1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulme të ashpra ndaj provincës siriane Idlib

8 Shtator 2018

Rreth 3 milionë civilë jetojnë në provincën më të madhe të zotëruar nga rebelët, Idlib. Përpjekjet diplomatike dështuan. Po fillon tani sulmin qeveria?

Syrien Flüchtlinge Provinz Idlib
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Watad

Qeveria siriane së bashku me aleatin e saj, Rusinë ka filluar sulmet më të forta nga ajri në provincën e Idlibit, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut. Katër civilë kanë humbur jetën, mes tyre dy fëmijë, është shprehur Qendra Siriane  e Vëzhgimit për të Drejtat e Njeriut. 80 bombardime e kanë prekur deri më tani provincën.

Turqia dështoi në Teheran

Idlibi është rajoni i fundit i rebelëve islamistë në Siri. Qeveria siriane prej

javësh ka grumbulluar trupa duke kërcënuar me një ofensivë. Të premten Turqia dështoi në konferencën në Teheran me përpjekjet e saj për të bindur Rusinë dhe Iranin për një armëpushim në Idlib. Pas kësaj për qeverinë siriane duket se është hapur rruga të paktën për një ofensivë të kufizuar kundër grupimit të milicëve Tahrir al-sham (HTS) të lidhur me al-Kaidën.

Fotografi: Getty Images/AFP/A. Al-Dyab

Rusia dhe Irani theksojnë, se luftojnë në këtë rajon terroristët. Në rajonin e Idlibit HTS është shumë prezente, me rreth 10.000 milicë, sipas të dhënave të të ngarkuarit të OK-së për Sirinë, Stafan de Mistura. Kombet e Bashkuara, qeveri të ndryshme dhe organizata humanitare i tremben një katastrofe humanitare në Idlib. Në rajon jetojnë 3 milionë civilë, shumica të dëbuar. Turqia ndërkohë i ka mbyllur kufijtë.

 

 

la/(afp, dpa)