1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Kriminalitet

Sulm kibernetik ndaj Deutsche Bahn

19 Shkurt 2026

Sipas ekspertëve sulmi kibernetik ndaj sistemeve të IT-së të Deutsche Bahn është pjesë e një fushate të gjerë dhe të njëkohshme sulmesh kundër disa shteteve të NATO-s.

Tren rajonal i Deutschen Bahn
Kompania hekurudhore gjermane "Deutsche Bahn" vazhdon të jetë e prekur nga pasojat e një sulmi kibernetikFotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopress/picture alliance

Kompania hekurudhore gjermane "Deutsche Bahn" vazhdon të jetë e prekur nga pasojat e një sulmi kibernetik. Në faqen e internetit të Deutsche Bahn (DB) thuhet se "Sulmi aktual ishte sulm i qëllimshëm që kishte si objektiv DB-në dhe ka ndodhur në disa valë. Përmasat e sulmit janë të konsiderueshme.”

Sipas kompanisë bëhet fjalë për një sulm të tipit DDoS (Distributed Denial of Service). Sulmi filloi të martën në mesditë. Në rastin e një sulmi DDoS mijëra pajisje dërgojnë njëkohësisht aq shumë kërkesa drejt një faqeje interneti, saqë ajo mbingarkohet dhe në rastin më të bllokohet,ose del jashtë funksionit.

Shefja e Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI) e konsideron sulmin aktual ndaj kompanisë hekurudhore gjermane si një sulm jashtëzakonisht të madh.Fotografi: Jan Woitas/dpa/picture alliance

Sulm me dimensione të jashtëzakonshme

Shefja e Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI) e konsideron sulmin aktual ndaj kompanisë hekurudhore gjermane si një sulm jashtëzakonisht të madh.

Ajo tha për radio WDR se në faqen e internetit dhe aplikacionin e DB-së kishte pasur miliarda kërkesa në minutë për të mbingarkuar sistemet e rezervimit dhe për t'i paralizuar ato. Ky lloj sulmi DDoS është "qartësisht i përmasave të mëdha dhe nuk ka dimensione të zakonshme." - tha ajo.

Lemnitzer: Fushatë e gjerë pas së cilës është Rusia

Sipas ekspertit të sigurisë kibernetike, Jan Lemnitzer, sulmi kibernetik ndaj sistemeve të IT-së të Deutsche Bahn është pjesë e një fushate të gjerë dhe të njëkohshme dhe serie të tërë sulmesh kundër disa shteteve të NATO-s. Në Danimarkë, për shembull, janë sulmuar disa ministri, komuna dhe madje edhe një aplikacion përmes të cilit blihen bileta treni, si edhe kompani kryesore të sigurisë kibernetike. Edhe porti i Roterdamit është sulmuar me një sulm të ngjashëm.

Sulmi kibernetik ndaj sistemeve të IT-së të Deutsche Bahn është pjesë e një fushate të gjerë dhe të njëkohshme sulmesh kundër disa shteteve të NATO-sFotografi: Pond5 Images/IMAGO

Qendra Kombëtare për Sigurinë Kibernetike në Britaninë e Madhe kishte paralajmëruar për këto sulme në fund të janarit.

Në një intervistë për tagesschau24 Jan Lemnitzer tha, se sipas tij është e qartë se pas këtyre sulmeve qëndron Rusia. "Kjo është një fushatë ruse që lidhet me Ukrainën. Qëllimi është të përhapet pasiguri tek shtetet që mbështesin Ukrainën." - tha Lemnitzer.

Frikë për sulme ndaj infrastrukturës energjetike

Objekt i sulmeve të fundit kibernetike ka qenë edhe infrastruktura energjetike. Ekspertët janë të shqetësuar sidomos prejt sulmit kibernetik disa javë më parë ndaj Polonisë, ku për herë të parë u përdor një malware shumë, shumë agresiv dhe shkatërrues nga sulmues rusë, që deri tani ishte konstatuar vetëm ndaj centraleve energjetike në Ukrainë.

Jan Lemnitzer thotë se për të "një arsye më e madhe për t'u shqetësuar është nëse sulme të tilla do të bëheshin edhe ndaj infrastrukturës energjetike gjermane. Sulmet DDoS janë sigurisht të bezdisshme, për shembull kur dikush dëshiron të blejë një biletë treni, por ato janë të menaxhueshme."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW