1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sukses i BE-së në Lisbonë, marrëveshje për Traktatin Kushtetues

19 Tetor 2007

Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barrozo, e vlerësoi vendimin e samitit, një marrëveshje historike.

Angela Merkel dhe Lech Kaszynski
Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti polak Lech KaszynskiFotografi: AP

Samiti i BE-së në Lisbon ka dhënë dritën e gjelbërt për ratifikimin e marrëveshjes së reformës për kushtetutën e re. Marrëveshja mes udhëheqësve të 27 vendeve anëtare u arrit pas bisedimeve që filluan dje e zgjatën deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Lajmi u bë i ditur nga presidenca portugeze. "Evropa tani është më e fortë", ka deklaruar, kryeministri portugez dhe presidenti i rradhës së Këshillit të Europës, Sokrates (Jose Socrates). Para bisedimeve Italia kishte kundërshtuar një shpërndarje të re të vendeve në Parlamentin Evropian, sipas së cilës ajo do të humbiste 6 vende.

Sipas marrëveshjes, Roma humbet vetëm 5 vende dhe do të ketë 73 anëtarë në parlament, njëlloj sa Britania dhe një më pak se Franca. Polonia arriti të sigurojë garancinë që një grup vendesh do të lejohet të shtyjë përkohësisht marrjen e vendimeve të BE-së, siç kishte kërkuar presidenti polak Kazhinski (Lech Kaszynski).

Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barrozo, e vlerësoi vendimin e samitit, si një marrëveshje historike. Po ashtu edhe kancelarja Angela Merkel e vlerësoi marrëveshjen si një sukses të madh. Dokumenti do të nëshkruhet më 13 dhjetor në Lisbon, duke zëvëndësuar kështu projektkushtetutën e BE-së, që dështoi në vitin 2005. Sot samiti i vazhdon punimet me temën mbi globalizimin dhe krizën në tregun financiar.