarët Desari dhe Gerti e kaluan shumë mirë duke marrë duartrokitje të gjata dhe ovacione. Ishte një e papritur edhe për vetë orkestrantët që siç thotë violinina e parë, Susanna Schael ishtë një përvojë e shkëlqyeshme me të dy djemtë artistë nga Shqipëria.

„Ka qenë një përvojë e shkëlqyer me dirigjentin por edhe me muzikën shqiptare e cila është shumë interesante për ne si gjermanë pasi ka një përzierje mes asaj popullores dhe modernes, por gjatë interpretimit e ndjen edhe romantiken e saj që ka brënda. Eshtë fat i madh që ne kemi një dirigjent të tillë pasi unë e njoh Desarin më herët dhe kemi bashkëpunuar shumë. Unë kam qenë edhe në Tiranë dhe jam mahnitur nga talentet që ka Shqipëria në fushën e muzikës. Pra është vërtet një përvojë e mrekullueshme dhe jam shumë e gëzuar me rapsodinë që intepretuam në këtë koncert jubilar. Muzika shqiptare ka shumë energji, por dhe shumë dashuri".

Susanna Schael - violinë e parë në orkestrën: Kölner Orchester-GesellschaftFotografi: DW/M. Kelmendi

Pranë kam Melani Köhler, mjeke, e cila pas koncertit me emocion i afrohet mikrofonit: "Shumë shumë bukur, s'kisha dëgjuar kurrë muzikë shqip dhe u mrekullova si nga vepra shqiptare ashtu dhe nga dirigjenti. Ishte i mrekullueshëm, plot energji dhe pasion. Shumë bukur!"

Edhe vetë kompozitori Druga u habit nga suksesi që pati vepra e tij: ” Ritmet tona janë pak të vështira, në përgjithësi ritmet e përziera nuk janë të lehta edhe për tu interpretuar nga instrumentistët, por në momentin kur kjo vepër përthithet mirë nga orkestra atëherë edhe publiku e ka më të lehtë për ta përçuar, për ta përcjellë. Çuditërisht kjo në koncert u arrit në mënyrë të shkëlqyer, ndaj jam dhe shumë i lumtur. Shpresoj që kjo përvojë të më ndihmojë që të kemi mundësi edhe për një përvojë tjetër në të ardhmen si kjo".

Por emocionet më të mëdha i ka dirigjenti i orkestrës i cili shpalosi para publikut gjerman një figurë të kompletuar prefesionale. Duartrokitjet e shumta dhe të gjata ishin dëshmi e një respekti të veçantë për artistin shkodran, Desar Sulejmani që prej vitesh punon me pasion dhe dashuri për të dëshmuar jo vetëm talentin e tij por edhe vendin e tij, Shqipërinë nga ku ai mori mësimet e para në piano.

U larguam nga salla e Filarmonisë së Këlnit me shpresë së së shpejti do të kemi të tjera aktivitete nën drejtimin e dirigjentit tonë Sulejmani, por dhe një bashkëpunim më të ngushtë gjermano-shqiptar në këtë fushë. Këtë na e premtoi vetë Desari pas koncertit: „Për të ardhmen mendoj se do të ketë një sërë aktivitetesh jo vetëm me kompozitorë shqiptarë por edhe me të tjerë talente të rinj. Gjithashtu do të ketë bashkëpunim edhe me instrumentistët shqiptarë të cilët unë shpesh i sjell këtu në Gjermani dhe ku ata kanë mundësi të promovojnë talentin e tyre. Një plan jo shumë i largët është që me këtë orkestër të shkojmë edhe në Shqipëri për një tur koncertesh".

Salla e Filarmonisë së KëlnitFotografi: KölnMusik/Jörg Hejkal